Ndërlidhjet

Kush janë protestuesit në Iran?


Studentët iranianë përleshen me policinë gjatë protestave anti-qeveritare në Teheran më 30 dhjetor, 2017
Studentët iranianë përleshen me policinë gjatë protestave anti-qeveritare në Teheran më 30 dhjetor, 2017

Disa ditë pas shpërthimit të protestave kundër Qeverisë iraniane, është ende e vështirë të thuhet me saktësi se kush janë protestuesit dhe çfarë saktësisht ata po synojnë të arrijnë.

Protestave u mungon një zë qendror, po mbahen në vende të ndryshme e të mëdha, dhe po tërheqin një masë të gjerë të iranianëve, që e bën të vështirë karakterizimin e tyre bazuar në gjininë, grupmoshën ose klasën shoqërore.

Kjo është krejtësisht ndryshe krahasuar me protestat masive të vitit 2009, që filluan pas rizgjedhjes së diskutueshme të Mahmud Ahmadinejad. Ato protesta kanë pasur zanafillën në zemërimin ndaj asaj që është konsideruar si mashtrim zgjedhor, janë nxitur nga udhëheqësit opozitar të Lëvizjes së Gjelbërt, dhe janë përkrahur gjerësisht nga klasa e mesme e arsimuar e Tehranit.

Edhe pse janë bërë krahasime me revoltën e vitit 2009, pesë ditë të protestave të tanishme tregojnë se ato nuk janë të njëjta me njëra-tjetrën.

"Këto protesta nuk mund të cilësohen si ato të vitit 2009, të cilat regjimi kishte provuar t'i përshruante si një 'fenomen i Teheranint verior’, i aktivistëve ngatërrestarë, të kamur e të shkolluar", thotë Scott Lucas, specilaist i çështjeve të Iranit ne Universiatetin britanik të Birminghamit dhe redaktor i uebfaqes EA World Views.

“Shpërndarja e protestës thuajse në të gjitha qytetet e Iranit tregon për një dyshim të gjerë ndaj asaj se çfarë po bën regjimi për ekonominë, politikën e jashtme dhe intervenimet ushtarake, dhe për çështje politike e sociale”, shton Lucas.

Përtej demografisë

Tehrani ka tentuar që ta përshkruajë revoltën si protestë të të rinjëve. Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Hossein Zolfaghari, ka thënë se 90 për qind e protestuesve të arrestuar në mbarë vendin, kanë qenë nën moshën 25-vjeçare.

Një protestuese në Teheran
Një protestuese në Teheran

Por, edhe pse dëshmitë dhe pamjet nga protestat tregojnë se shumë nga pjesëmarrësit janë të rinj, do të ishte e thjeshtëzuar dhe e pasaktë të thuash se të rinjtë janë të vetmit që po protestojnë.

Marrë parasysh se njerëzit nën moshën 25-vjeçare kanë lindur pas Revolucionit të vitit 1979 që e themeloi Republikën Islamike, do të ishte e lehtë për Tehranin t’i përshkruajë protestat e tanishme si energji rinore, të njerëzve që janë shumë të rinj për të ditur më mirë.

Por, një protestues 25-vjeçar mund të ketë arritur moshën madhore kur regjimi kishte reaguar në mënyrë të dhunshme ndaj protestave kryesisht paqësore të vitit 2009. Shumë nga ta me siguri kanë votuar në zgjedhjet e vitit 2013, kur u zgjodh pasrendësi i Ahmadinejadit, Hassan Rohani.

I cilësuar si më i moderuar, Rohani kishte fituar duke u zotuar se do të përmirësonte marrëdhëniet me Perëndimin, do të siguronte më shumë liri për iranianët, dhe do ta ringjallte ekonominë që ishte goditur nga recensioni. Rohani fitoi sërish në vitin 2017, kryesisht edhe për shkak të suksesit për arritjen e një marrëveshjeje me fuqitë perëndimore, lidhur me programin e diskutueshëm bërthamor të Iranit.

Por, edhe pse si pjesë e marrëveshjes u sigurua heqja e sanksioneve të rënda, zhgënjimi për shkak të dështimit të Rohanit për të sjellur përfitime ekonomike është rritur.

