Ndërlidhjet

Kurti: Propozimi evropian nuk është produkt i negocimit


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një seance të Kuvendit të Kosovës. Fotografi ilustruese nga arkivi.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një seance të Kuvendit të Kosovës. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se propozimi evropian nuk është produkt i negocimit, meqenëse sipas tij më 18 gusht të vitit të kaluar është hapur tema për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes, por pa pasur takime për atë temë, "ku pala tjetër nuk ka qenë e interesuar e as e gatshme për këtë, dhe tri javë pas atij takimi vjen propozimi”.

Ai i bëri këto deklarata më 23 shkurt në Kuvendin e Kosovës, kur u pyet për temat që pritet të diskutohen në takimin e së hënës me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Pra, nuk është se ne kemi negociuar dhe është sjellë propozimi. Propozimi shumë më shumë ka të bëjë me historinë prej më shumë se një dekade të dialogut të Brukselit. Pra, propozimi nuk është as produkt i përfshirjes së kërkesave negociuese të palëve”, tha ai.

Sipas tij, aleatët e Kosovës e kanë dizajnuar propozimin evropian si një pako që do të avancojë anëtarësimin e Kosovës në sistemin ndërkombëtar, "dhe i cili përmban njohjen de-facto, e gjithë kjo bazuar në Kartën e Kombeve të Bashkuara, e cila përbën një kushtetutë të sistemit ndërkombëtarë pas Luftës së Dytë Botërore për marrëdhëniet mes shteteve të pavarura".

Bashkimi Evropian ka thënë se temë e diskutimit në takimin e nivelit të lartë Kurti-Vuçiq do të jetë propozimi evropian për normalizimin e plotë të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Propozimi evropian u është dorëzuar palëve në shtator të vitit të kaluar, të cilat e kanë konfirmuar se e pranojnë këtë dokument, por ai nuk është bërë publik.

Megjithatë, në një draft që e ka parë Radio Evropa e Lirë, aty nuk përmendet në mënyrë specifike njohja, por parashihen të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektimi i integritetit territorial, paprekshmëria e kufijve, njohja e simboleve shtetërore dhe një aranzhim i veçantë për komunitetin serb në Kosovë.

Kurti dhe Vuçiq nuk kanë zhvilluar takim në kuadër të dialogut të Brukselit që nga nëntori i vitit 2022.

Kosova dhe Serbia i kanë nisur negociatat e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian më 2011.

Palët kanë synime të ndryshme sa i përket marrëveshjes finale, që synohet të arrihet në këtë proces. Kosova insiston në njohje reciproke, ndërkaq Serbia kërkon një zgjidhje kompromisi, pa specifikuar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG