Ndërlidhjet

Kompromiset e rrezikshme për ulësen në OKB


Asambleja e Përgjithshme e OKB-së. Foto ilustruese
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së. Foto ilustruese

Kosova nuk duhet të bëjë kompromise të reja në finalen e dialogut të Brukselit, për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, i cili është paralajmëruar të përmbyllet me marrëveshje ligjërisht obliguese, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kohë më parë pati theksuar se procesi i dialogut duhet të përfundojë me njohjen e ndërsjellë të dy shteteve, por finalja e dialogut do të jetë proces i vështirë dhe me kompromise. Autoritetet e Kosovës, kanë theksuar se në fund të procesit, Kosova duhet ta fitojë ulësen në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB).

Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në vazhdimësi ka përsëritur se dialogu nuk duhet të përfundojë në atë mënyrë që “njëra palë të fitojë gjithçka dhe pala tjetër fare”.

Autoritetet e Serbisë, përfshirë edhe përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës, në vazhdimësi janë duke insistuar që Asociacioni i komunave me shumicë serbe, duhet të ketë kompetenca ekzekutive. Kompetencat e tilla, siç kanë vlerësuar njohësit e zhvillimeve politike, nënkuptojnë një entitet tjetër politik dhe një autonomi territoriale për serbët e Kosovës.

Politologu Ramush Tahiri, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin që Kosova nuk duhet të hyjë në kompromise me Serbinë, për ta siguruar ulësen në Kombet e Bashkuara.

“Nuk niset dialogu me kompromis, por që të zgjidhen çështjet, të cilat janë kontestuese. Në këtë bazë, me Serbinë mund të bisedohet edhe për çështje të brendshme të Kosovës, sikur që po bisedohet, sepse kompromisi është bërë në fillim. Gjithashtu, mund të bisedohet edhe për pozitën e popullit serb në Kosovë - sepse Serbia është e interesuar pikërisht për këtë çështje - dhe jo për çështjet e tjera. Mirëpo, secila zgjidhje nuk mund të jetë pjesë e pazareve politike ose pjesë e imponimit, por duhet të jetë pjesë e vullnetit dhe në harmonizim me konventat ndërkombëtare”, theksoi Tahiri.

Por, politologu tjetër, Belul Beqa thotë për Radion Evropa e Lirë se nëse eventualisht të dyja palët, ajo e Kosovës dhe ajo e Serbisë, e shohin kompromisin duke realizuar të dyja palët qëllimet e veta, atëherë ky do të jetë një kompromis mjaft i dëmshëm për Kosovën.

“Duhet të vlerësojmë se sa mund të fitojmë eventualisht me këtë kompromis, i cili ndërlidhet me anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Ata, të cilët mendojnë se kjo mund të jetë një lloj zgjidhje, duhet të realisht ta vlerësojnë se një kompromis i tillë ndoshta më shumë, në kuptimin afatgjatë, do ta dëmtojë funksionalitetin e shtetit, se sa që eventualisht mund të përfitojë shteti i Kosovës me anëtarësimin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara”, tha Beqa.

Politologu Tahiri, shpreh mendimin që asnjë kompromis nga ana e Kosovës, që do ta bënte shtetin jofunksional, nuk e vlen ulësen e Kombeve të Bashkuara.

“Nëse gjendjen nuk mund ta bëjmë më të mirë, nuk duhet ta bëjmë më të keqe. Përndryshe, nëse krijohet çfarëdo entiteti i ri në Kosovë dhe prishet baza dhe balanci qytetar i ndërtimit të shtetit të Kosovës, unë mendoj se atëherë Kosova, si shtet, shpërbëhet dhe shkon në vija etnike. Kjo nuk është mirë për Ballkanin Perëndimor, sepse ka edhe çështje tjera të hapura dhe nuk është mirë as për vet vizionin e Kosovës”, u shpreh Tahiri.

Në këtë pikë pajtohet edhe politologu Beqa. Madje, sipas tij, kompromiset eventuale të Kosovës ndaj Serbisë, nuk nënkuptojnë rrugë të sigurt drejt ulëses në Kombet e Bashkuara.

“Aq më parë që çështja e anëtarësimit (në OKB) nuk varet as prej Kosovës e as prej Serbisë, ngase varet pikërisht nga ata, të cilët ndërkombëtarisht janë pengesë e madhe për anëtarësimin në OKB, siç është Rusia. Pra, duhet edhe këtë opsion ta vlerësojmë realisht, sikurse edhe përparësitë, por edhe pasojat e mundshme nëse ky do të jetë një lloj ‘modus vivendi’ në vazhdimin e procesit të dialogut”, theksoi Beqa.

Sidoqoftë, autoritetet e të dyja vendeve, të Kosovës dhe të Serbisë, kohët e fundit kanë ashpërsuar fjalorin politik, duke e akuzuar njëra tjetrën për mospërmbushje të marrëveshjeve të arritura deri më tash në dialogun e Brukselit. Njohësit e zhvillimeve politike kanë vlerësuar se pikërisht ky ashpërsim i retorikës, paralajmëron pozicionimin e palëve në prag të fillimit të finales së procesit të dialogut.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG