Kompania për Furnizim me Energji Elektrike e Kosovës (KESCO) njoftoi se për t’i mbuluar kërkesat e qytetarëve, është duke importuar rreth 1 milion euro rrymë në ditë.
Në një komunikatë për media thuhet se kërkesa në kohë piku kalon mbi 800 megavate rrymë, që është “dukshëm mbi mesataren e kësaj periudhe”.
Në këtë situatë thuhet se kanë ndikuar temperaturat e larta, përkatësisht shfrytëzimi i madh i kondicionerëve, si dhe renovimi i një njësie të Termocentralit Kosova B, që, rrjedhimisht, ka zvogëluar prodhimin.
Në komunikatë nuk sqarohet se që sa kohë importohet nga 1 milion euro rrymë në ditë, por në Kosovë, prej javësh, mbizotërojnë temperatura të larta që u afrohen 40 gradëve të Celsiusit.
Për krahasim, në prill të vitit të kaluar, KESCO ka njoftuar se në 11 ditët e para të muajit, ka importuar rreth 5.4 milionë euro energji elektrike. Atëkohë, në këtë sasi të importit ka ndikuar rënia e temperaturave.
Në njoftimin e fundit thuhet, po ashtu, se çmimet e importit janë rritur - aktualisht në bursën prej ku importon Kosova “sillen mbi 200 euro për megavat”.
Nevojat e Kosovës për energji elektrike i tejkalojnë kapacitetet e prodhimit, sidomos gjatë dimrit.
Kosova ka kapacitet të prodhojë deri në 800 megavate në orë, kurse nevojat e saj, në një ditë dimri për shembull, arrijnë deri në 1.300 megavate në orë.
Këtë diferencë, ajo zakonisht e importon nga jashtë.
Çmimi në bursa ndryshon. Në kohën e krizës energjetike në vitin 2022 ka arritur në rreth 430 euro për megavat.
KESCO u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës që ta kursjenë maksimalisht rrymën.