Pasi ka shpallur fitore mbi varfërinë ekstreme dhe koronavirusin, lideri kinez, Xi Jinping gjithashtu ka paralajmëruar për një rrugë të re të rritjes ekonomike të Kinës si brenda ashtu edhe jashtë vendit, gjë që do të mund të detyronte Pekinin që të përshtatet me vështirësitë e reja që janë shkaktuar nga pandemia.
Drejtimi i ri i ardhshëm vjen pasi legjislatura e Partisë Komuniste të Kinës, Kongresi Popullor Kombëtar, u mblodh në Pekin më 5 mars për një mbledhje më të gjatë se një javë, për të shpalosur planin e ri ekonomik – i njohur edhe si plani 14-të me radhë, pesëvjeçar – dhe për të hartuar një kurs më të gjerë të Kinës, me qëllim që Kina të marrë vendin e saj si shtet modern dhe fuqi e vërtetë botërore.
Në samitin vjetor ligjvënësve kinezë kanë prezantuar udhëzime që do të formësonin modelin e rritjes së shtetit në 15 vjetët e ardhshme.
Të preokupuar me rritjen e industrisë së teknologjisë të Kinës dhe me thellimin e rivalitetit me Shtetet e Bashkuara, ky plan po ashtu i jep një platformë Xi Jinpingut që të marrë merita për stilin e tij autokratik dhe shtrëngimit të pushtetit në Kinë.
Derisa plani i Kinës është i fokusuar në synime të brendshme, këto synime mbesin të lidhura me ambiciet globale të Pekinit, veçanërisht me iniciativën “Brezi dhe Rruga” - një term i përdorur për projekte disa miliarda dollarëshe të politikës së jashtme të Xi, që kanë për qëllim të krijojë ndikimin përmes infrastrukturës, investimeve dhe lidhjeve më të ngushta politike.
“Mesazhi është vazhdimi i minimizimit të asaj që kemi parë për vite me radhë, që është se Kina po forcohet dhe po ndihet e sigurt që të arrijë qëllimet e saj në mbarë botën”, tha për Radion Evropa e Lirë, Raffaello Pantucci, bashkëpunëtor në Institutin Royal United Services të Londrës.
Edhe ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi e mbështeti këtë qëndrim gjatë konferencës për media më 8 mars, në margjinat e kongresit që u mbajt në Pekin, ku ai tha se nuk ka asnjë pauzë sa i përket iniciativës “Brezi dhe Rruga” dhe se kjo nismë do të vazhdojë të evoluojë pavarësisht kufizimeve që janë vendosur për shkak të pandemisë.
“Iniciativa ‘Brezi dhe Rruga’ nuk është një projekt specifik, por më tepër është një vizion më i gjerë”, tha Pantucci, duke shtuar se “vizionet mund të riformësohen sipas nevojës, gjë që është pikërisht kjo që po shohim tani”.
Një vizion në zhvillim
Pavarësisht shfaqjes së fuqisë dhe unitetit që erdhi nga Pekini mbi suksesin e Kinës në parandalimin e përhapjes së COVID-19 dhe rritjes së ekonomisë, Pekini tani po përballet me një presion të ri botëror.
Iniciativa “Brezi dhe Rruga” është përballur me sfida së fundmi, për shkak të shqetësimeve të shteteve mbi grumbullimin e borxheve dhe shumë qeveri – nga Afrika e deri në Azinë Qendrore – po kërkojnë nga Kina që t’ua falë borxhet ose ristrukturim të borxheve. Pekini po ashtu po kërkon që ta rindërtojë besueshmërinë e tij, që është dëmtuar për shkak të mënyrës se si në fillim e menaxhoi pandeminë në qytetin Vuhan, por edhe për shkak të rritjes së presionit nga shtetet Perëndimore, që kanë filluar të sfidojnë politikat e teknologjisë dhe ato politike të Kinës.
Duke u ballafaquar me këto probleme, Pekini ka shikuar për mundësi të reja që të tregojë lidership botëror, duke u ofruar vaksina dhe pajisje mjekësore shteteve në mbarë botën dhe duke ngritur shqetësime lidhur me ndryshimin e klimës.
Por, kjo nuk është zbatuar edhe për iniciativën “Brezi dhe Rruga”.
Gjatë konferencës për media, Wang u fokusua në infrastrukturën tradicionale të kësaj iniciative, por ai gjithashtu vuri në dukje edhe horizonte të reja, siç është diplomacia mjekësore, por edhe ndryshimin e fokusit për në teknologji dhe në ndihmën e huaj. Kina është duke u shndërruar në donatoren më të madhe në botë dhe në janar Qeveria kineze tregoi se ka plane që të luajë rol më ambicioz në sistemin e ndihmës ndërkombëtare.
Shumë ekspertë gjithashtu thonë se Pekini po tenton që të shfrytëzojë fushatën e saj të “diplomacisë së vaksinave” dhe të përdorë edhe suksesin ndaj luftës kundër varfërisë në mënyrë që të gjejë forma të reja për të ndërtuar raporte dhe për të thelluar bashkëpunimin me shtetet në mbarë botën.
“Luftimi i pandemisë dhe koordinimi shëndetësor që lidhen me shfaqjen e pandemisë dhe pasojave të saj, do të jenë në fokusin e diplomacisë kineze në të ardhmen”, tha për Radion Evropa e Lirë, Zhang Xin, hulumtues në Universitetin East China.
“‘Brezi dhe Rruga’ është një iniciativë ombrellë, ku mund të përfshihet gjithçka dhe kjo do të jetë një nga frontet e reja nën atë ombrellë”, thotë Xin.
Realiteti në terren
Pavarësisht mundësive në rritje, projekti kryesor i Kinës po përballet me shumë sfida në terren, që i ka prodhuar pandemia e koronavirusit.
Përveç shqetësimeve për borxhin, kufijtë e mbyllur apo pjesërisht të hapura të shteteve fqinje të Kinës në Jug dhe në Azinë Qendrore, masa këto të ndërmarra për shkak të pandemisë, vazhdojnë të jenë një pikë tensionuese dhe që kanë shkaktuar vështirësi në tregti dhe rritje të kostos së transportit.
Tregtia jashtë vendit e energjisë së Kinës ka rënë në nivelin më të ulët që prej vitit 2008, pasi pandemia dëmtoi arritjen e marrëveshjeve me shtetet në zhvillim, thuhet në të dhënat e databazës për Financim të energjisë globale të Universitetit të Bostonit. Sipas të dhënave të këtij universiteti, financimi i projekteve të huaja të energjisë ka rënë për 43 për qind, në 4.6 miliardë dollarë më 2020.
Dhe përderisa pandemia rriti transportin me tren të mallrave nga Kina në Evropë, COVID-19 ngadalësoi tregtinë nga Azia Qendrore për në Kinë. Vetëm një sasi e vogël e mallrave po lejohen që të kalojnë përmes pikëkalimit kufitar të Kinës me Kirgizinë, gjë të cilën qeveria në Bishkek po mundohet që ta ndryshojë teksa po përballet me vështirësitë ekonomike të shkaktuara nga pandemia.
Kryeministri kirgiz, Ulukbek Maripov më 3 mars u takua me ambasadorin kinez në Bishkek, Du Dewen për të biseduar për rritjen e tregtisë, por përparimi në këtë drejtim është ende i paqartë për aq kohë sa Kina vazhdon të jetë e kujdesshme sa i përket përhapjes së COVID-19 në Azinë Qendrore.
Ngjashëm, tregtarët në Taxhikistan ende po përballen me mbylljen e kufijve, që po ua pamundësojnë që të eksportojnë mallrat e tyre në destinacionin kryesor. Shumica e tregtarëve të këtij shteti po ankohen se për shkak të këtyre kufizimeve, ata po zëvendësohen me tregtarë kinezë.
Sipas të dhënave paraprake të tregtisë kineze për vitin 2020, importet në Kinë nga Kirgizia dhe Taxhikistani kanë rënë për më shumë se 45 për qind krahasuar me vitin 2019.