Është e kuptueshme që niveli i lartë i papunësisë dhe gjendja e vështirë ekonomike i godet rëndë gjeneratat e reja të vendit. Më shumë se 50 për qind e popullsisë është nën moshën 30-vjeçare, dhe derisa papunësia tek të rinjë zyrtarisht është rreth 20 për qind, besohet se është në fakt rreth 40 për qind.

Por, të rinjtë nuk janë e vetmja shtresa e shoqërisë që është e pakënaqur.

“Ata njerëz që po marrin pjesë në protestë i takojnë të gjitha shtresave sociale, rajoneve dhe moshave,” thotë Raman Ghavami, një analist iranian që po i përcjell protestat.

“Të varfërit, klasa e mesme, dhe të kamurit po marrin pjesë. Edhe gratë po luajnë rol”, thotë tutje Ghavami.

Duke iu referuar disa pamjeve ku shihen forca të sigurisë që refuzojnë t’i arrestojnë protestuestit dhe po solidarozohen me ta, Ghavami thotë se “edhe disa forca të sigurisë po i refuzojnë urdhrat”.

Jo vetëm një çështje po i nxitë protestat

Nuk është vetëm një shqetësim që po i nxitë protestat.

Ato fillimisht shpërthyen në qytetin Mashhad më 28 dhjetor, ku njerëzit protestuan kundër rritjes së çmimit të ushqimeve bazike, siç janë vezët dhe mishi.

Por, derisa protestat filluan të shpërndaheshin nëpër vende të tjera, protestuesit e drejtuan zemërimin e tyre ndaj udhëheqësve politikë të Iranit, duke thirrur “vdekje Rohanit” dhe “vdekje [udhëheqësit suprem Ayatollah Ali] Khameneit”. Disa protestues madje kanë bërë thirrje për rikthim të monarkisë, që ishte rrëzuar gjatë Revolucionit Islamik të vitit 1979.

Disa protestues të tjerë kanë brohoritur slogane kundër politikave të jashtme të Iranit, përfshirë përkrahjen ndaj regjimit të presidentit sirian Bashar al-Assad, që shihet nga disa si një veprim i padobishëm dhe i kushtueshëm.

Analistët besojnë se protestat në Mashhad mund të jenë nxitur nga përçarjet e brendshme në sistemin klerik. Mashhad, që është qyteti i dytë më i madh në vend, është vendlindje e ish-kundërshtarit zgjedhor të Rohanit, klerikut konservator Ebrahim Raisi.

“Disa njerëz të linjës të ashpër i mirëpritën protestat në fillim, por ajo çfarë ata mund të kenë shpresuar se do t’i shërbente intersave të tyre afatshkurtra, duket të ketë nxitur pakënaqësi më të mëdha, që shkojnë më thellë”, thotë Naysan Rafati, një analist në International Crisis Group.

Thënë shkurt, ajo çfarë mund të ketë filluar si një tentim për të shtuar kritikat ndaj Rohanit dhe marrëveshjes së tij për armët bërthamore, ka zgjuar pakënaqësi të heshtura.

Asnjë autoritet qendror apo lëvizje prapa protestave

Për dallim prej protestave masive të vitit 2009 që janë udhëhequr nga Lëvizja e Gjelbërt opozitare - udhëheqësit e së cilës vazhdojnë të mbahen në arrest shtëpiak - nuk ka ndonjë udhëheqës apo lëvizje që qëndron prapa protestave të tanishme.

“[Protestat] duket të jenë krejtësisht spontante, dhe për aq sa kuptoj, pa ndonjë udhëheqës”, ka shkruar në Twitter Alireza Nader, një analist në Rand Corporation.

Analistët thonë se mungesa e një autoriteti qendror do ta bëjë më të vështirë për Qeverinë që t’i ndalë protestat.

“Mungesa e një udhëheqësie prapa protestave është bekim, por edhe mallkim për autoritetet iraniane: në njërën anë, Qeveria mund ta cilësojë mungesën e një organizmi të qartë si arsye për të shpresuar se ato do të ndalohen së shpejti”, thotë Rafati.

“Në anën tjetër, shkalla e gjerë e pakënaqësise, si dhe kërkesat e ndryshme të ngritura nga protestuesit, e bëjnë më të vështirë për të bërë koncesione të prekshme që do t’i adresonin kërkesat e protestuesve”.

Përgatiti: Nektar Zogjani

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG