Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës thonë se pajtohen me të gjeturat e raportit të Departamentit Amerikan i Shtetit i cili thotë se vendi ka bërë përparime në luftimin ekstremizmit të dhunshëm që shpie në terrorizëm, por mungesa e përvojës në luftimin e terrorizimit paraqet sfidë për Kosovën.
Ministri i Brendshëm në detyrë i Kosovës, Ekrem Mustafa në një bisedë për Radio Evropa e Lirë, tha se Kosova ka arritur me sukses të luftojë terrorizmin. Ministri përmendi disa ndryshime ligjore, që sipas tij, ndikuan në parandalimin e bashkëngjitjes së qytetarëve të Kosovës në luftërat në Lindje të Mesme.
Mustafa tha se institucionet e Kosovës, përpos që në vitin 2015 miratuan Ligjin që sanksionon pjesëmarrjen e kosovarëve në luftërat e huaja ka krijuar edhe strategjinë e re “Kundër Terrorizmit 2017 -2022”, që sipas tij është zbatuar suksesshëm.
“Kosova është një nga shtetet e para në regjion që ka filluar riintegrimin e qytetarëve tonë të cilët kanë marrë pjesë nëpër luftërat e huaja. Me ligjin e miratuar në vitin 2015, veç ka bërë që qytetarët të cilët marrin pjesë në luftëra të huaja ndëshkohen me dënim prej 5 deri në 15 vjet. Nga 2015 asnjë luftëtarë nuk e kemi pasur së ka shkuar nëpër vatrat e luftës në Lindje të Mesme. Po ashtu, MPB ka krijuar edhe departamentin për që merret vetëm me strategjinë kundër terrorizmit”, tha Mustafa.
Që nga fillimi i konfliktit në Siri, rreth 400 burra, gra dhe fëmijë udhëtuan drejt këtij vendi, ku shumica prej tyre u bënë pjesë e organizatave terroriste.
Deri në shpartallimin e grupit militant Shteti Islamik (IS), shumica prej kosovarëve në Siri, jetuan në territoret që kontrolloheshin nga IS-i.
Në muajin prill të vitit 2019, Kosova u bë ndër vendet e para që ktheu në Kosovë 110 qytetarë të saj të cilët kishin mbetur në kampe të ndryshme në Siri.
Ministri Mustafa thotë se Kosova ka arritur me sukses që të ndërtojë kapacitete në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm si dhe është bërë partner ndërkombëtar në Koalicionin Global Kundër Shtetit Islamik.
Megjithatë, ministri i Brendshëm beson se Kosova ka neglizhuar në fillim rrezikun nga grupet e ndryshme që kanë përfaqësuar rryma ekstremiste.
“Personat të cilët kanë marrë pjesë në luftëra kanë qenë të rekrutuar nga persona të caktuar sepse më shumë ka pasur rekrutues sesa të interesuar të cilët kanë shkuar. Do të thotë ne e kemi pasur momentin e duhur që t’i luftojmë rekrutuesit në atëkohë por ndoshta është neglizhuar pak, mirëpo në përgjithësi Kosova e ka kaluar mirë këtë sfidë”, tha ministri Mustafa.
Ekspertët: Kosova e neglizhoi rrezikun
Njohësi i fushës së sigurisë, ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Nuredin Ibishi beson po ashtu se institucionet e sigurisë në Kosovë, para vitit 2012 kanë neglizhuar rrezikun që ka ardhur nga grupet e ndryshme.
Pas rritjes së numrit të kosovarëve që udhëtuan drejt Sirisë dhe Irakut, sipas Ibishit, institucionet e Kosovës, me ndihmë ndërkombëtare punuan në hartimin e kornizës ligjore dhe rritjen e kapaciteteve për parandalimin e rrezikut nga ekstremizmi i dhunshëm.
“Miratimi i ligjit në vitin 2015 ka sjellë rezultatin më të madh. Me vetë miratimin e këtij ligji dhe ndërmarrja e masave parandaluese dhe sidomos masave represive, kjo rrjedhë e të rinjve tonë në bashkëngjitje të këtyre organizatave terroriste edhe në vend, konfliktet jashtë Kosovës do të thotë gati është ndaluar krejtësisht”, tha Ibishi.
Ndikim në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm sipas Ibishit ka pasur edhe Strategjia e Institucioneve të Kosovës për Parandalimin e Ekstremizmit dhe Terrorizimit të Dhunshëm.
“Me miratimin e kësaj strategjie që parandalon ekstremizmin dhe radikalizmin është zvogëluar dukshëm indoktrinomi i të rinjve tonë që deri në atë kohë kanë gjetur rrugën që të shkojnë deri në vendet dhe t’i bashkëngjitën organizatave terroriste”, tha Ibishi.
Thaçi: Kosova luftoi me sukses terrorizimin
Duke iu referuar raportit të DASH-it, përmes një video-mesazhi në Facebook, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se Kosova është treguar e suksesshme në luftën ndaj terrorizimit.
“Vlerësimi i SHBA-së për Kosovën në luftën kudër terrorizmit është impresionues. Një vlerësim ky i merituar sepse Kosova ka vite që dëshmohet edhe praktikisht në luftën kundër terrorizmit, fundamentalizmit dhe çdo lloj ekstremizmi që paraqitet në Kosovë, në rajon ose jashtë rajonit, kudo në botë së bashku me partnerët ndërkombëtarë. Kosova ka dëshmuar zotësi, aftësi dhe vajzat dhe djemtë e saj kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm”, ka deklaruar presidenti Thaçi.
Pas publikimit të raportit të DASH-it, kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj ka takuar koordinatorin nacional kundër terrorizmit, Fatos Makolli. Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj tha se Kosova është vlerësuar për angazhimin e saj në luftën kundër terrorizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm.