Skenarët për konstituimin e Kuvendit, sipas KDI-së
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka thënë se janë tre skenarë sa i përket seancës konstituive të Kuvendit.
I pari, LVV-ja propozon kandidatin për kryetar, i siguron 61 vota për të, votohen nënkryetarët dhe Kuvendi konstituohet plotësisht.
Skenari i dytë: LVV-ja refuzon të propozojë kandidatin për kryetar ose kërkon “konsultime shtesë”. Atëherë, kryesuesi pezullon seancën. Me ligj, pezullimi nuk mund të zgjasë më shumë se 48 orë, që nënkupton se një seancë e re duhet të thirret çdo dy ditë. Por, nëse LVV-ja refuzon vazhdimisht të mos e propozojë kandidatin, atëherë partitë opozitare, sipas Cakollit, mund t’i drejtohen për interpretim Gjykatës Kushtetuese me pretendimin se LVV-ja po bllokon formimin e institucioneve.
Dhe, skenari i tretë, sipas Cakollit është që, anëtarët e LVV-së që janë pjesë e Qeverisë në detyrë nuk japin dorëheqje. Në këtë rast, raporti për verifikimin e mandateve mund të mos votohej nga opozita, duke kontestuar vlefshmërinë e mandateve që janë në detyrë qeveritare. Pa miratimin e këtij raporti nuk do të mund të vazhdohej tutje, duke bërë që presioni të bjerë mbi anëtarët e LVV-së që janë në qeveri që të japin dorëheqje.
Qëndrimi i partive shqiptare për konstituimin e Kuvendit
LVV-ja nuk ka treguar nëse i ka votat për kryeparlamentar – 61 vota – dhe as kë do të propozojë për këtë post.
PDK-ja ka thënë se nuk do të marrë pjesë në votimin e kryeparlamentarit.
LDK-ja ka thënë se kushdo që s’i ka 61 vota, s’duhet të bëhet kryetar i Kuvendit.
AAK-ja ka thënë se “në parim” do të votojë për udhëheqësin e ri të organit legjislativ, ndërkaq Nisma Socialdemokrate ka thënë se do të shihet në seancë se si do të veprojë.
Çfarë pritet të ndodhë në seancën konstituive të Kuvendit?
Në seancën konstituive nuk do të ketë debat, por rendi i ditës do të nisë me caktimin e nga një deputeti nga subjektet politike të përfaqësuara në Kuvend për Komisionin e Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe të Mandateve.
Pas verifikimit të vlefshmërisë së mandateve të deputetëve, si dhe kuorumin në seancën konstituive, deputetët do ta bëjnë betimin solemn.
Më pas, Kuvendi do të procedojë me zgjedhjen e kryetarit të këtij legjislativi, pozitë kjo e cila i takon Lëvizjes Vetëvendosje, si parti që ka numrin më të madh të deputetëve.
Deputetët e rinj shkojnë në Kuvend
Deputetët e rinj kanë nisur të shkojnë në Kuvendin e Kosovës për seancën konstituive, që është paraparë të nisë në orën 10:00.
Por, asnjë nga ta nuk është ende në sallën plenare. Ndërkaq, drejt sallës plenare janë parë duke shtuar ambasadorët e akredituar në Kosovë.