Opozita maqedonase ka ngritur dyshimet se Bullgaria po përgatit kërkesa të reja ndaj Maqedonisë së Veriut në procesin e integrimit evropian.
Reagimi i VMRO DPMNE-së, që drejtohet nga Hristijan Mickoski pason njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bullgarisë mbi nevojën e miratimit të një “dokumenti të shkruar, që do të përcaktojë detyrat e institucioneve, organizatave të ndryshme në lidhje me atë që duhet bërë në të ardhmen në marrëdhëniet me Maqedoninë e Veriut, që të përcaktohen qartë detyrat dhe përgjegjësitë, në mënyrë që të priten edhe rezultate”.
Zyrtarët bullgarë nuk kanë dhënë detaje tjera mbi “dokumentin e shkruar” përveç pritjeve për konsolidimin politik në Maqedoninë e Veriut dhe vendosmërisë që të negociojnë me institucionet dhe jo me partitë politike.
“Shpresoj se do të ketë një procedurë konsolidimi në Maqedoninë e Veriut për atë që mund të bëjmë hapa pozitivë, sepse fatkeqësisht, konsensusi nuk është shumë i dukshëm atje. Atje njëra palë është e hapur për dialog dhe tjetra është kundër dhe mendoj se do të jetë shumë më e lehtë nëse partner e kemi shtetin, jo partitë politike”, ka deklaruar ministri në detyrë i Punëve të Jashtme i Bullgarisë, Nikollaj Millkov.
VMRO DPMNE-ja ka vlerësuar se pas “dokumentit të shkruar” qëndrojnë kërkesa të reja nga pala bullgare që, sipas opozitës maqedonase, “mund të rrënojnë edhe më shumë çështjet që kanë të bëjnë me gjuhën, identitetin, historinë dhe veçoritë tjera të popullit maqedonas”.
“Qytetarët nuk i japin mbështetje kornizës negociuese ashtu siç është promovuar dhe synohet të shtyhet përpara, ndërkohë që sërish kushte të reja dhe dokumente të reja nga Bullgaria ndaj Maqedonisë [së Veriut]. Protokolli dhe korniza e negociatave, të cilat hynë në marrëdhëniet dypalëshe nuk mjaftuan".
"Tani po na përgatitet një dokument i ri me kushte dhe detyra të reja që shteti duhet t'i përmbushë... Derisa kreu i Ministrisë së Jashtme Bullgare flet publikisht për kushte të reja, kryeministri Dimitar Kovaçevski, ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, dhe zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq, janë fshehur dhe heshtin për atë që po përgatitet në Bullgari. Ata duhet menjëherë të përgjigjen se çfarë përmbajnë këto dokumente të reja, cilat janë kërkesat dhe kushtet e reja të Bullgarisë”, ka thënë zëdhënësi i VMRO DPMNE-së, Dimçe Arsovski.
Por, Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut, përmes një komunikate, pretendimet e opozitës maqedonase i ka quajtur “spekulime”.
I hedhim poshtë të gjitha pretendimet se po përgatiten detyrime të reja për dy vendet, përtej parimeve të dakorduara në Protokollin e përbashkët..."
“I hedhim poshtë të gjitha pretendimet se po përgatiten detyrime të reja për dy vendet, përtej parimeve të dakorduara në Protokollin e përbashkët e të cilat nënkuptojnë: fillimisht, reciprocitet në kuadër të detyrimeve të marra si dhe autonomi në punën e Komisionit të përbashkët multidisiplinar të ekspertëve për çështje historike dhe arsimore".
"Të gjitha informacionet e paraqitura kanë të bëjnë me rregullimin e brendshëm, mënyrën e organizimit, planet e veprimit dhe prioritetet e Qeverisë së re të Bullgarisë. Ato janë punë të brendshme të Bullgarisë dhe nuk kanë të bëjnë asgjë me raportet dypalëshe”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme në Shkup.
Maqedonia e Veriut më 19 korrik ka nisur bisedimet e anëtarësimit me Bashkimin Evropian dhe një ditë më vonë ka nënshkruar me Sofjen një protokoll për përmbushjen e obligimeve nga ai që njihet si propozimi francez për zgjidhjen e kontesteve mes dy vendeve, lidhur me çështjet historike, gjuhën dhe identitetin.
Dallimet mes dy vendeve duhet të zgjidhen gjatë procesit të bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Bisedimet reale apo ato për kapitujt, do të nisin vetëm pasi Maqedonia e Veriut të bëjë ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e pakicës bullgare në të, që është edhe kushti kryesor i Sofjes për të mos penguar konferencën e dytë mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së.
Maqedonia e Veriut statusin e shtetit kandidat e ka fituar në vitin 2005, por për nisjen e bisedimeve ka pritur 17 vjet për shkak të kontesteve të pazgjidhur me shtetet fqinje, fillimisht me Greqinë për çështjen e emrit e tani me Bullgarinë për gjuhën dhe identitetin.
Facebook Forum