Reuters
Ligjvënësit amerikanë të enjten morën në pyetje shefin e rrjetit social të videove, TikTok, në lidhje me ndikimin e mundshëm kinez mbi këtë platformë.
Ata, po ashtu, thanë se videot e shkurtra të këtij aplikacioni po dëmtojnë shëndetin mendor të fëmijëve, duke reflektuar shqetësimet unanime për fuqinë e aplikacionit mbi amerikanët.
Dëshmia e Shou Zi Chew para Kongresit nuk ndikoi shumë për të qetësuar shqetësimet e SHBA-së për kompaninë amë me bazë në Kinë të TikTok-ut, ByteDance dhe shtoi një vrull të ri në thirrjet e ligjvënësve për të ndaluar platformën në mbarë vendin.
Në mbi pesë orë dëshmi, Chew në mënyrë të përsëritur mohoi që aplikacioni ndan të dhëna ose ka lidhje me Partinë Komuniste Kineze dhe argumentoi se platforma po bën gjithçka për të garantuar sigurinë për 150 milionë përdoruesit e saj amerikanë.
Chew tha se TikTok-u për më shumë se dy vjet ka "ndërtuar atë që përbën një ‘mur zjarri’ për të mbyllur të dhënat e mbrojtura të përdoruesve të SHBA-së nga qasja e personave të paautorizuar.
“Përfundimi është ky: të dhënat amerikane të ruajtura në tokën amerikane, nga një kompani amerikane, e mbikëqyrur nga personeli amerikan”, tha Chew.
Por, asnjë ligjvënës i vetëm nuk ofroi mbështetje për TikTok-un, pasi ata i konsideruan shmangëse përgjigjet e Chewit për Kinën dhe shprehën shqetësime mbi fuqinë që aplikacioni ka mbi fëmijët amerikanë.
Të tjerë akuzuan TikTok-un për promovimin e përmbajtjeve që inkurajojnë çrregullimet e të ngrënit te fëmijët, shitjet e paligjshme të drogës dhe shfrytëzimin seksual.
"TikTok-u mund të dizajnohet për të minimizuar dëmin ndaj fëmijëve, por u mor një vendim që në mënyrë agresive fëmijët të bëhen të varur në emër të fitimeve," tha përfaqësuesja Kathy Castor, një demokrate, në seancën dëgjimore të komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Energjinë dhe Tregtinë.
Chew iu përgjigj shumë pyetjeve specifike duke thënë se çështjet ishin "komplekse" dhe jo unike për TikTok-un.
Kompania thotë se ka shpenzuar më shumë se 1.5 miliard dollarë në përpjekjet për sigurinë e të dhënave nën emrin "Project Texas (Projekti i Teksasit)", i cili aktualisht ka rreth 1.500 punonjës me kohë të plotë dhe është e kontraktuar me Oracle Corp për të ruajtur të dhënat e përdoruesve të TikTok-ut në SHBA.
Por, kritikët nuk u qetësuan pasi kompania dështoi të tregonte ndonjë përpjekje të re për të mbrojtur privatësinë.
Chew, i cili e filloi dëshminë e tij duke iu referuar rrënjëve të tij nga Singapori, tha: "Ne nuk promovojmë ose heqim përmbajtje me kërkesë të Qeverisë kineze”.
"Është angazhimi ynë ndaj këtij komiteti dhe të gjithë përdoruesve tanë që ne do ta mbajmë (TikTok-un) të lirë nga çdo manipulim nga çdo qeveri", tha ai.
Ai tha se aplikacioni kontrollon rreptësisht përmbajtjen që mund të dëmtojë fëmijët.
Nuk është e qartë se si do të procedojnë ligjvënësit pas seancës dëgjimore ose sa shpejt mund të lëvizin për të miratuar legjislacionin për të forcuar kompetencat ligjore të administratës Biden për të ndaluar TikTok-un.
“Nuk ka të bëjë me pronësinë”
Rreth 20 senatorë amerikanë - 10 demokratë dhe 10 republikanë - kanë mbështetur legjislacionin që i jep administratës së presidentit Joe Biden një rrugë për të ndaluar TikTok-un.
Kështu, fati i aplikacionit ka shtuar një element të ri në tensionet midis Uashingtonit dhe Pekinit.
TikTok-u javën e kaluar tha se administrata e Bidenit u kërkoi pronarëve të saj kinezë të heqin aksionet e tyre ose të përballen me një ndalim të mundshëm.
Kur u pyet për një shitje të mundshme, Chew tha se çështja "nuk ishte në lidhje me pronësinë" dhe argumentoi se shqetësimet e SHBA-së mund të adresoheshin duke lëvizur të dhënat në qendrat e saj të ruajtjes në SHBA.
Ministria e Tregtisë e Kinës tha se detyrimi i shitjes së TikTok-ut "do të dëmtojë seriozisht besimin e investitorëve nga e gjithë bota, përfshirë Kinën, për të investuar në Shtetet e Bashkuara" dhe se Kina do ta kundërshtojë çdo shitje.
Disa ligjvënës cituan komentet e Kinës për të hedhur poshtë pretendimin e TikTok-ut se është i ndarë nga Qeveria kineze.
Në seancën dëgjimore të Dhomës së Përfaqësuesve të së enjtes, përfaqësuesi Neal Dunn pyeti Chewin nëse ByteDance ka spiunuar amerikanët me kërkesë të Pekinit.
Chew u përgjigj: "Jo".
Republikani Dunn pyeti më pas në lidhje me raportet e mediave amerikane se një ekip me bazë në Kinë në ByteDance planifikoi të përdorte TikTok-un për të monitoruar vendndodhjen e qytetarëve të veçantë amerikanë dhe përsëriti pyetjen e tij nëse ByteDance po spiunonte.
"Unë nuk mendoj se spiunimi është mënyra e duhur për ta përshkruar atë", tha Chew.
Ai vazhdoi t'i përshkruante raportimet si diçka që përfshin një "hetim të brendshëm", por u ndërpre nga Dunn, i cili e quajti përdorimin e përhapur të TikTok-ut "një kancer".
Aksionet e kompanive të mediave sociale amerikane që konkurrojnë me TikTok-un për reklama, u rritën të enjten.
"T'i shpëtojmë fëmijët"
Ligjvënësi demokrat, Tony Cardenas, tha se Chew ishte një "valltar i mirë me fjalë" dhe e akuzoi atë për shmangien e pyetjeve të vështira mbi provat se aplikacioni ka dëmtuar shëndetin mendor të fëmijëve.
Chew tha se kompania po investon në moderimin e përmbajtjes dhe inteligjencën artificiale për të kufizuar përmbajtje të tillë.
Përfaqësuesja Diana DeGette, një demokrate, tha se përpjekjet e TikTok-ut për të parandaluar përhapjen e dezinformatave në platformë nuk po funksionojnë.
"Më dhatë vetëm deklarata të përgjithësuara se po investoni, se jeni të shqetësuar, se po bëni punë. Kjo nuk më mjafton mua. Kjo nuk mjafton për prindërit në Amerikë", tha DeGette.
Përfaqësuesi Gus Bilirakis i tregoi komitetit një koleksion të videove të shkurtra të TikTok-ut që dukej se lavdëronin lëndimin e vetvetes dhe vetëvrasjen, ose u thanë shikuesve të vrisnin veten.
"Teknologjia juaj po çon në vdekje", tha Bilirakis. "Ne duhet t'i shpëtojmë fëmijët tanë nga kompanitë e mëdha të teknologjisë si tuajat, të cilat vazhdojnë t'i abuzojnë dhe manipulojnë ata për përfitimin tuaj."
Chew i tha Bilirakisit se TikTok-u e merr çështjen e vetëvrasjes dhe lëndimit të vetvetes "shumë, shumë seriozisht".
TikTok-u nuk është i disponueshëm në Kinë, ku ByteDance ofron një ekuivalent kinez Douyin.
Megjithatë, seanca dëgjimore u ndoq nga afër në vend, me lajme që mblodhën miliona shikime në faqen e mikroblogut weibo, ku shumë përdorues shprehën simpatinë për Shou dhe kritikuan "armiqësinë" e SHBA-së.
Hu Xijin, një ish-kryeredaktor i tabloidit shtetëror Global Times, tha në një postim në Twitter të enjten: "SHBA-ja po grabit TikTok-un këtë herë, por në mënyrë hipokrite po kalon procesin e një seance dëgjimore".
Të premten, Ministria e Jashtme kineze në një konferencë të rregullt tha se kurrë nuk u kishte kërkuar kompanive që të mbledhin ose t'i ofrojnë të dhëna qeverisë kineze nga jashtë në një mënyrë që shkel ligjet vendase dhe se SHBA-ja po supozonte fajësinë e TikTok-ut dhe po e "shtypte në mënyrë të paarsyeshme" kompaninë.
ByteDance nuk iu përgjigj një kërkese për koment.