Ndërlidhjet

Pse Kina po vëzhgon me vëmendje tensionet Perëndim-Rusi?


Presidenti rus, Vladimir Putin (djathtas) dhe homologu i tij kinez, Xi Jinping (majtas). Fotografi nga arkivi.
Presidenti rus, Vladimir Putin (djathtas) dhe homologu i tij kinez, Xi Jinping (majtas). Fotografi nga arkivi.

Pekini është duke shikuar nga afër pozicionimin e ushtrisë ruse afër kufirit me Ukrainën, duke e parë këtë situatë si test për unitet politik në Perëndim, por edhe si mundësi për forcim të lidhjeve me Moskën, kanë thënë analistët.

Në një thirrje telefonike me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken më 27 janar, ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi ka paralajmëruar Shtetet e Bashkuara dhe aleatet e saj “të mos rrisin krizën” rreth Ukrainës dhe ka bërë thirrje për zgjidhje paqësore, duke thënë se “duhet të merren parasysh shqetësimet e arsyeshme të Rusisë sa i përket sigurisë”.

“Siguria rajonale nuk mund të garantohet përmes forcimit apo edhe zgjerimit të blloqeve ushtarake”, ka thënë Wang, sipas një deklarate të Ministrisë së Jashtme, duke bërë kështu një referencë ndaj kërkesave të Kremlinit, ku përshihet edhe ajo që Ukraina të mos i bashkohet NATO-s.

Çka ia ndal turrin Putinit?
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:10:23 0:00

Pekini ka qenë kryesisht i heshtur prej kur Rusia ka pozicionuar mbi 100,000 trupa, mirëpo deklaratat e Wang, në të cilat është përsëritur kërkesa e presidentit rus, Vladimir Putin, kanë qenë më të drejtpërdrejtat në të mirë të Kremlinit, çka tregon për rritje të lidhjeve në mes të qeverive të dy shteteve dhe kundërshtimit të përbashkët ndaj Shteteve të Bashkuara.

Ndonëse nuk janë pjesë e ndonjë aleance zyrtare, Pekini dhe Moska kanë kthyer marrëdhëniet diplomatike dhe ato për mbrojtje në një partneritet të fortë që duket se vetëm thellohet pasi Putin do të takohet me presidentin kinez Xi Jinping në Kinë për një samit dhe më pas do të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore, të cilat nisin në Pekin më 4 shkurt.

Pamje nga takimi virtual mes presidentit rus, Vladimir Putin dhe atij kinez, Xi Jinping. Dhjetor 2021.
Pamje nga takimi virtual mes presidentit rus, Vladimir Putin dhe atij kinez, Xi Jinping. Dhjetor 2021.

Përveç gjetjes së mundësive nga situata në Ukrainë, për qortuar Shtetet e Bashkuara dhe për të rritur marrëdhëniet me Moskën, analistët besojnë se Kina e sheh këtë situatë edhe si test të rëndësishëm për Perëndimin dhe zgjidhjen që bën ai, pasi kjo gjë mund të ketë pasojë afatgjata në mënyrën sesi Pekini e menaxhon çështjen me Tajvanin.

“Kina është gjithmonë duke analizuar sesi aleancat perëndimore sikurse NATO-ja përballen me presion”, ka thënë Theresa Fallon, drejtore e Qendrës për Studime të Rusisë, Evropës dhe Azisë në Bruksel, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

“Kjo gjë e çon krizën përtej Ukrainës. Kjo gjë përbën edhe më shumë stres për Perëndimin nga këndvështrimi i Pekinit”.

Testi i lakmusit?

Tensionet në Ngushticën e Tajvanit, zonë që ndan ishullin nga Kina, janë rritur në vjetët e fundit, pasi Pekini vazhdimisht çon aeroplanë në zonën ajrore tajvaneze dhe zhvillon stërvitje ushtarake afër ishullit.

Pekini konsideron që Tajvani është pjesë e Kinës dhe “ribashkimi” me këtë ishull është kthyer në çështje të rëndësishme për presidentin kinez.

Një helikopter duke bartur flamurin e Tajvanit pak para shënimit të Ditës Kombëtare të vendit. Tetor 2021.
Një helikopter duke bartur flamurin e Tajvanit pak para shënimit të Ditës Kombëtare të vendit. Tetor 2021.

Ndonëse lideri kinez përsërit deklaratat për bashkim paqësor me Tajvanin, ai ka thënë se nëse ka nevojë, Pekini do ta rikthejë atë edhe me forcë.

Duke pasur parasysh ambiciet territoriale të Kinës, përgjigja e Perëndimit ndaj kërkesave të Moskës për siguri është duke u shikuar me shumë vëmendje nga Pekini.

“Ukraina është vend ku takohen interesat e Rusisë dhe Kinës”, ka thënë Jessica Brandt, hulumtuese në Institutin Brookings, në një koment për Radion Evropa e Lirë.

“Ato kanë objektiva të ndryshëm në periudhë afatgjatë, mirëpo në të ardhmen e afërt janë të bashkuara për të dëmtuar fuqinë e Shteteve të Bashkuara dhe kohezionin evropian”.

Shtetet e Bashkuara kanë qenë kritike të zëshme ndaj trupave ruse afër kufirit me Ukrainën dhe Blinken ka thënë për Radion Evropa e Lirë më 27 janar se Rusia do të përballet me “pasoja masive” nëse zgjedh “rrugën e agresionit” me Ukrainën.

Mirëpo kërkesat e Kremlinit për moratorium në zgjerimin e NATO-s dhe tërheqjen e trupave dhe armëve të aleancës larg Rusisë, kanë shpërfaqur dallimet që ekzistojnë në përgjigjen e Perëndimit.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatet e saj kanë arritur pajtueshmëri për një mori sanksionesh financiare, teknologjike dhe ushtarake nëse Rusia pushton Ukrainën.

Mirëpo ndasitë rreth asaj se si të zbatohen këto masa, sidomos nga ana e Gjermanisë dhe Francës, mund të zvogëlojnë ndikimin.

Mungesa e kohezionit sesi të ndalet Rusia dhe çfarë masa të merren në rast të pushtimit është vërejtur edhe kur Gjermania ka refuzuar dhënien e licencës për Estoninë që të dërgojë në Ukrainë artilerinë gjermane.

“Si Kina, ashtu edhe Rusia mund të rrisin ato përçarje që tashmë ekzistojnë në aleancën transatlantike”, ka thënë Bradt.

Por ndonëse analistët besojnë se tensionet në Ukrainë përbën test të rëndësishëm të cilin Kina po e analizon, dhe se përçarja e Perëndimit mund të trimërojë Pekinin në të ardhmen, planet e Kremlinit ndaj Ukrainës kanë pak mundësi të ndërrojnë qasjen e Kinës për përdorim të forcës në Tajvan.

Për dallim nga Ukraina, Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara me ligj që të mbrojnë Tajvanin, përmes një akti që i kërkon Uashingtonit të sigurojë se ishulli mund të mbrojë veten dhe t’i trajtojë të gjitha kërcënimet ndaj tij me “shqetësim të madh”.

Shumë ekspertë besojnë se Pekini preferon të përdorë mjete ekonomike dhe politike, dhe jo aq ushtarake, për të ndikuar në Taipei, në mënyrë që t’i mundësojë Kinës kontrollin në këtë ishull.

“Natyrisht se ka implikime nga pushtimi i Rusisë në Ukrainë, të cilat ndikojnë në kalkulimet e Kinës në çështjen e Tajvanit, mirëpo ky është vetëm një element në mesin e shumë të tjerëve”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Zsuzsa Anna Ferenczy, hulumtuese në Universitetin Kombëtar të Tajvanit, Dong Hwa, njëherësh ish-këshilltare në Parlamentin Evropian.

“Pra, ajo që bën Kina në Tajvan nuk do të vendoset nga ajo që bën Moska në Ukrainë”.

Tjetër lloj partneriteti

Në kohën e rritjes së tensioneve për Ukrainën, lidhjet ruso-kineze duket se po rriten në nivel që nuk është paramenduar një dekadë më parë.

Andrey Denisov, ambasador i Rusisë në Kinë, ka thënë se Moska informon rregullisht Pekinin sa i përket përparimit në negociatat me Shtetet e Bashkuara, për çështjet e sigurisë.

Edhe personalitete të mediave kineze dhe diplomatë kanë nisur të flasin në favor të Rusisë lidhur me tensionet për Ukrainën, duke e portretizuar NATO-n si agresore dhe Uashingtonin si shfrytëzues të situatës për pikë politike.

Vullneti i mirë i Kinës ndaj Rusisë është vënë në pah edhe më 15 dhjetor, kur Xi dhe Putin kanë biseduar për partneritetin e tyre përballë konfrontimeve në rritje me Shtetet e Bashkuara dhe rritjen e armiqësive kundrejt Perëndimit.

Në këtë thirrje është vërejtur se Rusia dhe Kina janë duke tërhequr njëra-tjetrën për mbështetje, pasi Putin ka kritikuar Paktin AUKUS – të arritur mes Australisë, Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë – ndërkohë që Xi ka mbështetur kërkesat e Moskës për garanci të sigurisë, të cilat parashohin kufizim të ndikimit të Perëndimit në rajonin e ish-Bashkimit Sovjetik.

Kremlini ka thënë se siguria në Evropë do të jetë në agjendën e Putinit kur ai të vizitojë Kinën.

Samiti shënon herën e parë që Putin takon ballë për ballë presidentin kinez pas gati dy vjetëve.

Por ndonëse lideri rus dhe ai kinez do të vazhdojnë të tregojnë “front të përbashkët” dhe Pekini do të favorizojë presionin që Moska po bën kundër Perëndimit, Ferenczy ka thënë se nuk dihet nëse Kina do të mbështesë plotësisht një tjetër pushtim rus në Ukrainë.

“Një pushtim rus do të kishte implikime më të gjera për pjesë tjera të botës”, ka thënë ajo.

“Te Kina mund të rriten dilemat nëse kjo gjë është e mirë për interesat e saj, apo nëse është më mirë që Rusia të mos veprojë”.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG