Ndërlidhjet

Çfarë pritet të ndodhë në Kuvendin e republikanëve?


Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, gjatë një tubimi zgjedhor në Riçmond të Virxhinias në mars të vitit 2024.
Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, gjatë një tubimi zgjedhor në Riçmond të Virxhinias në mars të vitit 2024.

Reuters

Ish-presidenti Donald Trump zyrtarisht do të nominohet javën e ardhshme në Kuvendin Kombëtar të republikanëve, një ngjarje katërditore në Milvuaki, Viskonsin që synon të ngjallë bazën e partisë në fazën finale të zgjedhjeve presidenciale të 5 nëntorit.

Në këtë tubim politik do të ketë fjalime nga figurat republikane në rritje dhe nga i zgjedhuri i Trumpit për të garuar për postin e nënpresidentit. Po ashtu, në këtë Kuvend do të bëhet i ditur qëndrimi i partisë për çështje të ndryshme, sikurse abortimi, migrimi dhe ekonomia.

Në këtë tekst mund të kuptoni se çfarë do të ndodhë në Konventën e republikanëve.

Kur mbahet Kuvendi Kombëtar dhe si funksionon?

Ngjarja kryesore në katër vjet do të mbahet nga 15 deri më 18 korrik në Fiserv Forum, që është shtëpi e ekipit të basketbollit, Milwaukee Bucks. Më shumë se 5.000 persona, përfshirë qindra gazetarë nga e mbarë bota, pritet të marrin pjesë.

Delegatët partiakë nga të gjitha 50 shtetet dhe gjashtë territoret amerikane gjatë Kuvendit, zyrtarisht do të zgjedhin të nominuarin për president dhe për nënpresident.

Trump ka siguruar shumicën dërmuese të delegatëve gjatë procesit për nominim në shtetet republikane më herët gjatë këtij viti, prandaj zgjedhja e tij në Milvuaki është siguruar dhe konsiderohet një formalitet.

Ai pritet të pranojë nominimin gjatë një fjalimi më 18 korrik, në natën finale të Kuvendit. Trump pritet që të zgjedhë edhe kandidatin e tij për nënpresident deri më 15 korrik dhe më pas kandidati për nënpresident do t’i adresohet Kuvendit më 17 korrik.

Pse është e rëndësishme mbajtja e Kuvendit në Milvuaki?

Milvuaki është qyteti më i madh në Viskonsin, një prej disa shteteve të pavendosura që do të jenë të rëndësishëm në përcaktimin e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të nëntorit.

Vendimi i republikanëve që të mbajnë Kuvendin në Viskonsin, që ka zgjedhur kandidatin që ka fituar në zgjedhje në katër zgjedhjet e fundit, nuk ishte i rastësishëm. Presidenti Joe Biden, demokrat, fitoi në këtë shtet më 2020 me më pak se një pikë të përqindjes dhe sondazhet tregojnë për një garë tjetër të ngushtë në Viskonsin mes tij dhe Trumpit gjatë këtij viti.

Fiserv Forum, vendi ku do të mbahet Kuvendi i republikanëve.
Fiserv Forum, vendi ku do të mbahet Kuvendi i republikanëve.

Përpjekjet e Partisë Republikane për të treguar mbështetjen që ka në Viskonsin morën një goditje para Kuvendit, me Trumpin që raportohet se e ka quajtur Milvuakin “qytet të tmerrshëm” gjatë një takimi me ligjvënësit republikanë të mbajtur muajin e kaluar.

Zëdhënësi i fushatës të Trumpit, Steven Cheung, tha se Trump u është referuar problemeve me krimin dhe mashtrimeve zgjedhore në këtë qytet. Numri i krimeve të dhunshme ka rënë në Milvuaki, duke reflektuar një trend që po ndodh në qytetet e mëdha në mbarë SHBA-në. Ndërkaq, nuk ka asnjë dëshmi për mashtrim të madh gjatë zgjedhjeve më 2020 e as më 2022.

Pse janë të rëndësishme kuvendet partiake?

Njerëzit nuk duhen të shpërqendrohen nga balonat shumëngjyrëshe në Kuvend, pasi kjo ngjarje është një mundësinë për partinë që të ketë publicitet falas dhe të mbledhë mbështetësit nga i mbarë vendi për zgjedhjet, që mund të përcaktohen nga pjesëmarrja në to.

Partia Republikane ende nuk ka bërë publike detaje të agjendës, por Kuvendi historikisht ka qenë një mundësi për figurat kyçe dhe ligjvënësit e tjerë që të mbajnë fjalime mbresëlënëse në skenën kryesore.

Komiteti Kombëtar i Republikanëve ka njoftuar për temat për katër ditët e Kuvendit. E hëna do të fokusohet se si Trumpi “ndryshoi” në agjendën ekonomike të Bidenit. Të martën do të paraqiten politikat e Trumpit për të luftuar krimin dhe për të ndihmuar sektorin e sigurisë. Të mërkurën do të paraqiten planet për frenimin e migrimit në kufirin jugor të SHBA-së dhe përmirësimet në politikën e jashtme dhe të enjten do të paraqitet strategjia e Trumpit për të forcuar shtetin.

Çfarë ndryshimesh do të bëhen në platformën politike të partisë?

Platforma e Partisë Republikane, që është qëndrimi zyrtar për politika të caktuara, është miratuar nga Komiteti partiak për Platformën dhe është publikuar të hënën. Pritet që kjo platformë të miratohet në ditën e parë të Kuvendit që nisë javën e ardhshme.

Platforma prej 16 faqesh mbështet qëndrimin e Trumpit se çështja e abortit duhet të përcaktohet individualisht nga shtetet amerikane. Aty nuk përmendet ndonjë ndalim federal ose mbrojtjen e fetusit njëjtë sikurse një njeri, sipas Kushtetutës së SHBA-së – parime që ishin përfshirë në platformat e kaluara dhe ishin kërkuar nga një grup i evangjelistëve me ndikim.

Platforma, që nuk është një dokument i obligueshëm, po ashtu zotohet se Trumpi dhe republikanët do të ndërtojnë një mburojë raketore mbi SHBA, do të kryejë “dëbimin më të madh në historinë amerikane” të njerëzve që qëndrojnë në shtet në mënyrë të paligjshme, do të bëjë shkurtime të përhershme të taksave dhe “do të bëhet ulja më e madhe e taksave për punëtorët”. Në platformë po ashtu thuhet se republikanët do të shkatërrojnë kartelet e huaja të drogës, do të mbrojnë përfitimet nga programi i sigurimit shëndetësor dhe i sigurimeve shoqërore si dhe do të mbështesin fondet publike që përdoren për shkollim në shkolla private.

Kur do ta mbajnë demokratët Kuvendin e tyre?

Demokratët do ta mbajnë Kuvendin e tyre Kombëtar në Çikago nga 19 deri më 22 gusht.

Biden nuk pati një paraqitje të mirë në debatin me Trumpin më 27 qershor dhe kjo ka ngritur pikëpyetje nëse presidenti aktual do të jetë i nominuari i partisë për zgjedhjet e nëntorit apo do të zëvendësohet nga dikush tjetër.

Pritet të shihet nëse në Kuvend do të vendoset që të zgjidhet një kandidat i ri ose nëse Biden, i cili është zotuar se do të qëndrojë në garë, do të nominohet zyrtarisht në tubimin e Çikagos.

Demokratët po vendosin reklama në mbi 50 autobusë në Milvuaki, që do të lëvizin gjatë Kuvendit të republikanëve, në përpjekje për të kritikuar politikat e partisë dhe të Trumpit, tha Komiteti Kombëtar Demokratik.

Këto reklama fokusohen në të drejtat e abortit, uljen e çmimit të ilaçeve dhe dënimin e fundit penal ndaj Trumpit, por edhe deklaratën që raportohet se bëri për Milvakin duke e quajtur “qytet të tmerrshëm”.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG