Reuters
Rregullatori amerikan për ilaçe e ka autorizuar intervenimin në vaksinat kundër koronavirusit – që e shkakton sëmundjen COVID-19 – të krijuara nga Pfizer/BioNTech dhe Moderna, teksa bëhen përgatitjet për fushatë vaksinimi në sezonin e vjeshtës.
Vendimi për vaksinën e tretë të krijuar nga Novavax vazhdon të jetë nën shqyrtim.
Administrata amerikane për Ushqim dhe Ilaçe i ka miratuar vaksinat e reja për personat mbi moshën 12-vjeçare e më lart dhe i ka autorizuar për përdorim emergjent për fëmijët e moshave 6-11 vjeç.
Këshilluesit e Qendrave amerikane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (CDC) do të takohen të martën për t’i diskutuar rekomandimet se kush duhet t’i marrë vaksinat këtë vit.
Shefja e CDC-së, Mandy Cohen ka thënë muajin e kaluar se pret që vaksinat të jepen çdo vit, mirëpo jo të gjithë mjekët pajtohen se ato duhet marrë aq shpesh.
Situata epidemiologjike në Kosovë
Sipas të dhënave të fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, në periudhën 9 gusht – 22 gusht janë regjistruar 46 raste pozitive me COVID-19 dhe asnjë rast i vdekjes.
Mosha mesatare e të infektuarve ka qenë 43-vjeç.
Numri më i madh i të infektuarve është regjistruar në Prishtinë dhe Kamenicë.
Sipas këtij Instituti, situata epidemiologjike në Kosovë është e qetë.
Në Kosovë jepen vaksinat e prodhuara nga Pfizer dhe Astra-Zeneca.
Si ndryshojnë vaksinat e këtij viti?
Pfizer dhe BioNTech, Moderna dhe Novavax kanë krijuar versione të reja të vaksinave të tyre kundër COVID-19.
Për dallim prej dozës përforcuese të vitit të kaluar, që e ka përfshirë një sasi të dobësuar të virusit – të marrë nga varianti Omicron, që atëherë ka qenë dominues – vaksina e këtij viti e shënjestron vetëm variantin XBB.1.5, që është identifikuar më së shpeshti më 2023.
Kompanitë kanë thënë se vaksinat e modifikuara kanë treguar në testimet fillestare se ato funksionojnë kundër nënvarianteve të reja të Omicronit që tani janë duke qarkulluar, përfshirë mutacionin BA.2.86.
A duhet ta marrin vaksinën këtë vit të moshuarit, personat me imunitet të dobësuar dhe gratë shtatzëna?
Ekziston konsensus i gjerë në mesin e mjekëve që këto grupe duhet ta marrin të paktën një vaksinë në vit për t’u mbrojtur nga virusi, për shkak të rrezikut nga sëmurja e rëndë, hospitalizimi dhe vdekja.
Për shembull, Komiteti i Britanisë së Madhe për Vaksina ka thënë se vetëm personat mbi moshën 65-vjeçare dhe disa kategori tjera, udhëzohen ta marrin vaksinën sepse ato përfitojnë më së shumti prej saj.
A duhet ta marrin këtë vaksinë të rinjtë apo personat e shëndetshëm?
Shumë mjekë besojnë se vaksina duhet rekomanduar çdo vit për të gjithë, sikurse në rastin e vaksinave për influenzë – gripin sezonal.
Mjeku William Schaffner, specialist për sëmundje infektive në Universitetin Vanderbilt, ka thënë se rekomandimi i shpejtë është më i miri.
“Secili që i ka mbi gjashtë muaj duhet ta marrë vaksinën kundër gripit. Njëjtë mendoj që duhet të jetë edhe për vaksinën kundër COVID-it”, ka thënë Schaffner.
Mjeku David Boulware, specialist në Universitetin e Minesotas, ka thënë se të rinjve dhe personave të shëndetshëm do t’ua rekomandonte marrjen e vaksinave.
Sipas një hulumtimi që e ka publikuar, personat që i kanë marrë dozat përforcuese kanë pasur simptoma më të lehta dhe më të shkurtra kur janë prekur nga sëmundja.
Mjeku Paul Offit, ekspert për sëmundje infektive në Universitetin e Pensilavanisë dhe anëtar i panelit këshillues për vaksina në Administratën amerikane për Ushqim dhe Ilaçe, ka thënë se beson që vaksinat duhet t’i marrin në baza vjetore vetëm grupet e rrezikuara.
Ai ka thënë se disa studime kanë treguar që dozat përforcuese nuk kanë mbrojtur te grupet që rrezikohen më pak.
A duhet të vaksinohen personat që vuajnë më gjatë nga COVID-i?
Disa të dhëna sugjerojnë se vaksinimi pas infektimit mund të kontribuojë në zbutje të simptomave që te dikush mund të zgjasin.
Megjithatë, mjekët besojnë se rikthimi i virusit mund t’i përkeqësojë simptomat e herës së parë, prandaj vaksinimi mund të ndihmojë në lehtësim të këtij procesi.
A duhet ta marrin fëmijët vaksinën kundër COVID-it këtë vit?
Mendimet janë të ndryshme.
Epidemiologu i Universitetit të Minestotas, Michael Osterholm, ka thënë se fëmijët përbëjnë përqindje të lartë të vdekjeve dhe hospitalizimeve në mesin e personave të infektuar së fundi me COVID.
Ndonëse shkalla e hospitalizimeve është kryesisht e ulët, në muajin e kaluar të rinjtë e moshave 17-vjeçare e më pak kanë përbërë 5-6 për qind të personave të hospitalizuar me COVID-19, në krahasim me rreth 4 për qind në dy vjetët e kaluar, sipas të dhënave të CDC-së.
“Nëse prindërit dëshirojnë t’i vaksinojnë fëmijët e tyre, ata duhet të lejohen”, ka thënë Osterholm.
Boulware ka thënë se beson që fëmijët nuk kanë nevojë për doza përforcuese, përveç nëse jetojnë me dikë që ka probleme serioze shëndetësore.
Akademia amerikane e Pediatërve ka thënë se do t’i bëjë rekomandimet e veta për fëmijët dhe COVID-in në takimin e radhës së komitetit të CDC-së.