Tensionet po ashtu po vazhdojnë të rriten në Pakistan, ku Korridori Ekonomik Kinë-Pakistan, një projekt i iniciativës “Brezi dhe Rruga”, po ka progres të ngadaltë për shkak të pengesave dhe vonesave të ndryshme. Përderisa problemet me këtë iniciativë nuk janë gjë e re, Pekini ka shprehur frustrimet e tij dhe ka mbështetur ushtrinë pakistaneze që të marr më shumë kontroll mbi Korridorin Ekonomik Kinë-Pakistan, pasi e sheh ushtrinë si një partnere më të besueshme sesa klasën politike të Pakistanit.
Partneriteti Kinë-Rusi
Tregtia dhe raportet me Rusinë, megjithatë, duket se janë ende në një pikë të ndritshme për Pekinin. Sipas të dhënave doganore ruse, Kina vazhdon të përbëjë një pjesë të madhe të tregtisë së saj, teksa Moska vazhdimisht e gjen veten cak i sanksioneve nga Perëndimi.
Marrëdhëniet politike ndërmjet Pekinit dhe Moskës po ashtu po thellohen. Ministri i Jashtëm kinez, Wang, gjatë konferencës për media të 8 marsit, po ashtu foli për atë se si qeveritë e këtyre dy shteteve po punojnë së bashku në shumë fusha, që prej planeve për të ndërtuar një stacion të përbashkët hënor, e deri te përpjekjet për prodhimin e vaksinave.
Wang po ashtu tha se të dyja shtetet po punojnë për të luftuar “revolucionet shumëngjyrëshe” dhe për të luftuar kundër “virusit politik”, duke aluduar në armiqësinë e këtyre dy shteteve ndaj Shteteve të Bashkuara.
“Toni i përgjithshëm është mjaft i qartë, partneriteti ndërmjet Kinës dhe Rusisë po vlerësohet jashtëzakonisht shumë”, tha Zhang Xin nga Universiteti East China në Shangai.
“Shteti kinez po e vë në pah këtë marrëdhënie dhe se si ata mund të veprojnë së bashku me Rusinë, për t’u ballafaquar me sfidat e përbashkëta në mbarë botën”, shtoi Zhang.
Më mesin e sfidave kryesore për Pekinin është që të vazhdojë ta rrisë ekonominë e tij brenda vendit dhe të di se si të veprojë karshi rivalitetit që ka me Shtetet e Bashkuara.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe Këshilltari për siguri kombëtare, Jake Sullivan, më 18 mars, do të takohen në Alaskë me homologët e tyre kinezë, që do të jetë edhe takimi i parë i Pekinit me administratën e presidentit amerikan, Joe Biden.
Kina po ashtu po kërkon që të ndërmarrë politika të suksesshme brenda vendit dhe të ndërtojë mbi to nën flamurin e iniciativës “Brezi dhe Rruga”. Kina ishte e vetmja ekonomi e madhe botërore që kishte rritje gjatë vitit të kaluar dhe shumë prej fqinjëve të saj në mbarë Euroazinë po shpresojnë që rritja ekonomike e Kinës t’u ndihmojë edhe atyre në rimëkëmbjen ekonomike pas pandemisë.
Por, vetë rimëkëmbja e Kinës mbetet e ndjeshme në disa fusha, përfshirë edhe në atë të shpenzimeve të konsumatorëve dhe rregullatorët po shqetësohen lidhur rritjen e çmimeve të patundshmërive në nivele të paqëndrueshme. Bursa kineze nisi që të rimëkëmbej më 11 mars, pas një kohe të gjatë dhe vetëm pasi në kërkimet në rrjetet sociale u bllokua fjala “bursë”, duke treguar edhe njëherë ndjeshmërinë ndaj gjithçkaje që mund të dëmtojë ambiciet e Pekinit si brenda ashtu edhe jashtë vendit.
“Ka shumë sfida që e presin në të ardhmen udhëheqësinë kineze dhe navigimi dhe mbajtja e rritjes ekonomike është më e madhja”, tha për REL, Ho-Fung Hung, profesor i politikës ekonomike në Universitetin Johns Hopkins.
“Xi kujdeset për fuqinë politike dhe rritja ekonomike është mënyra më e mirë që ai ta mbajë pushtetin”, thotë ai.
Facebook Forum