Qëndrimi “refuzues” dhe “i ngurtë” i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ndaj çështjes së targave, e nxjerr Kosovën në anën e kundërt të politikave që ndjekin partnerët ndërkombëtarë, thonë përfaqësues të opozitës në Kosovë dhe njohës të proceseve politike.
Sipas tyre, Kurti duhet t’i shqyrtojë dhe pranojë propozimet dhe kërkesat e partnerëve ndërkombëtarë, që kanë ndihmuar në konsolidimin e shtetit të Kosovës.
Ai “nuk mund të fitojë politikisht” nëse kundërshtarë ka Shtetet e Bashkuara dhe BE-në, thotë analisti politik, Artan Muhaxhiri.
Sipas tij, refuzimi mund të kthehet në “bumerang të keq” për vetë Kosovën.
Kurti nisi më 1 nëntor zbatimin e planit të tij për riregjistrimin e makinave me targa që i lëshon Serbia në veri të Kosovës, përkundër thirrjeve të SHBA-së dhe BE-së për ta shtyrë këtë proces.
Serbët në veri, që kontrollohen në masë të madhe nga Beogradi zyrtar, i kundërshtojnë targat që i lëshon Kosova, RKS, dhe paralajmërojnë rezistencë ndaj tyre.
Kjo çështje i ka sjellë palët pranë konfliktit edhe në të kaluarën.
Me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje të pranueshme, Kurti u takua më 21 nëntor në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, por pa sukses.
Për dështimin e takimit, kryediplomati i BE-së, Josep Borrell, hodhi përgjegjësinë te pala kosovare.
Pas kërkesës së ambasadorit amerikan në Prishtinë, pastaj, Kurti shtyu një fazë të planit të tij për riregjistrimin e makinave, për t’u dhënë, siç u tha, edhe një shans përpjekjeve për gjetjen e një zgjidhjeje.
Afati i shtyrjes së gjobave për shoferët që vozisin makina me targa serbe, skadon më 24 nëntor.
“Show politik” për targat dhe “menaxhim i keq”
Xhavit Haliti, deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e subjektit opozitar, Partisë Demokratike të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se Qeveria e Kosovës duhet t’i respektojë propozimet, por edhe kërkesat e partnerëve perëndimorë lidhur me çështjen e targave.
“Çështja me targat, për mua është një ‘show’ [shfaqje] i panevojshëm. Është një ‘show’, ku realisht ka përfituar Vuçiq. Ai po e fut politikën kosovare në përplasje të panevojshme, për t’i thënë pastaj BE-së: ‘ja kush janë këta dhe nuk merret vesh askush me ta’. Në planin ndërkombëtar, Kosova ka humbur më shumë dhe pastaj edhe kryeministri [Kurti]”.
“Para se të vendosim që t’iu themi ‘jo’ të gjithë aleatëve tanë, ne duhet të shohim se a kemi fuqi të përballemi me të gjitha. Ku do të shkojmë ne vetëm?”, pyet Haliti.
Nga Lidhja Demokratike e Kosovës në opozitë, Avdullah Hoti thotë se Kosova duhet të vendosë ligjshmërinë në gjithë territorin e vendit dhe se partnerët e saj perëndimorë pajtohen me këtë.
Por, siç shton ai, Qeveria e Kosovës duhet të koordinohet me këta partnerë për çështjen e targave.
“Aleatët po kërkojnë koordinim në veprime, për shkak të situatës komplekse në veri të Kosovës, e cila është rezultat i instrumentalizimit të komunitetit serb në ato komuna [me shumicë serbe] nga ana e Beogradit, për të mbajtur gjendjen e tensionuar”.
“Kosova ka arritur rezultate në fuqizimin e shtetësisë vetëm kur është koordinuar dhe kur ka siguruar mbështetjen e aleatëve. Nuk duhet ta testojmë se deri ku shkon mbështetja e aleatëve, sepse tregohet mosmirënjohje ndaj tyre dhe kjo nuk na shpie askund”, thotë Hoti për Radion Evropa e Lirë.
Video: Çfarë mendojnë qytetarët në veri për situatën e krijuar rreth targave
Për Pal Lekajn, nga partia tjetër opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, qëndrimi i Kurtit është “kokëfortësi” dhe “inat politik”.
“Mendoj që është një menaxhim i keq i zotit Kurti. Ai është larguar larg nga ata që ne i kemi quajtur miq ndërkombëtarë dhe me të cilët, së bashku, i kemi ndërtuar institucionet, por edhe së bashku e kemi bërë edhe luftën”.
“Nga kjo, ne po shohim që Kosova është kthyer në një pikë kritike, e sidomos veriu i Kosovës. E gjithë kjo na largon nga dialogu dhe marrëveshja për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thotë Lekaj.
Në takimin e 21 nëntorit, Kurti tha se propozimi i Borrellit, si ndërmjetësues i bisedimeve, që Kosova të shtyjë shqiptimin e gjobave për shoferët që vozisin makina me targa serbe, “është i papranueshëm” nëse nuk shoqërohet me angazhimin për normalizimin e plotë të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.
Kurti tha se Borrell ka hequr dorë nga “afati i marsit 2023”, për të finalizuar normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Ai iu referua një plani të përfolur franko-gjerman për këtë çështje, megjithëse pretendimet e tij u hodhën poshtë nga zyrtarët e BE-së.
Vuçiq, në anën tjetër, tha se Serbia e pranon propozimin e Borrellit që të mos lëshojë targa të reja për serbët në veri.
Serbia, po ashtu, i kundërshton targat RKS, apo Republika e Kosovës, duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.
Muhaxhiri: Kosova në pozicionin e humbësit politik
Njohësi i proceseve politike, Artan Muhaxhiri, profesor i sociologjisë në Universitetin e Prishtinës, thotë se çështja e targave është shndërruar në një problem shumë të madh, sepse, sipas tij, nuk ka pasur vullnet për fleksibilitet dhe kreativitet politik të palëve.
Ai thotë se në proceset ku bëhet fjalë për marrëveshje delikate ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, më të rëndësishme janë “raportet e pushteteve”.
“Dihet pushteti i Kosovës në raport me pushtetin e BE-së, të SHBA-së dhe faktorëve tjerë relevantë. Është krejtësisht e pakuptimtë se ku e ka marrë guximin kryeministri Kurti që të tentojë t’ua imponojë temën e planit franko-gjerman në atë mënyrë, kur dihet se me gradualitet milimetrik shkohet në raste të tilla”.
“Balancimet, harmonizimet duhet të jenë maksimale dhe shumëdimensionale, në mënyrë që të ketë avancime për çështje fundamentale”, thotë Muhaxhiri për Radion Evropa e Lirë.
Ai shton se mosharmonizimi i vendimeve të Qeverisë së Kosovës me qëndrimet e SHBA-së dhe BE-së “lidhur me planin afatgjatë për çështjen e targave’, mund të kthehet në “bumerang të keq” për vetë Kosovën.
“Fatkeqësia më e madhe politike në këtë rast është se për herë të parë, pas 30 vjetësh, në njërin pol gjenden Shtetet e Bashkuara të Amerikës, BE-ja dhe Serbia, kurse në polin tjetër, si kundërshtare e tyre, gjendet Kosova”.
“Pra, është krejtësisht e pafalshme që [Kurti] e ka sjellë veten në këtë pozicion humbës politikisht, sepse është absolutisht krejt e qartë se nuk mund të fitojë politikisht, nëse si kundërshtarë politikë i ka Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE-në”, thotë Muhaxhiri.
Në njoftimin për shtyrjen e shqiptimit të gjobave për targa ilegale deri më 24 nëntor, Kurti tha se “është i lumtur të punojë me SHBA-në dhe BE-në për të gjetur një zgjidhje”.
Për këtë qëllim, të mërkurën në Bruksel u ftuan edhe kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.
Përveç BE-së e SHBA-së, shqetësim për përshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës shprehen edhe Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe NATO-ja.