Ndërlidhjet

Kroatët zgjedhin presidentin mes një populisti dhe një shkencëtari


Dy kandidatët për postin e presidentit të Kroacisë, Zoran Millanoviq dhe Dragan Primorac.
Dy kandidatët për postin e presidentit të Kroacisë, Zoran Millanoviq dhe Dragan Primorac.

AFP

Dy kandidatët që do të përballen në rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Kroaci, më 12 janar, vështirë se do të mund të ishin më të ndryshëm.

Njëri është ish-boksier amator dhe veteran politik, mesazhet populiste të të cilit kanë fituar mbështetje, ndërsa tjetri është akademik dhe shkencëtar, i cili ka luftuar për të lënë gjurmë.

Kush është Zoran Millanoviq?

Zoran Millanoviq gjatë debatit televiziv para rundit të balotazhit. 7 janar 2025.
Zoran Millanoviq gjatë debatit televiziv para rundit të balotazhit. 7 janar 2025.

I parë shpesh si gjaknxehtë dhe arrogant, Zoran Millanoviq fitoi 49 për qind të votave në rundin e parë para dy javësh.

Kjo fitore e bëri presidentin e deritashëm një kandidat të rëndësishëm për mandatin e dytë pesëvjeçar.

Viteve të fundit, ai ka përdorur gjithnjë e më shumë retorikë populiste dhe shpesh fyese për të kritikuar Bashkimin Evropian dhe zyrtarët lokalë.

I diplomuar në Drejtësi, ai ka qenë një nga figurat më dominuese në politikën e Kroacisë për gati dy dekada.

Si diplomat karriere në Ministrinë e Jashtme gjatë luftës së Kroacisë për pavarësi në vitet 1990, ai më vonë ka shërbyer edhe në misionin e Zagrebit në BE dhe në NATO, në Bruksel.

Ai ka hyrë në politikë në vitin 1999, duke iu bashkuar Partisë Social-Demokrate (SDP) - dikur parti komuniste - dhe është bërë lider në vitin 2007.

Millanoviq ka shërbyer si kryeministër nga viti 2011 deri më 2016.

Por qeveria e tij, e cila ka mbikëqyrur anëtarësimin e Kroacisë në BE në vitin 2013, ka dështuar t’i zbatojë reformat shumë të nevojshme, duke shkaktuar ngecje ekonomike.

Pas humbjes së SDP-së në zgjedhje, Millanoviq është larguar nga udhëheqja e saj në vitin 2016 dhe është tërhequr nga politika për të punuar si konsulent.

Tre vjet më vonë, ai është rikthyer si kandidat i kësaj partie për president.

Gjatë fushatës presidenciale, Millanoviq, 58 vjeç, i cili ka luajtur boks në të 20-at e tij, ka arritur ta mbajë kryesisht nën kontroll temperamentin e tij shpërthyes.

Ai është zotuar se do të jetë një mburojë kundër dominimit të plotë të partisë konservatore, HDZ, e cila udhëhiqet nga rivali i tij prej kohësh, kryeministri Andrej Pllenkoviq.

Kjo parti ka qenë në pushtet që nga viti 2016.

“Kroacia nuk do të jetë një vend, në të cilin një njeri vendos për gjithçka”, ka shkruar ai në Facebook, duke iu referuar Pllenkoviqit.

Millanoviq është i martuar dhe ka dy djem.

Kush është Dragan Primorac?

Dragan Primorac gjatë debatit televiziv me Millanoviqin, para rundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale.
Dragan Primorac gjatë debatit televiziv me Millanoviqin, para rundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale.

Mjeku dhe shkencëtari Dragan Primorac ka hyrë në politikë në fillim të viteve 2000, kur ka qenë ministër i Shkencës dhe Arsimit në Qeverinë e udhëhequr atëkohë nga HDZ-ja.

Ai i është bashkuar kësaj partie në vitin 2007.

Pediatër dhe ekspert në gjenetikë dhe mjekësi ligjore, Primorac ka ndihmuar në identifikimin e viktimave të kohës së luftës, eshtrat e të cilave janë gjetur në varre masive në vitet 1990.

Primorac ka garuar për president edhe në vitin 2009, por pa sukses.

Gjatë kohës sa ka qenë jashtë skenës politike, ai ka ndjekur kryesisht ngjarje akademike dhe ka ligjëruar në universitete në Shtetet e Bashkuara, në Kinë dhe në Kroaci.

Ai ka nisur fushatën e tij presidenciale vitin e kaluar, me shpresën për një rikthim.

Edhe pse nuk është më anëtar i HDZ-së, kjo parti ka shprehur mbështetje për të.

Fushata e tij është përqendruar kryesisht në sulme ndaj Millanoviqit, ndërkohë që përpiqet të tregojë edhe përkushtimin e tij ndaj vlerave familjare dhe patriotizmit.

Kritikët e kanë kritikuar 59-vjeçarin për mungesë të karizmit politik dhe e kanë akuzuar atë se shërben si sulmues i HDZ-së kundër Millanoviqit.

Pasi siguroi gati 20 për qind të votave në rundin e parë të zgjedhjeve, Primorac u bëri thirrje votuesve që “të mos e lejojnë Kroacinë të kthehet përsëri në të kuqe” - një referencë kjo ndaj së kaluarës komuniste të SDP-së rivale.

Ai është i martuar dhe ka dy vajza.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG