Ndërlidhjet

Familja mbretërore midis lojërave politike në Mal të Zi


Ish-pallati veror i mbretit Aleksandar - i njohur si Villa Milloçer - ndodhet afër Budvës.
Ish-pallati veror i mbretit Aleksandar - i njohur si Villa Milloçer - ndodhet afër Budvës.

Marko Careviq, kryetar i Budvës - qytetit magnet për turizmin në Mal të Zi - ka thënë se Podgorica duhet të kthejë një pjesë të pronave luksoze te ish-familja mbretërore e Serbisë.

Careviq është një biznesmen kontrovers, i cili ka ndihmuar udhëheqjen e disa protestave pro-serbe në Mal të Zi, vitin e kaluar.

Ai ka thënë se kthimi i pronave te anëtarët e mbijetuar të familjes Karagjorgjeviq do të ndihmonte në krijimin e një vije më të trashë midis aleatëve të koalicionit aktual qeverisës në Mal të Zi dhe Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), e cila, në zgjedhjet e vitit të kaluar, ka dalë në opozitë.

Careviq po ashtu ka thënë se dështimi për të kthyer pronën te familja mbretërore paraqet braktisje të “vullnetit të mirë dhe logjikës”.

“Unë nuk vendos”, ka thënë Careviq për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë. “Por, nëse ma kërkojnë, unë e deklaroj publikisht qëndrimin tim, sepse unë kam ardhur t‘i ndryshoj gjërat për të mirë”, ka thënë ai.

Deklaratat e tij janë kritikuar nga partnerët e vegjël të koalicionit qeverisës, të udhëhequr nga partia pro-serbe, Fronti Demokratik.

Kryetari i Budvës, Marko Careviq.
Kryetari i Budvës, Marko Careviq.

Familja Karagjorgjeviq është një temë polarizuese, për shkak të rolit të saj në margjinalizimin e familjes mbretërore malazeze në fillim të shekullit të kaluar, si dhe në drejtimin e një Jugosllavie të dominuar kryesisht nga serbët.

Mali i Zi i ka dhënë fund federatës së përbashkët me Serbinë në vitin 2006, kur ka shpallur pavarësinë.

Careviq ka aleancë me Frontin Demokratik, i cili është subjekti më i madh i shumicës parlamentare. Fronti Demokratik ka fituar pushtetin në zgjedhjet e gushtit të vitit të kaluar dhe ka formuar Qeverinë së bashku me Demokratët dhe Lëvizjen Qytetare URA.

Në ato zgjedhje, Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) ka humbur pushtetin pas tri dekadash. DPS ka pasur një qëndrim negativ ndaj kërkesave të familjes Karagjorgjeviq për kthimin e pronave nga Mali i Zi.

Bixhozi i Careviqit tani duket se ka për qëllim të tërheqë vëmendje kombëtare, pasi aleatët e Frontit të tij Demokratik luftojnë për të ruajtur pushtetin.

“Fronti Demokratik i vetëm nuk mund të fitojë shumicën në Mal të Zi, por [Careviq] mund të jetë kandidat i tij i parë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe ndoshta zgjedhjet presidenciale”, thotë për Radion Evropa e Lirë Lubomir Filipoviq, komentator lokal dhe ish-kryetar i përkohshëm i Budvës.

“Ai ka një prani të fuqishme, jo vetëm në nivel lokal, por edhe kombëtar”.

“Ai po ndërton, le të themi, portofolin e botës serbe”, thotë Filipoviq.

Familja mbretërore

Dinastia Karagjorgjeviq është themeluar nga revolucionari serb, Gjorgje (Karagjorgje) Petroviq, gjatë një kryengritjeje të madhe anti-otomane, në fillim të viteve 1800.

Pas një shekulli të trazuar, në vitin 1903, Peter I Karagjorgjeviq është bërë mbret i Serbisë.

Më vonë, nën rrethana të diskutueshme që kanë lënë mënjanë Mbretërinë malazeze gjatë Luftës së Parë Botërore, Peter I ka marrë udhëheqjen e një mbretërie të përbashkët, që do të bëhej Jugosllavi.

Lidhjet e thella kulturore, gjuhësore dhe fetare të malazezëve krijojnë një marrëdhënie të veçantë me Serbinë - popullsia e së cilës është më shumë se dhjetë herë më e madhe se e Malit të Zi.

Princi i Kurorës i Serbisë, Aleksandar Karagjorgjeviq.
Princi i Kurorës i Serbisë, Aleksandar Karagjorgjeviq.

Në kontekstin post-jugosllav, shumë njerëz e konsiderojnë familjen Karagjorgjeviq si simbol të historisë së përbashkët serbo-malazeze.

Këtë muaj, pasardhësit e fundit të mbretit serb dhe jugosllav kanë thënë se shpresojnë se Qeveria malazeze do t’ua kthejë pronat luksoze - me vlerë miliona dollarë - të cilat i kanë kaluar shtetit pas marrjes së kontrollit nga komunistët, më 1946.

Pronat përfshijnë pesë hektarë tokë përreth një ish-rezidence mbretërore, të quajtur Kalaja e Leskovacit, dhe shtëpinë ku ka lindur mbreti Aleksandar, në ish-kryeqytetin mbretëror të Malit të Zi, Cetinë.

Ato gjithashtu përfshijnë ish-pallatin veror të mbretit Aleksandar, të njohur si Villa Milloçer, e që ndodhet pak jashtë Budvës.

“Nëse dikush dëshiron t’ua kthejë pronën Karagjorgjeviqëve, ai me siguri po deklaron se malazezët janë serbë dhe se vendi i tyre është me Serbinë”, thotë Patrick Moore, analist i Radios Evropa e Lirë për Ballkanin nga viti 1977 deri më 2008.

“Kjo është qartë një shuplakë ndaj ideologjisë së Gjukanoviqit dhe të tjerëve që favorizojnë pavarësinë e Malit të Zi dhe identitetin e veçantë”, thotë Moore.

Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, dhe atoritetet që janë drejtuar për 30 vjet nga partia e tij DPS, i kanë refuzuar vazhdimisht pretendimet pronësore të familjes Karagjorgjeviq.

Familja mbretërore është përfaqësuar dikur nga firma ligjore e Ana Kollareviqit, e cila është motra e Gjukanoviqit. Firma i ka thënë Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë javën e kaluar se nuk punon më për familjen.

Princi i Kurorës i Serbisë, Aleksandar Karagjorgjeviq, i ka thënë REL-it se “këtu nuk bëhet fjalë për pronë të familjes mbretërore, por për çështje të pronës private”.

Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq.
Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq.

Aktivisti dhe komentatori Filipoviq thotë se qasja e Careviqit duket se është përpjekje për të tronditur peizazhin politik, ku loja me kartën serbe bart më pak rrezik sesa në vitet e mëparshme.

“Tani për tani, në koalicionin tonë në nivel kombëtar dhe në nivel lokal, ata po luajnë lojën: Kush është një serb më i madh? Kush është më besnik ndaj interesit serb?”, thotë Filipoviq.

Shumë njerëz i konsiderojnë Karagjorgjeviqët si çlirimtarë që kanë bashkuar me të drejtë serbët dhe malazezët, një shekull më parë.

Të tjerët e lartësojnë dinastinë Petroviq-Njegosh, që ka qeverisur Malin e Zi për më shumë se dy shekuj para Luftës së Parë Botërore, si një alternativë që ka nxjerrë në pah identitetet e ndara historike të vendeve.

“Unë jam gjithmonë mbështetës i marrëdhënieve vëllazërore, por nëse duhet të zgjedh midis Petroviqit dhe Karagjorgjeviqit, unë zgjedh Petroviqin çdo herë”, ka thënë kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Alleksa Beçiq, duke i komentuar deklaratat e Careviqit.

Postet lokale dhe kombëtare

Kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, është një ish-profesor i pavarur. Koalicioni i tij qeveritar ka fituar miratimin e Parlamentit, dhjetorin e kaluar, me një diferencë prej vetëm një ulëseje.

Careviq është një biznesmen milioner dhe kryetar i një klubi futbolli. Partia e tij, Demokracia e Re Serbe është pjesë e Frontit Demokratik - aleancës më të fortë brenda koalicionit qeverisës, që ka program pro-serb.

Careviq është akuzuar për ndërtimin e një pjese të perandorisë së tij bujqësore në tokën e shtetit dhe për përfitime nga kontratat e Qeverisë lokale.

Në muajin prill, ai ka sinjalizuar se mund të kandidojë për president të Malit të Zi në vitin 2023, kur presidenti aktual, Gjukanoviq, pritet të garojë për rizgjedhje.

Por, Careviq ka çështje lokale për të ndjekur, nëse shpreson të organizojë një fushatë të efektshme kombëtare.

Ai është bërë kryebashkiak për dy vjet, me një marrëveshje për ndarjen e pushtetit, pasi partia e tij Demokracia e Re Serbe dhe aleatët e saj të Frontit Demokratik kanë mundur partinë DPS të Gjukanoviqit në zgjedhjet lokale të vitit 2016.

Por, më 2 korrik, deputetët kanë refuzuar raportin vjetor të Careviqit në Kuvendin Komunal të Budvës, gjë që ka çuar në shpërthimin e koalicionit lokal midis aleancës së tij me Frontin Demokratik dhe partnerit tjetër, Demokratëve. Kjo tani ka vënë në dyshim udhëheqjen lokale të Careviqit.

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG