Jo të gjithë pajtohen se investimet në Termocentralin Kosova A, që i parashikon Qeveria e Kosovës, janë të nevojshme.
Mbështetësit argumentojnë se ato duhen për të garantuar sigurinë energjetike, por kritikët nxjerrin në pah ndikimin në ndotjen e ajrit dhe infrastrukturën e vjetruar të termocentralit.
Termocentrali Kosova A - i cili gjeneron rrymë me thëngjill, është i vjetër me dekada dhe i ka dy blloqe jashtë funksionit - ka qenë e paraparë të mbyllej deri në vitin 2017 me Marrëveshjen e Komunitetit të Energjisë së Evropës Juglindore.
Kjo nuk ka ndodhur dhe Qeveria e tashme e Kosovës e ka përfshirë atë në Strategjinë për Energji 2022-2031, e cila parasheh investime.
Korporata Energjetike e Kosovës, e cila ka nën menaxhim Termocentralin Kosova A dhe Termocentralin tjetër Kosova B, nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë nëse kanë filluar investimet dhe sa do të jetë vlera e tyre.
Ngjashëm as Ministria e Ekonomisë e Kosovës, e cila ka hartuar Strategjinë për Energji.
Çfarë kapaciteti ka Kosova A?
Rreth 35 për qind e konsumatorëve të Kosovës varen nga prodhimi i rrymës i Termocentralit Kosova A.
Ky termocentral përbëhet prej pesë blloqesh. I pari i tij, A1, ka nisur prodhimin në vitin 1962, ndërsa i fundit, A5, më 1975.
Për shkak të vjetërsisë, dy blloqe të tij nuk funksionojnë fare.
Kosova A dhe Kosova B - të dyja me thëngjill - plotësojnë 80 për qind të nevojave të Kosovës për rrymë.
Në vitin 2020, Kosova dhe vende të tjera të Ballkanit Perëndimor kanë nënshkruar Deklaratën për Agjendën e Gjelbër, përmes së cilës janë zotuar se, deri në vitin 2050, do t’i japin fund prodhimit të energjisë nga thëngjilli dhe do të kalojnë në burime të ripërtërishme.
Strategjia për Energji 2022-2031 e Kosovës përqendrohet tek investimet në këto burime, por një pjesë përfshin edhe Termocentralin Kosova A, përkatësisht investimet në së paku një njësi apo bllok të tij.
Në dokument thuhet se njëra njësi do të rinovohet deri në fund të vitit 2024, ndërsa vendimi për rinovimin ose mbylljen e njësisë së dytë do të merret më së voni më 2024.
“Njësia e riparuar do të punojë si rezervë strategjike nga viti 2028 deri në vitin 2030 dhe do të jetë në dispozicion në sezonin e ngrohjes, kur kërkesa për energji elektrike është më e lartë, ose në raste të krizave energjetike”, thuhet në dokument.
A ka Kosova alternativa?
Për Dardan Abazin, ekspert i politikave të energjisë në Institutin për Politika Zhvillimore në Kosovë, INDEP, investimi në blloqe të vjetruara, që do të shfrytëzoheshin në kohë krizash, është “argument i dobët”.
Ai thotë se prioritet duhet të kenë investimet në burimet e ripërtërishme, ndërsa në raste krizash alternativë mund të jenë vendet e rajonit.
“...sepse, Kosova e ka bashkuar tashmë tregun energjetik me Shqipërinë përmes bursës ALPEX”, thotë ai, duke iu referuar një marrëveshjeje të vitit 2020.
Me këtë marrëveshje, dy vendet, përmes Bursës Shqiptare të Energjisë (ALPEX), mund të sigurojnë energji për konsumatorët e njëra-tjetrës, me planifikim një ditë përpara.
Zeqir Veselaj, profesor i lëndës “Edukimi mjedisor për zhvillim të qëndrueshëm” në Universitetin e Prishtinës, problemin e investimit në termocentrale me thëngjill e sheh te ndotja e ajrit.
Këto termocentrale të Kosovës janë ndër ndotësit më të mëdhenj në Evropë, ka vlerësuar në vitin 2019 grupi i OJQ-ve mjedisore në Evropën Qendrore dhe Lindore, “Bankwatch Network”.
“Kam rezerva se a mund të jenë produktive ato investime, me parametra të pranueshëm mjedisorë, në një termocentral që i ka mbushur më shumë se 50 vjet”, thotë Veselaj.
“Në kushte normale, [Termocentrali Kosova A] është dashur të hiqej nga përdorimi, ashtu siç është planifikuar vite më parë”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Por, ish-drejtori i Korporatës Energjetike të Kosovës, Arben Gjukaj, konsideron se investimet në Kosovën A janë të nevojshme, meqë ajo mbulon rreth 35 për qind të nevojave për rrymë.
“Kosova ka burime të kufizuara alternative”, thotë Gjukaj.
“Vonesat në ndërtimin e njësive të reja do të kishin pasoja afatgjate për sektorin e energjisë, edhe ashtu të rënduar”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Në Institutin për Politika Sociale “Musine Kokalari” në Prishtinë vlerësojnë, po ashtu, se Kosova nuk ka as mundësi financiare e as resurse të tjera për të bërë një tranzicion të shpejtë në energjinë e ripërtërishme.
Andaj, thuhet në një deklaratë të këtij instituti për REL-in, është e rëndësishme që të investohet përkohësisht në termocentralet ekzistuese, por duke u vendosur elektrofiltra, që do të minimizonin ndotjen e ajrit.
Aktualisht, mbi 20 për qind e energjisë elektrike në Kosovë prodhohet nga burimet alternative, si: hidrocentralet, centralet me erë dhe panelet me diell.
Ministrja e Ekonomisë e Kosovës, Artane Rizvanolli, ka thënë më herët se synim i vendit është që pas vitit 2031, 35 për qind e energjisë elektrike të gjenerohet nga burimet e ripërtërishme.
Pse nuk është mbyllur Kosova A?
Në vitin 2017, kur është thënë se do të mbyllej Kosova A, ka qenë e paraparë të hynte në funksion termocentrali i ri Kosova e Re.
Ky projekt është rishikuar dhe shtyrë disa herë dhe në fund nuk është realizuar.
Banka Botërore, fillimisht, i ka dhënë mbështetje, por më pas është tërhequr, duke deklaruar se nuk do ta mbështesë më ndërtimin e një termocentrali me thëngjill.
Më pas është tërhequr edhe kompania fituese e tenderit për ndërtimin e tij, Contour Global.
Nevojat e Kosovës për energji elektrike i tejkalojnë kapacitetet e prodhimit, sidomos gjatë dimrit.
Kosova ka kapacitet të prodhojë rreth 800 megavate në orë, kurse nevojat e saj, në ditë dimri, arrijnë deri në 1.300 megavate në orë.
Këtë diferencë, ajo zakonisht e importon nga jashtë.