Ndërlidhjet

Komisioni Anti-korrupsion hap lëndë ndaj zyrtarëve në pushtet


Foto ilustruese
Foto ilustruese

Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit në Maqedoninë e Veriut ka ngritur dyshime ndaj tre zyrtarëve aktualë të shtetit për korrupsion, nepotizëm dhe konflikt të interesave.

Ekspertët kanë përshëndetur këtë veprim të komisionit në fjalë duke theksuar se me rëndësi është që këto lëndë të vazhdojnë të procedohen edhe në instancat e tjera që në fund të marrin epilog gjyqësor, në të kundërtën theksojnë se puna e këtij Komisioni do të jetë e kotë.

Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit në Maqedoninë e Veriut gjatë kësaj jave ka kërkuar që të ndiqet për përgjegjësi penale kreu i Komunës së Sarajit, Blerim Bexheti, i cili vjen nga radhët e partisë shqiptare në pushtet, BDI, ngase ai nuk ka vepruar ndaj ndërtimit joligjor të platformave në lokalitetin turistik të Kanionit Matkë.

Komisioni shtetëror për parandalim të korrupsionit në Maqedoninë e Veriut ka reaguar në lidhje me shfaqjen e konfliktit të interesave, pasi kompania e cila është në pronësi të këshilltarit të Ohrit, Nefi Useini, i cili vjen nga radhët e partisë shqiptare në pushtet, Bashkimit Demokratik për Integrim, ka dorëzuar oferta në tenderin që ka hapur po “Ndërmarrja Komunale” e Komunës së Ohrit. Antikorrupsioni ka hapur edhe lëndë për vendosjen e jashtëligjshme të platformës së restorantit të tij në bregun e Liqenit të Ohrit.

Lënda e tretë ka të bëjë me indiciet për kurdisjen e tenderit lidhur me furnizimet publike të ndërmarrjes për fluturime civile. Në bazë të disa bisedave të përgjuara dyshohet se është i përfshirë sekretari i Qeverisë, Dragi Rashkoski, nga radhët e socialdemokratëve.

Ekspertët thonë se është për t’u përshëndetur puna e Komisionit Anti-Korrupsion, e cila ndryshe nga përbërja e kaluar, hap raste ku të përfshirë janë dhe zyrtarë aktualë, por shtojnë se me rëndësi të veçantë është veprimi i institucioneve përkatëse për t’i zbardhur në tërësi këto raste.

Sllagjana Taseva nga organizata joqeveritare “Transparency International”, për Radion Evropa e Lirë thotë se në këtë moment me shumë rëndësi është që të veprojnë të gjitha institucionet që janë kompetente për luftimin e korrupsionit.

“Ajo që tani pritet, është reagimi i të gjitha institucioneve kompetente duke ndërmarrë veprime konkrete lidhur me kërkesën e Komisionit Shtetëror për parandalimin e Korrupsionit. Nëse nuk ka efekt nga procedimi i lëndëve në të gjitha institucionet që janë përgjegjëse për të luftuar korrupsionin, duke i përballur të gjithë të dyshuarit me drejtësinë, atëherë do të bjerë në ujë e gjithë puna e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit”.

“Pra, nëse nuk ka epilog konkret nga gjykatat, si instancë e fundit do të jetë shumë e parëndësishme nëse ka hapur ose jo lëndë Anti-korrupsioni për veprime të caktuara të zyrtarëve”, thotë Taseva.

Ekspertët thonë se nuk besojnë që institucionet të bëjnë obstruksione në mbledhjen e dokumentacionit të nevojshëm që lëndët t’i procedojnë në organet e drejtësisë, por sipas tyre, problemi më i madh qëndron në veprimin e ngathtë të disa institucioneve që janë kompetente për të ndjekur krimin.

“Të gjitha institucionet kanë obligim ligjor t’i ofrojnë Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit dokumentet e nevojshme dhe t’u përgjigjen kërkesave të komisionit në fjalë”.

“Çështja është se këto institucione nuk funksionojnë me azhuritet. Njëherësh anëtarët e Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit duhet të insistojnë në kërkimin e dokumentacionit të nevojshëm për procedimin e mëtejmë të këtyre rasteve”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Arif Musa, ish-anëtar i Komisionit Anti- korrupsion.

Ekspertët thonë se proceset duhet të zhvillohen në formë transparente që të mos lënë hapësirë për dyshime.

Ndërkohë, ndaj vendimit të Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit ka reaguar kryetari i Komunës së Sarajit, Blerim Bexheti. Ai ka paralajmëruar se do të ngrejë padi penale ndaj anëtarëve të Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit, duke shfaqur dyshime se vendimi i anëtarëve të Komisionit është i ndikuar politikisht.

Ndryshe, Maqedonia e Veriut në tetor pret caktimin e datës për fillimin e bisedimeve me Bashkimin Evropian, por faktori ndërkombëtarë ka tërhequr vërejtjen se çlirimi i institucioneve nga influenca politike, lufta kundër krimit të organizuar dhe rezultatet konkrete nga realizmi i reformave në sistemin gjyqësor, do të jenë vendimtare nëse vendi do të marrë ose jo dritën e gjelbër për t’u bërë pjesë e familjes evropiane.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG