Ndërlidhjet

Kombinimet eventuale për formimin e Qeverisë së re të Kosovës


Flamuri dhe ndërtesa e  Qeverisë së Kosovës.
Flamuri dhe ndërtesa e  Qeverisë së Kosovës.

Përshëndetje! Në 3 minuta është një newsletter i Radios Evropa e Lirë, ku përpiqemi që zhvillimet më të rëndësishme t'jua zbërthejmë dhe t’jua sjellim sa më thjesht, shkurt e shqip.

Të gjitha votat e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë më në fund u numëruan. Ndonëse rezultati ka mbetur të certifikohet, pasqyra tani është më e qartë se kush i ka gjasat reale për ta formuar Qeverinë e re.

Të enjteve, Radio Evropa e Lirë ju sjell një material të kompletuar për temën më të përfolur të javës, dhe ju njofton se çfarë ia vlen të dini për të.

Për ta pranuar të parët në emailin tuaj, para publikimit në ueb-faqen e REL-it, regjistrohuni falas!

Dëgjojeni versionin audio të materialit:

Audio: Kombinimet eventuale për formimin e Qeverisë së re të Kosovës
Ju lutem prisni

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:04:31 0:00

Në një anketë të publikuar ditë më parë në ueb-faqen tonë, i kemi pyetur lexuesit e Radios Evropa e Lirë se kush, sipas parashikimeve të tyre, do ta formojë Qeverinë e re të Kosovës.

Mes tri opsionesh – Lëvizja Vetëvendosje (LVV) me minoritetet, Lëvizja Vetëvendosje me një parti opozitare, apo partitë opozitare – 60 për qind e pjesëmarrësve kanë votuar për të parin.

Anketa si kjo, diskutime e kalkulime na kanë parë sytë që tri javë, gjithandej.

LVV-ja, që aktualisht është në pushtet dhe ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, është zotuar se do ta formojë sërish Qeverinë.

Udhëheqësi i saj, njëherësh kryeministër i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se po pret certifikimin e rezultateve, para se anëtarët e partisë së tij të ulen dhe të shikojnë rrugën përpara:

“Nuk ka ndryshuar situata që ne të kemi qëndrime tjera sa u përket kundërshtarëve tanë. Është bërë luftë hibride kundër Qeverisë sonë dhe LVV-së, dhe kemi dalë fitimtarë, dhe fitimtari duhet dhe do ta formojë Qeverinë e re”.

Shikojeni versionin video të materialit:

Kush ka më shumë mundësi ta formojë Qeverinë e re?
Ju lutem prisni

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:03:06 0:00

Si mund ta bëjë LVV-ja Qeverinë e re?

Menjëherë pas publikimit të rezultateve preliminare, Kurti ka hedhur poshtë mundësinë e ndonjë koalicioni me partitë e mëdha shqiptare që janë në opozitë – Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Edhe këto tri parti opozitare kanë thënë se nuk do të bashkëpunojnë me Kurtin.

Me ligjet e Kosovës, brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve, presidentja e vendit duhet të thërrasë mbledhjen konstituive të Kuvendit të Kosovës. Nëse zgjidhen kryetari dhe nënkryetarët, atëherë Vjosa Osmani duhet të kërkojë nga partia fituese, LVV-ja në këtë rast, që të propozojë mandatarin për formimin e Qeverisë.

Por, kjo parti duket se do t’i ketë 48 vende deputetësh, në Kuvendin e përbërë prej 120 sosh.

Për ta formuar Qeverinë, një mandatari i duhen të paktën 61 vota.

Analistët politikë besojnë se Kurti llogarit në skenarin e formimit të Qeverisë me minoritetet joserbe, që i kanë 10 vende, si dhe në lëvizjet që mund t’i bëjnë disa deputetë të opozitës aktuale, “për pozita ministrore”.

Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.
Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.

Udhëheqësi i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, që është në koalicion me
AAK-në, ka thënë hapur se nuk ka “vija të kuqe” përballë koalicioneve të mundshme, qoftë me LVV-në, qoftë me partitë që aktualisht janë në opozitë.

Por, për politologun Dritëro Arifi, Kosovës nuk i duhet një qeveri “e brishtë” në situatën aktuale gjeopolitike në botë.

“Një parti e vetme, si Vetëvendosje, me një koalicion kaq të vogël dhe të brishtë, do ta ketë të pamundur që t’i realizojë kërkesat që mund të vijnë nga partnerët ndërkombëtarë”, thotë Arifi për Radion Evropa e Lirë.

A mund të bëhet një Qeveri PDK-LDK-AAK?

I pyetur për kërkesat eventuale, Arifi vlerëson se mund të mos bëhet më fjalë vetëm për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe:

“Çka nëse kërkohet diçka më shumë, sa jemi të gatshëm të lëvizim në këto ndryshime të mëdha globale? Mund të kërkohen shumë gjëra, nuk po aludojmë shumë, por po e marrim vetëm një: çfarë nëse kërkohet ndryshim i kufirit? Çfarë jemi të gatshëm ta bëjmë dhe si do ta bëjmë? Ky është mëkati më i madh, që një shoqëri e tërë nuk ka përgjigje”.

Në rast se partia fituese nuk arrin ta formojë Qeverinë brenda dy javësh, atëherë presidentja detyrohet të mandatojë atë parti ose grup që e bind se mund ta formojë atë.

Për Arifin, edhe nëse kjo nënkupton koalicion mes tri partive të mëdha shqiptare, PDK-LDK-AAK, pamja është sërish e zbehtë, për faktin se nuk garantohet stabilitet.

Fotografi e vitit 2022 nga një takim i Kurtit me krerë dhe zyrtarë të lartë të partive opozitare shqiptare. Aty shihen edhe tre zyrtarët partiakë të PDK-së, LDK-së, dhe AAK-së që garuan për pozitën e kryeministrit në këto zgjedhje: Bedri Hamza, Lumir Abdixhiku, Ramush Haradinaj.
Fotografi e vitit 2022 nga një takim i Kurtit me krerë dhe zyrtarë të lartë të partive opozitare shqiptare. Aty shihen edhe tre zyrtarët partiakë të PDK-së, LDK-së, dhe AAK-së që garuan për pozitën e kryeministrit në këto zgjedhje: Bedri Hamza, Lumir Abdixhiku, Ramush Haradinaj.

Cili kombinim do të mund të funksiononte?

Arifi mendon se një koalicion mes LVV-së dhe PDK-së do të ishte më i miri për Kosovën, sepse ashtu, sipas tij, do të mund të tejkalohej edhe kriza për pozitën e presidentit, pasi Osmanit t’i skadojë mandati vitin tjetër.

I pyetur se sa ka mundësi të funksionojë një koalicion i tillë, se sa janë afër në ideologji këto parti, Arifi beson se asnjëri subjekt politik në Kosovë nuk ka dallime në këtë drejtim, dhe se që të gjithë e kanë thuajse të njëjtin koncept:

“Nëse i shikoni vetëm debatet dhe fjalimet, gjithçka në Kosovë sillet rreth sektorit publik, rritjes së pagave. Botëkuptimi i politikëbërjes është shumë i ngushtë. Nuk kanë dallim të madh”.

Megjithatë, sipas Arifit, një koalicion LVV-PDK do të mund të funksiononte, nëse partitë fokusohen në 6-7 prioritete, në mënyrë që rezultati të jetë “pozitiv për shoqërinë dhe për shtetin”.

Rëndësinë e stabilitetit në Kosovë e ka përmendur edhe faktori ndërkombëtar.

Më së voni, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka thënë që Kosova duhet të ketë një Qeveri stabile, teksa ka pohuar se aleanca ushtarake do të punojë me këdo që do ta udhëheqë Kosovën.

Faleminderit që e lexuat këtë newsletter! Nëse ju pëlqeu, ju ftojmë ta shpërndani me të tjerët. (Ata mund të abonohen falas këtu për ta pranuar çdo numër të newsletter-it tonë).

Për fund, ju rekomandojmë t'i shikoni disa materiale të përzgjedhura që i kemi publikuar ditëve të fundit:

Keni diçka për të na thënë? Duam t’ju dëgjojmë. Na shkruani në evropaelire@rferl.org.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG