Ndërlidhjet

Kosova shpreson të përfaqësohet me 12 sportistë në Lojërat Olimpike në Tokio  


Xhudistja Malinda Kelmendi, prezanton medaljen e artë të fituar në Lojërat Olimpike në Rio më 2016. Prishtinë, 14 gusht, 2016.
Xhudistja Malinda Kelmendi, prezanton medaljen e artë të fituar në Lojërat Olimpike në Rio më 2016. Prishtinë, 14 gusht, 2016.

Kosova shpreson që të përfaqësohet nga 12 sportistë në Lojërat Olimpike Verore që zhvillohen në Tokio të Japonisë nga 23 korriku deri më 8 gusht. Pak ditë para nisjes për në Tokio, Radio Evropa e Lirë ka zhvilluar një intervistë me presidentin e Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqin. Krasniqi konfirmoi se deri më tani është konfirmuar pjesëmarrja e dhjetë sportistëve nga Kosova duke përfshirë pesë xhudistë, një mundës, dy notarë, një nga atletika dhe një nga sporti i shigjetarisë.

Lojërat Olimpike Verore në Tokio, ishin paraparë të mbaheshin në verën e vitit 2020, por shfaqja e pandemisë, bëri që mbajtja e tyre të shtyhej.

Për ekipin Olimpik të Kosovës, këto do të jenë Lojërat e dyta Verore, pas debutimit në Brazil në Lojërat Olimpike Rio 2016.

Në këto gara Kosova mori pjesë me tetë sportistë, ku medaljen e parë të artë për Kosovën e siguroi xhudistja, Majlinda Kelmendi.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Krasniqi, sa është e përgatitur Kosova për pjesëmarrje në Lojërat e Olimpike Verore që mbahen në Tokio të Japonisë, prej datës 23 korrik deri më 8 gusht?

Ismet Krasniqi: Kosova do të jetë pjesëmarrëse në Lojërat Olimpike Tokio 2020 me dhjetë garues, mirëpo këta dhjetë garues nuk janë definitivë sepse presim që ky numër të rritet. Mirëpo, deri më tani, gjashtë prej tyre i kanë normat e fituara dhe katër të tjerë janë më ftesë nga komisioni trepalësh. Jemi në pritje ende nga Federata e Karatesë dhe Federata e Boksit, të cilat tashmë kanë filluar garat. Së shpejti boksi do të marrë pjesë në Paris të Francës, gjithashtu karateja do të marrë pjesë në garat kualifikuese në Francë dhe nëse ndonjë nga garuesit tonë, te të cilët shpresat i kemi shumë të mëdha, i fiton normat në Paris, nëse e merr vendin prej të parit deri në të tretin, atëherë direkt shkon në Tokio 2020.

Radio Evropa e Lirë: Në cilat lloje të sporteve merr pjesë Kosova?

Ismet Krasniqi: Deri më tash i kemi xhudon, të cilën e përfaqësojnë pesë garues dhe e kemi një në mundje. Këta (sportistë) janë që kanë fituar normat olimpike. Me ftesë nga komisioni trepalësh, i kemi dy notarë të Federatës së Notit, e kemi një në atletikë dhe tashmë së fundmi, në shigjetari e kemi një të nominuar.

Radio Evropa e Lirë: Në cilat sporte janë pritjet më të mëdha për të fituar medalje? Siç e dimë të gjithë, xhudon e kemi ndër sportet më të suksesshme, megjithatë a mund të shpresojmë në medalje në sporte të tjera?

Ismet Krasniqi: Shihet që janë shumë të përgatitur. Presim shumë nga xhudoja, mirëpo presim edhe nga federatat e tjera, sidomos nga boksi, karateja që nëse i fitojnë normat olimpike, është shumë e mundshme që të kemi edhe ndonjë medalje nga Olimpiada Tokio 2020.

Radio Evropa e Lirë: Viti që lamë pas ka qenë një vit shumë i vështirë për federatat dhe sportistët. Sa ka qenë pengesë pandemia për sportistët?

Ismet Krasniqi: Ju e dini fort mirë që kemi pasur kushte të limituara të ushtrimeve, takimeve, të garave dhe krejt. Mirëpo, jemi mundur që edhe t’i respektojmë edhe institucionet e shëndetësisë edhe të bëjmë ushtrime. Sporti në Kosovë nuk është ndalur, por më vështirësi shumë të mëdha, me frikë në fillim, por nuk jemi ndalur. Jemi në formë të mirë dhe besoj se do të kemi suksese shumë të mira.

Radio Evropa e Lirë: Shkaku i pandemisë janë vendosur rregulla të reja për pjesëmarrësit në Lojërat e Olimpike Verore të Tokios. A mund të jenë këto rregulla pengesë në performancën e sportistëve?

Ismet Krasniqi: Te sportistët nuk ndikon kjo sepse ata i kanë vendet e veta. E kanë Fshatin Olimpik, janë të sistemuar krejt në një vend. Kuptohet, i kanë të gjitha të kryera, duke përfshirë testet e COVID-it. Mirëpo, normal, sa i përket shikueshmërisë dhe pjesës nga delegacionet e federatave dhe komiteteve të ndryshme nacionale të të gjitha shteteve, janë të limituara për shkak të COVID-19. Deri më tash, kemi informata se shikues do të jenë vetëm japonezët dhe ne që jemi të akredituar me një numër shumë, shumë të limituar.

Izolimi në shtëpi, i vështirë për sportistët
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:28 0:00

Radio Evropa e Lirë: A do të udhëtoni të gjithë se bashku apo si organizohet udhëtimi për në Tokio?

Ismet Krasniqi: Përafërsisht, brenda dy apo tre ditësh nisemi të gjithë, mirëpo edhe atje kur të shkojmë është një rregull nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, por edhe nga organizatori i Tokio 2020, që ata të cilët e kryejnë garën, secili garues dhe trajneri i tij brenda 48 orësh duhet ta lëshojë shtetin e Japonisë për shkak të masave kundër COVID-19.

Radio Evropa e Lirë: A do të lejohen sportistët të dalin nga Fshati Olimpik?

Ismet Krasniqi: Besoj se do të ketë shumë rregulla strikte sa i përket kësaj. Do të jetë nën kontroll. Lëvizjet do të jenë shumë, shumë të limituara për secilin, edhe për garuesit, por edhe për neve si staf.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG