Ndërlidhjet

Kosova, vend i tregtisë


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Tregtia vazhdon të mbetet aktiviteti ekonomik dominues në Kosovë. Nga rreth 150 mijë ndërmarrje të regjistruara në Kosovë, mbi 50 për qind i takojnë sektorit të tregtisë.

Sipas të dhënave të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës, nga 9805 ndërmarrje të reja regjistruara në vitin 2018, prej tyre mbi 2.500 janë në sektorin e tregtisë, pasuar nga sektori i prodhimit me 1.109, kurse numrin tjetër të ndërmarrjeve të reja të regjistruara e përbëjnë sektorët tjerë.

Përfaqësues të bizneseve dhe ekspertë të çështjeve ekonomike thonë se do të ishte më e leverdishme për ekonominë e Kosovës që sektori i tregtisë të zëvendësohej me industrinë e prodhimit, pasi që sektori i tregtisë, siç thonë ata, ‘eksporton mjetet e gatshme financiare jashtë Kosovës’.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Naim Gashi, thotë për Radion Evropa e Lirë se sektori i tregtisë është i domosdoshëm për zhvillimin e një ekonomie nacionale, mirëpo fokusi i të gjithë bizneseve vetëm në sektorin e tregtisë, po ndikon në bilancin negativ tregtar.

“Arsyeja pse pjesa dërmuese e ndërmarrjeve janë në sektorin e tregtisë, ka të bëjë se në tregti nevojiten më pak investime dhe më pak kreativitet dhe inovacion në krahasim me shërbimet dhe prodhimtarinë, ku duhet një planifikim i ndërlikuar dhe kosto për realizmin e një produkti të caktuar. Fokusi i shumë bizneseve vetëm në sektorin e tregtisë dhe jo në sektorin e prodhimit, po ndikon në bilancin negativ tregtar”, thotë Gashi.

Deficiti i lartë tregtar vazhdon të përbëjë një sfidë të rëndësishme për ekonominë e Kosovës. Kontributi i eksporteve në volumin tregtar, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, gjatë vitit 2017 ishte shumë i ulët, me rreth 380 milionë euro, kurse importi mbi 3 miliardë euro.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, thotë për Radion Evropa e Lirë se sektori i tregtisë që nga paslufta në Kosovë, ka qenë sektori më i preferuar, por që, sipas tij, do të ishte më mirë për ekonominë e vendit që të krijohen më shumë biznese prodhuese.

“Ekonomitë e ndryshme kanë struktura të ndryshme. Do të ishte më e mirëseardhur që të ketë numër më të madh të kompanive që futen në sektorin prodhues. Sektori i tregtisë në vazhdimësi ka qenë më i preferuar si aktivitet ekonomik në Kosovë. Për shkak të varësisë së importeve kjo strukturë ekonomike ka sjell çdo vit hapjen e shumë kompanive tregtare”, thekson Rukiqi.

Bizneset e sektorit të tregtisë merren me furnizimin dhe shitjen e prodhimeve të gatshme për konsumatorët finalë, për dallim nga bizneset industriale, bizneset tregtare nuk krijojnë kurrfarë prodhimi fizik.

Tregtia është një lloj aktiviteti ekonomik që, sipas Rukiqit, është më i lehtë për t’u zhvilluar krahasuar me sektorin e prodhimit. Ai thotë se për të rritur numrin e ndërmarrjeve prodhuese, në vazhdimësi janë duke kërkuar që të krijohen lehtësira për prodhuesit.

“Lehtësia e hyrjes në tregti është dukshëm më e madhe sesa në prodhim. Ne po diskutojmë për barrierat që kanë bizneset, në veçanti ato prodhuese e që lidhen me qasjen në financa, me energji elektrike dhe me fuqinë punëtore”, thotë Rukiqi.

Bizneset prodhuese në Kosovë në vazhdimësi janë ballafaquar me një mjedis jo të kënaqshëm biznesor. Në hulumtimet e bëra, ishin identifikuar barriera në të bërit biznes në Kosovë, siç është mungesa e përkrahjes shtetërore, konkurrenca jo e drejtë e shkaktuar nga evazioni fiskal dhe ekonomia joligjore, si dhe furnizimi jostabil me energji elektrike.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG