Ndërlidhjet

Sveçla: Serbët refuzuan zëvendësimin e njësive speciale me KFOR-in


Një pjesëtar i njësive speciale të Policisë së Kosovës në Jarinjë.
Një pjesëtar i njësive speciale të Policisë së Kosovës në Jarinjë.

Kryetarët e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës kanë refuzuar ofertën e KFOR-it, që ky mision të përkujdeset pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak dhe që njësitë speciale të Policisë së Kosovës të tërhiqen, ka thënë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Këto komente ai i bëri të martën gjatë një konference për media në Prishtinë, pas një takimi që pati me homologun e tij austriak, Karl Nehammer.

Më 27 shtator, komandanti i misionit të Aleancës Veri-atlantike në Kosovë, gjeneralmajor Franco Federici tha se ka biseduar me përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës dhe me kryetarët e komunave veriore për shtensionimin e situatësë veri të vendit.

“Duke qenë se KFOR-i ka ofruar angazhime shtesë dhe ka ofruar që të sigurojë policinë tonë kufitare me forca shtesë edhe në pikat kufitare, ne kemi thënë se me largimin e barrikadave, prezenca e njësive speciale do të ishte e panevojshme. Por, edhe kjo ofertë e komandantit të KFOR-it është refuzuar nga këto elemente ekstremiste dhe me këtë refuzim këta veçse e kanë dëshmuar që nuk janë të brengosur, siç thoshin më herët, me praninë e forcave speciale, por qëllimet e tyre janë thellësisht politike dhe në dëm të sovranitetit të vendit tonë”, deklaroi Sveçla.

Përpjekjet e Prishtinës për ta kontrolluar veriun
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:03:05 0:00

Ministri Sveçla tha se mirëpret ndihmën e misionit të KFOR-it dhe EULEX-it, por shtoi se Policia e Kosovës është e aftë që të sigurojë zbatimin e ligjit.

“Situata atje është e qetë dhe e kontrolluar, me ndihmën e shteteve aleate dhe me ndihmën e misioneve aleate, paqësisht do ta tejkalojmë këtë situatë”, tha Sveçla.

Rrugët që çojnë në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak janë të bllokuara për të nëntën ditë me radhë.

Qytetarët serbë, me kamionë dhe mjete të tjera të rënda kanë bllokuar këto dy rrugë nacionale, në shenjë proteste për vendosjen e masës së reciprocitetit për automjetet me targa nga Serbia.

Stefanoviq: Ushtria serbe nuk hyri ku nuk duhet

Në anën tjetër, ushtria serbe ka rritur nivelin e gatishmërisë luftarake përgjatë kufirit me Kosovën, deklaroi ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Nebojsha Stefanoviq. Megjithatë, ai tha se ushtria "nuk ka hyrë ku nuk duhet të hyjë".

Ai tha për televizionin serb Pink TV se ngritja e gatishmërisë ushtarake është "mbi të gjitha një mekanizëm parandalues".

“Ky është vendim sovran dhe kemi të drejtë të vendosemi në territorin tonë. Askush nuk do të na tregojë çfarë të bëjmë”, tha Stefanoviq.

Eurodeputetët kërkojnë zgjidhje paqësore për situatën në veri

Të martën, më 28 shtator, disa deputetë të Parlamentit Evropian, që janë raportues për vendet e Ballkanit Perëndimor, të martën u bën thirrje Kosovës dhe Serbisë që të gjejnë një zgjidhje paqësore dhe të qëndrueshme për situatën në veri.

“Dëshirojnë që të shohin tërheqjen e njësive speciale të policisë dhe çfarëdo formacioneve ushtarake dhe heqjen e bllokadave të rrugëve”, thuhet në deklaratën e përbashkët të raportueses për Kosovën, Viola von Cramon-Taubadel, raportuesit për Serbinë, Vladimir Bilçik, udhëheqësit të delegacionit për raportet midis Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës, Romeo Franz dhe Tanja Fajon, që kryeson delegacionin për raportet me Serbinë në Parlamentin Evropian.

Eurodeputetët po ashtu kërkuan që të ndalen veprimet dhe provokimet, sipas tyre, ndikojnë në mirëqenien e komuniteteve.

“Kërkojmë nga Bashkimi Evropian dhe partnerët e tij që të vazhdojnë punën drejt shtensionimit të krizës dhe i ftojmë liderët e Kosovës dhe Serbisë të përdorin platformën që ofron dialogu i lehtësuar nga BE-ja për të zgjidhur të gjitha çështjet e hapura, përfshirë edhe ato që lidhen me lirinë e lëvizjes”, thuhet në deklaratën e përbashkët.

KFOR-i rrit praninë në veri për t’i ulur tensionet

Që prej vendimit për reciprocitetin për targat, në Jarinjë dhe Bërnjak po qëndrojnë njësitë speciale të Policisë së Kosovës dhe më 27 shtator, misioni i Aleancës Veri-atlantike në Kosovë, KFOR njoftoi se ka rritur patrullimet në pikëkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Franco Federici tha se masat e ndërmarra në veri të Kosovës kanë për qëllim “uljen e shpejtë të tensioneve” si dhe “rivendosjen e mjedisit të sigurt” dhe të “lirisë së lëvizjes për të gjitha komunitetet”.

KFOR-i patrullon afër bllokadave në Jarinjë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:59 0:00

Ditëve të fundit është raportuar se avionë të Serbisë kanë fluturuar në afërsi të Jarinjës.

Më 27 shtator, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë një vizite në Prishtinë tha se “manovrat teatrale ushtarake të Serbisë” në afërsi të kufirit të Kosovës, “nuk i mbrojnë qytetarët serbë në veriun e Kosovës”. Ndërkaq, po ashtu i bëri thirrje Kosovës që të mos krijojë probleme me miqtë ndërkombëtarë përmes mbajtjes së njësive speciale të policisë në kufi.

Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se njësitë speciale janë dërguar atje për të mbrojtur pikat kufitare dhe policitë kufitarë dhe jo “për të demonstruar një forcë”.

Rama: Manovrat ushtarake të Serbisë nuk mbrojnë serbët e Kosovës
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:42 0:00

Ndërkaq, më 25 shtator kanë ndodhur dy incidente në veri të Kosovës, për të cilat, Prishtina fajësoi Beogradin. Në Zubin Potok është djegur Qendra për Regjistrimin e Automjeteve, ndërkaq në Zveçan është sulmuar Qendra e Regjistrimit Civil.

Qeveria e Kosovës insiston se Serbia për vite të tëra aplikon masë të njëjtë për automjetet me targa të Kosovës.

Sipas vendimit të 20 shtatorit, të gjitha automjetet me targa të Serbisë me të hyrë në Kosovë duhet t’i heqin ato dhe të pajisjen me targa të përkohshme, të lëshuara nga autoritetet e Kosovës.

Për këto targa të përkohshme shoferët duhet të paguajnë pesë euro dhe vlefshmëria e tyre është dy muaj.

Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se që prej 20 shtatorit ka lëshuar mbi 11,000 targa të përkohshme në të gjitha pikëkalimet kufitare dhe në qendrat e regjistrimit të automjeteve në mbarë Kosovën.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG