Ndërlidhjet

Biden synon fitoren në Florida, shtet kyç për zgjedhjet presidenciale


Kandidati demokrat për president të SHBA-së, Joe Biden.
Kandidati demokrat për president të SHBA-së, Joe Biden.

Kandidati i demokratëve për president, Joe Biden është duke tentuar të rrisë mbështetjen e votuesve të shtetit të Floridas, që konsiderohet një prej vendeve kyçe në zgjedhjet e 3 nëntorit.

Përgjatë një vizite te një komunitet i të moshuarve në qytetin Pembroke Pines, Biden ka kritikuar presidentin amerikan, Donald Trump për mënyrën e menaxhimit të pandemisë së koronavirusit.

"Për Donald Trumpin, ju jeni të pavlerë. Ju jeni të harruar. Ju virtualisht nuk jeni askush”, i ka thënë Biden një grupi prej rreth 50 personave në qarkun Brouard në Floridan Jugore.

“I moshuari i vetëm për të cilin kujdeset Donald Trump është i moshuari Donald Trump”, ka thënë 77-vjeçari Biden.

“Menaxhimi i pandemisë nga ai ka qenë i çrregullt, ashtu sikurse presidenca e tij”, ka thënë mes tjerash ai.

Florida është një prej vendeve që duhet fituar patjetër nga Trump nëse dëshiron të kthehet në Shtëpinë e Bardhë për katër vjetët e ardhshëm.

Trump, Biden përplasen në debatin e parë kaotik
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:05:32 0:00

Në nivel kombëtar, sondazhet tregojnë se Biden udhëheq me 10 për qind në krahasim me Trumpin, teksa kanë mbetur tri javë para zgjedhjeve.

Megjithatë, një kandidat duhet të ketë 270 vota të Kolegjit Zgjedhor për të fituar Shtëpinë e Bardhë, të cilat përcaktohen jo nga vota popullore, por nga shtetet fituese.

Florida ka 29 vota të kolegjit elektroral.

Trump ka mundur ish-kandidaten demokrate Hillary Clinton në zgjedhjet e vitit 2016, në Florida për 1.2 për qind, mirëpo sondazhet e fundit kanë sugjeruar garë të ngushtë në Florida, ndonëse disa e vendosin Bidenin përpara.

Presidenti Trump, që ka organizuar një tubim në Florida më 12 tetor, ka tentuar të lavdërojë menaxhimin e pandemisë nga administrata e tij dhe shërimin e tij së fundmi nga sëmundja COVID-19, që shkakton koronavirusi.

Ai i ka quajtur të moshuarit “njerëzit e tij të preferuar në botë”, dhe u ka premtuar atyre “trajtimin e njëjtë” sikurse që ka pranuar presidenti për koronavirus.

Mirëpo pas infektimit të Trumpit me këtë virus dhe shtrirjes së tij në spital për tri ditë, 37 për qind e të rinjve amerikanë kanë thënë se përkrahin menaxhimin e pandemisë nga ai, ndërkohë që 59 për qind janë kundër strategjisë së Trumpit, sipas një sondazhi të kryer nga Reuters/Ipsos.

Nivelet e përkrahjes së Trumpit duket se janë më të dobëta në mesin e të moshuarve, kryesisht për shkak të menaxhimit të pandemisë, e cila ka lënë të vdekur më shumë personat e moshave të vjetra.

Rreth 80 për qind e 215,000 viktimave nga koronavirusit në SHBA, kanë qenë persona të moshës 65-vjeçare apo më të vjetër, sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

Një sondazh i fundit i mediumeve amerikane, NBC/Wall Street Journal, ka rezultuar me rritje të përkrahjes për Bidenin për 27 pikë, në krahasim me Trumpin, apo 62-35.

Koronavirusi "prin" në fushatën presidenciale
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:10:55 0:00

Ndërkohë një tjetër sondazh i kryer nga CNN/SSRS ka rritur përkrahjen e Bidenit për 21 pikë në mesin e amerikanëve të moshës 65-vjeçare apo më të vjetër, përkatësisht 60 për qind përkrahje për Bidenin, 39 për qind për Trumpin.

Amerikanët përtej moshës 65-vjeçare kanë favorizuar Trumpin ndaj Clintonit me një margjinë prej 53 për qind, respektivisht 45 për qind, sipas sondazheve dhe Qendrës Kërkimore Pew.

Të moshuarit konsiderohen demografi kyçe për të fituar pozitën e presidentit.

Personat e moshave 65-vjeçare e më të vjetër, përbëjnë rreth 16 për qind të elektoratit amerikan, mirëpo të moshuarit votojnë më shumë sesa moshat e reja.

Florida po ashtu ka shkallë më të lartë të të moshuarve sesa shtetet tjera, me 20.5 për qind të popullsisë të moshës 65 vjeç e më të vjetër.

Në zgjedhjet e vitit 2016, votuesit e moshave 65-vjeçare e më tepër kanë votuar me një shkallë prej 71 për qind, në krahasim me mesataren kombëtare prej 61 për qind.

Vetëm 46 për qind e votuesve të moshave 18-29 vjeçe, një grup që ka tendencë të përkrahë demokratët, ka votuar në zgjedhjet e fundit presidenciale.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG