Autoritetet e Kosovës nuk do të pranojnë rikthimin në qarkullim të targave KS për veturat brenda territorit të Kosovës, si dhe do të zbatojnë masa reciproke për qytetarët e Serbisë sa i përket dokumentit për hyrje/dalje.
Kështu deklaroi kryeministri Albin Kurti, të mërkurën gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës.
- Në kërkim të kompromisit Kosovë - Serbi deri më 1 shtator
- Qeveria e Kosovës për takimet në Bruksel: Dy tema ishin në agjendë
- Borrell: S'ka marrëveshje, negociatat do të vazhdojnë
Kurti tha se në takimin e 18 gushtit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel, u diskutua për menaxhimin e krizës në veri të vendit, përkatësisht zbatimin e vendimeve për dokumentet për hyrje-dalje për shtetasit serbë dhe riregjistrimin e veturave me targa të përkohshme që lëshohen nga Serbia.
"Në Bruksel, nuk kemi pasur angazhim konstruktiv e as propozime konkrete nga pala serbe", deklaroi Kurti, duke shtuar se katër propozime konkrete lidhur me këtë çështje ishin dhënë nga Mirosllav Lajçak, përfaqësues i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Prishtinë - Beograd.
Ai i quajti gënjeshtra deklaratat se pala serbe është treguar konstruktive në takimin që e patën liderët e dy vendeve më 18 gusht në Bruksel.
Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, më 23 gusht e quajti të përgatitur palën serbe për paraqitjen e saj në rundin e fundit të dialogut Kosovë-Serbi. Ndërkaq, palët e tjera, siç tha ai, nuk ishin të përgatitura “që të flasin për specifika”.
“Ne ishim të hapur për diskutime në këtë drejtim, mirëpo, nga ndërtesa ka dalë pala tjetër”, deklaroi Kurti.
Pala serbe pretendon se ka këmbëngulur që qytetarët nga veriu i Kosovës të përjashtohen nga vendimi për lëshimin e dokumentit për hyrje/dalje, dhe që automjetet e tyre me targa KM, PR, etj., t’i riregjistrojnë me shkronja neutrale ndaj statusit të Kosovës - KS, e jo RKS.
Kurti të mërkurën përsëriti se për Kosovën opsioni më i pranuar do të ishte eliminimi i plotë nga të dyja vendet i dokumenteve për hyrje/dalje për qytetarët e të dyja shteteve.
"Derisa do të ketë në një anë, duhet të ketë edhe në anën tjetër", tha ai.
Sa i përket riregjistrimit të veturave, Kurti tha se targat KS nuk mund të rikthehen më në qarkullim, ashtu siç kërkon Serbia për ato vetura që kanë targat e Serbisë me akronimet e qyteteve në Kosovë.
Në konferencën për media pas mbledhjes së Qeverisë, Kurti tha se “dialogu asimetrik ku Kosova është më shumë temë se sa palë, nuk ngjan më në Bruksel”.
“Opsionet ku Kosova duhet të prodhojë targa neutrale për veten nuk vijnë në konsiderim, me mua si kryeministër, me këtë udhëheqje demokratike”.
I pyetur se çfarë pritet të ndodhë më 1 shtator, Kurti u shpreh i vendosur se do të fillojë zbatimi i vendimit për dokumentet për hyrje-dalje, sipas parimit të reciprocitetit.
“Ose nuk do të ketë fare dokument të tillë në asnjërën anë, ose do të ketë në të dyjat”, tha ai.
Kurti insistoi se 1 shtatori do të jetë ditë normale. I pyetur lidhur me barrikadat e mundshme që mund të ngriten atje, ai tha se kjo është çështje e organeve të rendit.
“Ne do të bëjmë çmos me partnerët ndërkombëtarë, me KFOR-in e organet e sigurisë që të mos vijnë në shprehje barrikadat. Unë s'e bëj dot policin, as prokurorin - kur bën shkelje ligji ka organe shtetërore për këtë gjë”, tha Kurti.
Serbia po e cenon sigurinë nacionale të Kosovës
Kurti u shpreh i bindur që pala serbe, "panevojshëm dhe krejt artificialisht" është duke eskaluar, si retorikën, ashtu edhe veprimet në fushën e sigurisë.
Ai tha se qytetarët, të cilët i mbështesin “vendimet legjitime të Republikës së Kosovës, po kërcënohen vazhdimisht”.
“Si e tillë, kjo përbën cenim të drejtpërdrejtë, si të sigurisë nacionale, ashtu edhe të rajonit në tërësi. Mendoj se këto kërcënime synojnë që padrejtësisht të krijojnë epërsinë në negociata, duke kërcënuar Bashkimin Evropian, por edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo Mbretërinë e Bashkuar, me tensione në të ardhmen”, theksoi Kurti.
"Nuk do të ketë pogrom të serbëve"
Duke iu referuar deklaratës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se Serbia nuk do të lejojë pogromin (pogrom-ndjekje dhe vrasje në masë, që organizohet nga shtetet reaksionare kundër pakicave kombëtare ose njerëzve përparimtarë) e serbëve nga Kosova, dhe se Serbia ka informata që po përgaditet likuidimi i disa personave në veri, Kurti gjatë konferencës për media pas takimit të Qeverisë tha:
"Asnjë pogrom nuk do të ndodhë. Unë ju garantoj këtë. Vetëm kushtetutshmëria dhe ligjshmëria e Republikës së Kosovës në të gjithë territorin. Të gjitha ato deklarata për përdorimin e forcës, për pogrom, për likuidimin e serbëve, janë përpjekje për të sunduar mbi serbët e Kosovës përmes frikës. Por, serbët në Kosovë janë më mirë në Kosovë se në Serbi. Kosova është shtet demokratik, ndërsa Serbia është një autokraci ku nuk ka liri mediatike", foli Kurti në gjuhën serbe.
Kërcënimet me largimin eventual të qytetarëve të minoritetit serb nga institucionet e Kosovës, sipas Kurtit, përbëjnë "dominim të narrativës së kriminelëve si Milan Radoiçiqi, e jo të atyre që integrimin e shohin si opsionin primar".
“Unë besoj fuqishëm që përfaqësuesit e qytetarëve serbë më së paku do të duhej të përfaqësojnë dhe të shtyjnë përpara narrativa të individëve që kanë promovuar dhe vazhdojnë të promovojnë krimin e organizuar, dhe që kanë arritur deri në listën e zezë të SHBA-së”, deklaroi Kurti.
Milan Radoiçiq, është nënkryetari i partisë kryesore serbe në Kosovë - Listës Serbe. Ai kërkohet nga autoritetet kosovare për shkak të përfshirjes së tij në rastin “Brezovica”, në të cilin dyshohet se ka “frikësuar dëshmitarët gjatë procedurës penale”. Po ashtu është në listën e zezë amerikane për shkak të përfshirjes së tij në krimin e organizuar ndërkombëtar.
“Diskutim për marrëveshje të përgjithshme e jo menaxhim krize me hapa të vegjël”
Sipas Kurtit, në takimin e Brukselit, sipas agjendës së dakorduar më herët, ka qenë e paraparë që të diskutohet korniza e një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë si dhe çështjet aktuale.
Për pikën e parë, Kurti tha se kanë dërguar propozim me gjashtë kapituj për mënyrën se si pala kosovare mendon se duhet të duket marrëveshja e përgjithshme për normalizim të marrëdhënieve.
Në këto pika, sipas Kurtit, kërkohet dakordimi për njohje reciproke, ballafaqim me të kaluarën, bashkëpunimin e mëtutjeshëm mes dy shteteve, trajtimin e pakicave etnike përkatëse në dy shtetet, etj.
Gjashtë kapitujt për marrëveshjen e përgjithshme me Serbinë, sipas Kosovës
Kapitulli i parë: Definimi qartë i statusit të marrëdhënieve bilaterale ndërmjet dy vendeve dhe kontekstin ndërkombëtar. Kjo nënkupton, në njërën anë njohjen reciproke dhe në anën tjetër, rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit të plotë në organizata ndërkombëtare.
Kapitulli i dytë: Trajtimi i ballafaqimit me të kaluarën. Ta adresojmë të kaluarën ku hyjnë personat e zhdukur me dhunë, viktimat e dhunës seksuale (gjatë luftës), personat e zhvendosur, drejtësia tranzicionale, dëmet materiale dhe jomateriale të luftës, kthimi i dokumentacioneve publike por edhe i artefakteve arkeologjike dhe etnologjike.
Kapitulli i tretë: Vendosja e bashkëpunimit që si pikënisje duhet të ketë katër liritë e dala nga Procesi i Berlinit, përkatësisht liria e kapitalit, njerëzve, mallrave dhe shërbimeve.
Kapitulli i katërt: Trajtimi i të drejtave të pakicave respektive, përfshirë edhe garancitë përkatëse, si për serbët në Kosovë, ashtu edhe për shqiptarët në Serbi.
Kapitulli i pestë: Rikonsiderimi i marrëveshjeve të deritashme, por jo me idenë e rinegocimit të tyre. Të bëhet shqyrtimi i asaj se cilat prej këtyre marrëveshjeve janë tejkaluar nga pranimi e nënshkrimi i marrëveshjes ligjërisht të obligueshme dhe finale dhe cilat marrëveshje duhet të vazhdojnë të zbatohen.
Kapitulli i gjashtë: Vendosja e mekanizmave të qartë për zbatimin e marrëveshjes dhe zgjidhjes së mosmarrëveshjeve eventuale gjatë zbatimit.
Ai ka përmendur, gjithashtu, kapitullin ku parashihet rikonsiderimi i marrëveshjeve të deritashme të arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Sipas tij, kjo nuk do të thotë rinegocim i tyre, por të shikohet se cilat prej këtyre marrëveshjeve tashmë “janë tejkaluar dhe cilat duhet të vazhdojnë të zbatohen”.
Kurti ka thënë se në tavolinë për diskutim gjatë 18 gushtit ka qenë edhe tema konkrete lidhur me të zhdukurit me dhunë gjatë luftës në Kosovë, për të cilën, sipas tij, nuk ka pasur gatishmëri nga pala serbe.
Kurti ka ritheksuar se ishte i interesuar ta orientonte diskutimin kah marrëveshja e përgjithshme pasi ky “ishte takim ndërmjet liderësh”.
Kryeministri, po ashtu, e ka komentuar faktin se i dërguari i SHBA-së për dialogun Kosovë- Serbi, Gabriel Escobar, ka takuar dhe planifikon të takojë pjesëtarë të opozitës.
“Gabriel Escobarin e kishte marrë malli për opozitën, edhe mua më ka marrë malli për opozitën. Asnjëherë nuk ka ndodhur që për raportin tonë me Serbinë të ketë dakordim më të madh mes qeverisë dhe opozitës sikur në këtë vit dhe vitin e kaluar”, tha ai.
Mirosllav Lajçak, si dhe i dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor të SHBA-së, Gabriel Escobar, kanë planifikuar takime me liderë politikë në Kosovë dhe Serbi më 23, 24 dhe 25 gusht.
Qëllimi i këtyre takimeve është diskutimi për arritjen e një marrëveshjeje të mundshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përpara 1 shtatorit.
Në këtë datë parashihet të vazhdojë zbatimi i vendimeve të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e automjeteve me targa serbe në RKS - Republika e Kosovës - dhe lëshimin e dokumenteve hyrëse/dalëse për shtetasit serbë.
Autoritetet e Kosovës i kanë quajtur këto vendime legale dhe masa reciproke ndaj Serbisë, si dhe kishin bërë përpjekje t’i zbatojnë që nga 1 gushti.
Si shenjë pakënaqësie ndaj këtyre vendimeve, disa serbë në pjesën veriore kanë ngritur barrikada në rrugët drejt pikave kufitare Kosovë-Serbi. Si rrjedhojë, Qeveria e Kosovës ka vendosur të shtyjë zbatimin e vendimeve të saj për 30 ditë.
Facebook Forum