LVV-ja hyn në sallën plenare të Kuvendit
Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë nisur që të hyjnë në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës, në prag të nisjes së konstituimit të Kuvendit.
Kjo parti, që ka fituar zgjedhjet, duhet të propozojë kryetarin e ri të Kuvendit, për të cilin i duhen 61 vota. Ende nuk dihet se kush do të jetë kandidati i këtij subjekti për këtë post.
Nis seanca
Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës ka nisur, pas një ore vonesë.
Seanca po kryesohet nga Avni Dehari - deputeti më i vjetër në moshë - së bashku me deputeten Sala Jashari, që është deputetja më e re në moshë e legjislaturës së nëntë.
Formohet komisioni për verifikimin e mandateve
Partitë e përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës kanë propozuar emrat e tyre për anëtarë të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve.
Ky komision udhëhiqet nga LVV-ja, partia fituese e zgjedhjeve.
Formimi i këtij komisioni është pika e parë e rendit të ditës të seancës konstituive të Kuvendit.
Në sallë janë të pranishëm 119 deputetë, të cilët votuan për krijimin e këtij komisioni të përkohshëm.
Komisioni për mandate nis takimin
Pas formimit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit, seanca plenare shkoi në pauzë 15-minutëshe, në mënyrë që ky komision të mund të përpilojë raportin e tij, i cili më pas duhet të miratohet.