Ndërlidhjet

Kriza me pengje në burgun rus përfundon me tetë të vdekur


Ushtarë rusë pranë burgut nr. 19 të sigurisë maksimale në qytetin Surovikino, në rajonin Volgogard të Rusisë, 23 gusht.
Ushtarë rusë pranë burgut nr. 19 të sigurisë maksimale në qytetin Surovikino, në rajonin Volgogard të Rusisë, 23 gusht.

Garda Kombëtare e Rusisë tha se snajperët e saj i kanë vrarë katër pengmarrësit në burgun e rajonit veriperëndimor Volgogard, pasi ata kryen një sulm vdekjeprurës ndaj rojeve dhe i morën peng disa pjesëtarë të stafit.

Shërbimi i Burgjeve të Rusisë (FSIN) tha në një komunikatë se katër roje burgu vdiqën të premten, pasi katër të burgosur i morën peng tetë roje dhe katër të burgosur të tjerë në burgun nr. 19 të sigurisë maksimale në qytetin Surovikino, në rajonin Volgogard.

“Ata u shkaktuan plagë të ndryshme me thikë katër punonjësve të burgut, tre prej të cilëve vdiqën si pasojë. Katër të tjerët, të cilët rezistuan, u dërguan në spital, njëri prej tyre vdiq në spital”, tha FSIN, duke shtuar se katër të burgosur të tjerë u plagosën gjatë krizës me pengje.

Mediat raportuan se disa njerëz vdiqën dhe se incidenti ndodhi kur një komision disiplinor u mblodh për një takim në këtë burg.

Kanalet në Telegram, të lidhur me shërbimin e burgjeve, publikuan një video që shfaq katër të burgosurit, të cilët e quajnë veten “luftëtarë të Shtetit Islamik”. Ata shihen me thika në duar duke qëndruar pranë tre trupave në uniformë të FSIN-it dhe pranë një personi tjetër të plagosur.

Një kanal tjetër në Telegram i identifikoi katër të burgosurit, dy nga Uzbekistani dhe dy nga Taxhikistani. Tre prej tyre po kryenin dënime me burgim për droga të jashtëligjshme dhe për shkaktimin e lëndimeve të rënda një personi. Këto të dhëna nuk janë konfirmuar zyrtarisht.

Në një video tjetër, një i burgosur thekson se rojet e burgut “i kanë shkelur të drejtat e myslimanëve”.

Një i burgosur tjetër përmes një video i bën thirrje presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, t’i plotësojë kërkesat e të burgosurve dhe thotë se ka nevojë për mjek. Putin tha në televizion se është njoftuar për këtë incident nga shefi i FSIN-it.

Një video i shfaq katër të burgosurit duke qëndruar pranë një baneri me një mbishkrim arab. Ata brohorisin “Allahu Akbar!” (“Zoti është më i madhi!”), teksa njëri prej tyre e mban një burrë pa uniformë.

Kjo është hera e dytë që të burgosurit marrin pengje brenda një burgu rus këtë verë.

Në qershor, disa të burgosur morën pengje në një qendër ndalimi në qytetin Rostov-on-Don. Asokohe, zyrtarët rusë thanë se pengmarrësit ishin pjesëtarë të Shtetit Islamik.

Pesë pengmarrës u vranë dhe dy pengje u plagosën gjatë atij incidenti.

Një incident tjetër ndodhi në rajonin e banuar kryesisht me myslimanë, Dagestan, ku së paku 20 njerëz u vranë nga të shtënat në dy qytete të këtij rajoni jugor të Rusisë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG