Në njërën anë, bashkëpunim dhe optimizëm. Në anën tjetër, paralajmërime për paqëndrueshmëri. Ky dualizëm karakterizon prej kohësh Ballkanin Perëndimor - rajonin ku aspiratat për partneritet dhe përparim ndeshen shpesh me përçarjet dhe mosbesimin historik.
Përfaqësuesit e gjashtë vendeve të tij - Kosovës, Shqipërisë, Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Bosnje e Hercegovinës - u ulën më 14 tetor bashkë në një tryezë në Berlin dhe nënshkruan një Plan Veprimi për Tregun e Përbashkët Rajonal, si dhe Marrëveshje për Qasje në Arsimin e Lartë në vendet e njëri-tjetrit.
Nikoqiri i takimit, kancelari gjerman, Olaf Scholz, e trumbetoi këtë si përparim të madh.
“Kjo do ta bëjë punën përtej kufijve më pak të komplikuar dhe do t'ju sjellë dukshëm më afër standardeve të BE-së”, tha ai.
Dy ditë më vonë, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, përçoi tjetër mesazh nga Brukseli:
“Situata në Ballkanin Perëndimor mbetet shqetësuese për shkak të kërcënimeve secesioniste në Bosnje e Hercegovinë, si dhe për shkak të situatës së brishtë të sigurisë në Kosovë dhe përparimit të vogël në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”.
Bashkësia ndërkombëtare, prej vitesh, bën përpjekje të rrisë bashkëpunimin mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilat kanë kaluar nëpër luftëra të përgjakshme në vitet ’90, dhe t’i përafrojë ato me Bashkimin Evropian. Për këtë qëllim ka iniciuar edhe Procesin e Berlinit në vitin 2014, i cili përfshin të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Çdo vit, përfaqësuesit e tyre mblidhen në samite, bashkë me ata të vendeve partnere, dhe bëjnë marrëveshje e deklarata.
Deri më tash kanë prodhuar mbi 40 deklarata dhe marrëveshje në fusha të ndryshme - nga tregtia deri te lëvizja e lirë e njerëzve - por një pjesë e madhe e tyre ka mbetur pa u zbatuar.
Marika Djolai, anëtare e Grupit Këshillimor Ballkani në Evropë dhe bashkautore e një studimi për ecurinë 10-vjeçare të Procesit të Berlinit, shpjegon për programin Expose të Radios Evropa e Lirë se përse ka ngecje në përmbushjen e zotimeve që merren përsipër:
“Janë disa marrëveshje, që janë më pak relevante në një moment të caktuar gjeopolitik, por nganjëherë ka edhe mungesë angazhimi nga qeveritë e Ballkanit Perëndimor për t’i zbatuar ato. Pra, nganjëherë bëhet fjalë për çështje politike, nganjëherë për çështje ekonomike apo financash, e nganjëherë, thjesht, nisma është shumë komplekse për t’u realizuar shpejt”.
Për Silavana Mojsovskën, nga Instituti i Ekonomisë në Universitetin e Shën Cirilit dhe Metodit në Shkup, zbatimi i marrëveshjeve kërkon përshtatje të politikave kombëtare, e që shpesh nuk bëhet, sepse qeveritë zëvendësojnë njëra-tjetrën dhe ndjekin prioritete të tjera. Presioni, sipas saj, është po ashtu i pashmangshëm.
“Për shembull, gjatë pandemisë COVID-19, janë krijuar korridoret e gjelbra në Ballkanin Perëndimor për ta bërë më të shpejtë dhe më të lehtë qarkullimin e mallrave thelbësore mes vendeve të rajonit”, kujton ajo.
“Ky ka qenë një model i mirë sesi vendet i kanë zbatuar masat që u janë dashur - edhe pse kjo ka ndodhur për shkak të krizës nga COVID-19. Ndaj, nëse nuk ka presion - qoftë pozitiv, qoftë negativ - disa marrëveshje kanë tendencë të mos zbatohen”, thotë Mojsovska.
Të dyja këto vëzhguese thonë se Procesi i Berlinit është duke shkuar përpara dhe se kjo është një gjë e mirë. Me fjalët e Marika Djolait, përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë, pavarësisht marrëdhënieve të tensionuara, “ulen në një tryezë tash e dhjetë vjet dhe negociojnë projekte praktike që japin shpresë”.
Por, ndryshe prej tyre, Besar Gërgi, nga Grupi për Studime Ligjore dhe Politike në Prishtinë, ofron një pamje më kritike të gjendjes së Procesit të Berlinit. Sipas tij, ai është në status quo - Qeveria gjermane përpiqet të nxisë pajtimin me ide e politika të reja, por në mesin e vendeve të rajonit ka pak gatishmëri e entuziazëm.
“Mendimi i shtyrë nga Berlini është se, nëse këto vende tregtojnë mes vete - pra kanë shkëmbime më të mëdha tregtare - ato do të kenë zhvillim ekonomik dhe problemet politike do të tejkalohen. Ky është një lloj mendimi që Berlini e ka përdorur edhe me Rusinë më herët, duke thënë se nëse BE-ja dhe Ukraina tregtojnë më shumë me të, duke blerë naftën dhe gazin e saj, atëherë Rusia, në një mënyrë, do të hyjë në orbitën e Perëndimit dhe nuk do të ketë incentiva për të krijuar probleme”, thotë Gërgi.
“Me pushtimin rus të Ukrainës, e kemi parë se kjo nuk qëndron. Pa marrë parasysh marrëdhëniet ekonomike, janë marrëdhëniet politike ato që kanë epërsi ndaj të gjitha të tjerave”, thekson ai.
Si çështjen më problematike në rajon, Gërgi sheh kontestin mes Kosovës dhe Serbisë. Ai thotë se Serbia ka gatishmëri për të nënshkruar marrëveshje, por jo edhe për t’i zbatuar ato.
Edhe në Bosnje e Hercegovinë kujton se ka probleme në raport me Kosovën, për shkak të mospajtimeve në vendimmarrje midis Sarajevës zyrtare dhe Banjallukës. Gërgi thotë se rrugëdalja qëndron vetëm te zgjidhja e çështjeve të hapura politike - pa këtë zgjidhje nuk mund të ketë përparim në Procesin e Berlinit apo në çfarëdolloj mekanizmi tjetër rajonal, thotë ai.
“Për të marrë një shembull nga arena ndërkombëtare - Kina dhe SHBA-ja me dekada kanë pasur probleme, derisa Amerika e ka pranuar politikën e një Kine, duke e njohur zyrtarisht Pekinin si kryeqytet të saj dhe Qeverinë komuniste si qeveri të vetme në Kinë”, thotë Gërgi.
Në përpjekje për t’i normalizuar marrëdhëniet, Kosova dhe Serbia zhvillojnë negociata qysh në vitin 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Edhe në këtë proces, ato kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por shumë prej tyre mbeten pa u zbatuar, dhe palët akuzojnë njëra-tjetrën për mungesë gatishmërie.
Në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë në fund të gushtit, ndërmjetësuesi evropian i bisedimeve, Mirosllav Lajçak, ka thënë se shoqëritë në Kosovë dhe në Serbi nuk janë gati për normalizim.
Sipas tij, sa herë që udhëheqësit bëjnë marrëveshje, ata kritikohen se kanë bërë lëshime, por “njerëzit duhet ta kuptojnë se normalizimi kërkon kompromis”.
Gërgi thotë se Perëndimi shpesh ndjek “politika të zbutjes” me Serbinë, e të cilën gjë e përmend herë pas here edhe Qeveria e Kosovës. Sipas analistit, Perëndimi duhet ta kuptojë më qartë “rrezikun real”.
“Shpeshherë thuhet se në politikë nuk duhet të shikohen fjalët, por veprat. Dhe, veprat e qeverive zakonisht shikohen me shpenzimet e tyre. Nëse flasim për vitet e fundit - në vitin 2020, shpenzimet ushtarake të Serbisë ishin 786 milionë euro, ndërsa sivjet buxheti i miratuar ishte 1.35 miliard euro. Pra, kemi gati dyfishim për katër vjet - dhe kjo në një periudhë post-pandemike, kur shumica e qeverive janë fokusuar në ekonomi, Qeveria serbe është fokusuar në riarmatim”, thotë Gërgi.
Perëndimi i ka siguruar vendet e Ballkanit Perëndimor se e ardhmja e tyre qëndron në BE, me kusht që i zgjidhin çështjet e hapura. Për t’iu dhënë shtysa në këtë drejtim, BE-ja vazhdimisht ndan edhe mjete financiare për to. Aktualisht, vetëm Kosova nuk është kandidate zyrtare për anëtarësim në bllok.
Në 10-vjetorin e Procesit të Berlinit, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se duhet shikuar nga një e ardhme, ku “të gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor janë pjesë e Unionit tonë”.
Duke i dhënë mbështetje këtij vizioni, Jellena Xhankiq, nga Instituti Universitar Evropian në Firence, thekson nevojën për ndryshimin e mendësisë dhe të kursit. Duke folur për Exposenë, ajo vë në pah këndvështrimin aktual të qytetarëve të rajonit:
“Ajo çka kam vënë re, sidomos në dy-tre vjetët e fundit, është se ata janë lodhur nga krizat, nga problemet e vazhdueshme politike, nga çështjet historike që ringjallen vetëm në mbështetje të narrativëve politikë. Si nga bisedat me qytetarë të rëndomtë, ashtu edhe me disa përfaqësues politikë, kam parë një lloj lodhjeje nga shpikja e vazhdueshme e krizave. Ndaj, është koha për të shikuar përpara”.
E, për të shikuar përpara, duhet të ketë angazhim të sinqertë kolektiv. Në fund të fundit, kush nuk do të donte të dilte nga cikli i pafund i krizave? Por, në këtë rajon me histori komplekse, përparimi kërkon, para së gjithash, njohje të vërtetë të realitetit, ndërsa paralajmërimet e NATO-s mund të shërbejnë si thirrje për veprim.