Avdullah Hoti prezanton planin qeverisës
I mandatuari për kryeministër të ri të Kosovës, Avdullah Hoti, ka prezantuar planin e tij qeverisës në nisje të seancës së Kuvendit të Kosovës.
Hoti ka thënë se qeveria që ai do të drejtojë do të ketë dy prioritete kryesore; e para luftimi i pandemisë së koronavirusit të ri dhe i dyti, rimëkëmbja ekonomike.
Duke folur për prioritetet, Hoti tha se së bashku me partnerët e tjerë qeverisës do të kujdesen edhe për prioritetet e tjera si forcmimi i shtetit, avancimi i demokracisë, luftimi i korrupsionit, zhvillimi ekonomik, marrja e përgjegjësive kushtetuese për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë me përfshirje të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Kjo qeveri do të promovojë dhe mbrojë sovranitetin e vendit si një tërësi e pandashme”, deklaroi Hoti.
Sa i takon rimëkëmbjes ekonomike, Hoti tha se do të krijohet fondi për rimbëkëmbje ekonomike, pasi sipas tij, dëmet nga pandemia e koronavirusit të ri mund të jenë të paparashikueshme.
Hoti ka premtuar mbështetje për bizneset për të tejkaluar krizën ekonomike që ka shkaktuar pandemia.
Fillon seanca për votimin e qeverisë së re, Vjosa Osmani nuk e udhëheq seancën
Në Kuvendin e Kosovës ka filluar seanca e jashtëzakonshme në të cilën pritet të votohet qeveria e re e drejtuar nga Avdullah Hoti i LDK-së.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, nuk është duke e udhëhequr seancën.
Seancën është duke e udhëhequr nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Kujtim Shala.
Në nisje të seancës, Shala ka thënë se Vjosa Osmani nuk ka pranuar të udhëheq seancën. Njëjtë sipas Shalës ka vepruar edhe Arbërie Nagavci e Vetëvendosjes e që është po ashtu nënkryetare e Kuvendit të Kosovës.
Një ditë para seancës në deklarime për media, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, njëherësh nënkryetare e LDK-së, Vjosa Osmani tha se do të ishte e udhës krijimi i një qeverie teknike me mandat 6-9 muaj e më pas vendi të shkojë në zgjedhje parlamentare.
Në këtë seancë pritet që të votohet qeveria e re që në kuadër të saj ka AAK-në, Nismën Socialdemokrate dhe partitë joshumicë.
Qytetarët fillojnë të mblidhen para objektit të Kuvendit
Disa qytetarë kanë filluar të mblidhen në shenjë proteste para objektit të Kuvendit të Kosovës ku pritet të votohet qeveria e re. Ndërkohë edhe deputetët janë parë duke arritur në kuvend në kohën kur pritet të fillojë seanca e paralajmëruar për orën 11:00.
Qeveria Kurti mban mbledhje para votimit të qeverisë së re
Qeveria në detyrë e Kosovës ka mbajtur mbledhjen e qeverisë, vetëm një orë para fillimit të seancës së Kuvendit ku pritet të votohet qeveria e re.
Në këtë mbledhje, qeveria në detyrë ka ndarë 60 mijë euro për familjet e dy punëtorëve që vdiqën të martën derisa po punonin në minierën e Artanës.
Kabineti qeveritar mori edhe disa vendime të tjera, mes tjerash edhe shkarkimin e bordit të drejtorëve të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit Mitrovica.
Në Kuvendin e Kosovës pritet që të votohet qeveria e re e drejtuar nga Avdullah Hoti i LDK-së.
Të drejtën për formimin e qeverisë nga LDK-ja e njohu Gjykata Kushtetuese e Kosovës që shpalli kushtetues dekretin e presidentit Hashim Thaçi për të mandatimin e Avdullah Hotit si kandidat për formimin e qeverisë së re.
Dekretin e presidentit e dërgoi në kushtetuese Lëvizja Vetëvendosje që pretendonte se nuk kishte shfrytëzuar të drejtën e saj kushtetuese për të propozuar mandatarin e ri.
Qeveria Kurti u rrëzua në muajin mars pas një mocioni të suksesshëm mosbesimi në Kuvend.