LVV-ja hyn në sallën plenare të Kuvendit
Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë nisur që të hyjnë në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës, në prag të nisjes së konstituimit të Kuvendit.
Kjo parti, që ka fituar zgjedhjet, duhet të propozojë kryetarin e ri të Kuvendit, për të cilin i duhen 61 vota. Ende nuk dihet se kush do të jetë kandidati i këtij subjekti për këtë post.
Bale konfirmon se ka ofertë për të qenë pjesë e qeverisë
Deputetja e zgjedhur e Kuvendit të Kosovës nga komuniteti boshnjak, Duda Bale, ka konfirmuar për mediat se ka marrë ofertë nga Lëvizja Vetëvendosje për të qenë pjesë e kabinetit të ardhshëm qeveritar.
Bale, kryetare e Unionit Socialdemokrat e bëri këtë konfirmim pak kohë para nisjes së seancës konstituive të Kuvendit.
Lista Serbe në sallën plenare
Deputetët e Listës Serbe kanë hyrë në sallën plenare, për seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Kjo parti, që ka mbështetjen e Beogradit, ka fituar nëntë nga dhjetë vendet e rezervuara për komunitetin serb.
Bajrami: LDK s’e voton kryeparlamentarin
Shefja e re e grupit parlamentar të LDK-së, Hykmete Bajrami, tha se partia e saj nuk ka ndryshuar qëndrim dhe nuk do të votojë për propozimin e LVV-së për kryeparlamentarin.
“Nëse kanë propozim për emrin e kryeparlamentarit, duhet t’i kenë edhe votat për të”, tha ajo për gazetarët në hollin e Kuvendit të Kosovës.
Seanca konstituive ende nuk ka filluar, teksa në sallë janë të pranishëm deputetët e LDK-së, PDK-së, AAK-së, Listës Serbe dhe komuniteteve të tjera joshumicë.