Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe kryeshefi ekzekutiv i Koorporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit në SHBA, Adam Boehler, nënshkruan një deklaratë të përbashkët, përmes së cilës mirëpresin "përfundimin e shpejtë të një marrëveshjeje të re për nxitjen e investimeve Kosovë-SHBA".
Deklarata u nënshkrua në Qeverinë e Kosovës në praninë e presidentit Hashim Thaçi, dhe të dërguarit të posaçëm të Shtëpisë së Bardhë për dialogun, Richard Grenell.
“Marrëveshja që kemi nënshkruar sot ka qenë zotim për të përshpejtuar investimet në Kosovë. Ne kemi qenë duke punuar në përgatitjet për mundësitë e asaj që ndodhi disa javë më parë. Kemi punuar me ambasadën tonë, me ambasadorin tonë dhe kemi projekte në vlerë deri në 1 miliard dollar. Aty përfshihet Autostrada e Paqes, hekurudha, gazi i lëngshëm natyror. Kemi biseduar edhe për mundësinë e investimit në një resort të skijimit. Po ashtu do të ofrojmë mbështetje direkte për bizneset e vogla dhe të mesme", sqaroi Boehler.
Ai tha se delegacioni amerikan që po viziton Kosovën përbëhet nga zyrtarë të gjashtë agjencive, duke përfshirë atë të Energjisë, Tregtisë, gjë që, sipas është ngjarje e paprecedent.
Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti konfirmoi se ministrat e kabinetit qeveritar do të formojnë ekipe të veçanta, të cilat do të dakordohen me ekipet e SHBA-së për zbatimin e projekteve që dalin nga marrëveshja e 4 shtatorit.
“Ky është një momentum i ri që do të sjellë zhvillim ekonomik, jo vetëm për Kosovën por për tërë rajonin. Do të lëvizim shpejt në zbatimin e kësaj marrëveshjeje dhe shpresojmë të arrijmë së shpejti edhe marrëveshjen politike", tha Hoti duke shtuar se nuk e di se kur mund të arrihet kjo e fundit.
Hoti u shpreh i bindur se me këto projekte do të hapen mijëra vende të reja pune dhe se vizita e delegacionit amerikan dëshmon për seriozitetin e presidentit amerikan, Donald Trump.
I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell deklaroi se është shtyrë personalisht nga presidenti Trump që të vijë në Kosovë dhe të inkurajojë zbatimin e shpejtë të marrëveshjes.
“Ne nuk duam vetëm fjalë boshe, por duam t’i tregojmë popullit të Kosovës, që i kemi aleat të fuqishëm, se duam që të qëndrojmë përkrah jush drejt zhvillimit ekonomik", tha Grenell.
Ai paralajmëroi se brenda 30 ditësh, ekipet amerikane do të vijnë në Kosovë për dy studime fizibiliteti në fushën e energjisë, projekte që sipas tij do të gjenerojnë mijëra vende të reja pune.
Grenell i reagon opozitës
Në konferencën për media, Grenell e quajti historike marrëveshjen e 4 shtatorit, ndërkaq kundërshtimet që po i bëhen në Prishtinë kësaj marrëveshje, i cilësoi të pabaza.
Sipas tij, gjatë muajve në vazhdim do të shihet se këto nuk janë vetëm fjalë boshe, por që do të sjellin zhvillim ekonomik. Ai kërkoi që të dëgjohet zëri i atyre që mezi po mbijetojnë, e jo vetëm i politikanëve që e kane ‘marr peng’ debatin në Kosovë.
"Ekzsiton një konflikt i perceptuar dhe kjo do të thotë se bizneset amerikane dhe ato evropiane nuk mund të ecin me investime këtu për shkak të luftës politike. Unë shpresoj se individët në Kosovë, familjet, njërzit e zakonshëm, burra e gra që nuk janë politikë, të shprehen dhe të shohin se kjo është një mundësi ekonomike për Kosovën, që të lëmë pas luftërat politike dhe të krijojmë vende të reja pune", tha Grenell.
Nënshkrimi i kësaj deklarate shënon nisjen në praktikë të zbatimit të asaj çfarë u nënshkrua në më pak se tri javë më parë nga liderët e Kosovës dhe Serbisë me presidentin e SHBA-së, Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, për normalizim ekonomik.
Kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit në SHBA (DFC), Adam Boehler së bashku me udhëheqësen e Bankës për Eksport-Import, Kimberly Reed, më 15 shtator kanë nënshkruar letrat e interesit me Kosovën dhe Serbinë, përmes së cilave do të ndihmojnë në financimin e Autostradës së Paqes.
DFC pritet që bashkë me Bankën amerikane për Eksport-Import të ndihmojnë në financimin e Autostradës së Paqes, që do të lidhë Nishin me Prishtinën.
Në marrëveshjen e nënshkruar më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, është arritur pajtueshmëri që Kosova dhe Serbia, do të punojnë me Korporatën Ndërkombëtare të SHBA-së për Zhvillim Financiar dhe EXIM, në memorandumet e mirëkuptimit, për të operacionalizuar Autostradën e Paqes, lidhjen hekurudhore Prishtinë-Merdare, lidhjen hekurudhore Nish-Prishtinë, sigurimin e financave për mbështetjen e kredive që kërkohen për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, projekte shtesë dypalëshe dhe prani e plotë ndërkombëtare në Beograd, e DFC-së.
Të hënën në mbrëmje, delegacioni amerikan niset për në kryeqytetin serb, Beograd, ku të martën pritet të hapë zyrën e saj DFC-ja amerikane.
Facebook Forum