Shtatë vjet pas vrasjes së Donjeta Pajazitajt nga një kushëri i saj, në bjeshkët e Strellcit në Komunën e Deçanit, vëllai i saj, Shkëlqimi, rrëfen se si është të jetosh me dhimbje - kur ëndrrat e ëmbla se Donjeta është ende e gjallë sfidohen nga realiteti i hidhur, me të cilin familjarët përballen kudo, nga shtëpia deri te sallat gjyqësore.
Rrugën gati trikilometërshe nga shtëpia e familjes Pajazitaj deri te stacioni i autobusëve në fshatin Strellc të Deçanit, Donjeta dhe Shkëlqimi e përshkonin çdo ditë së bashku, gjatë viteve 2011 dhe 2012.
Tani, shtatë vjet pas vrasjes së motrës së tij të madhe, Shkëlqimit i bie shpeshherë të ecë në të njëjtën rrugë, me mendjen te kujtimet e tij me të.
“Kur kaloj në atë rrugë, tash e shtatë vjet, është e pamundur të mos më kujtohet diçka me të. Sa shaka, sa muhabete... Kemi pasur mendime qysh ta bëjmë një jetë më të mirë, ta përfundojmë shkollën, ta gjejmë një vend sa më të mirë të punës”, kujton Shkëlqimi për Radion Evropa e Lirë.
Më 9 nëntor të vitit 2015, në ato rrugë të fshatit Strellc filloi edhe makthi i familjes Pajazitaj. Sipas Prokurorisë së Kosovës, derisa Donjeta 24-vjeçare po shkonte atë ditë në punë, i akuzuari për vrasjen e saj, Naser Pajazitaj, e kishte marrë në veturën e tij dhe e kishte dërguar te “Kroi i lajthisë” në bjeshkët e Strellcit, ku e kishte vrarë me dy plumba në kokë.
Vrasja e saj dhe e shumë grave të tjera nga familjarë të tyre është rikthyer në vëmendjen e publikut pas vrasjes së edhe një gruaje tjetër në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, më 30 nëntor. Viktima, 35 vjeçe, ishte shtatzënë, ndërsa i dyshuari për vrasjen - bashkëshorti i saj - vrau veten.
“Zgjohem me mendimin se është gjallë”
Edhe pse kanë kaluar shtatë vjet nga vrasja e Donjetës, Shkëlqimi - që me krenari tregon se në familjen e tij ai ka pasur më së shumti ngjashmëri fizike me të - e ka të vështirë të mësohet me mungesën e motrës.
“Zgjohem në mëngjes me atë mendimin se është ende e gjallë dhe zgjohem me atë mendimin se duhet të ngrihem e ta përcjell atë për ta dërguar deri në punë”, rrëfen 29-vjeçari, i cili dhimbjen e ndan bashkë me vëllain dhe motrën e tij, Shkumbinin dhe Vonesën - të dy më të vegjël se ai.
Shkëlqimi thotë se mbrëmjeve e ndien instinktivisht nevojën për t’u nisur deri te stacioni, ku zakonisht shkonte për ta marrë Donjetën, e cila kthehej nga puna e saj në një dyqan ushqimor.
Përherë të shoqëruar nga dhimbja
Darkat në sofrën e familjes Pajazitaj mbeten nën hijen e mungesës së Donjetës tash e shtatë vjet.
Mungesa e saj është veçanërisht e rëndë për familjen gjatë festave dhe rasteve kur grumbullohen të gjithë të afërmit.
Shkëlqimi thotë se vetëm ai e di se si ndihet në këto raste dhe kurdo që takon shoqet e Donjetës në rrugë. Por, “po u dashka të pajtohesh... Qenka e vërtetë se njeriu është më i fortë se guri”, thotë ai.
“Nuk është më ai disponimi në familjen tonë, por mundohemi t’ia largojmë njëri-tjetrit me ndonjë të qeshur apo ndonjë shaka. Ne e dimë se çka përjetojmë, njëri-tjetrit nuk ia shprehim, por në fytyrën tonë si familjarë e dimë”, thotë Shkëlqimi.
Familja e Donjetës ngushëllohet nga fotografitë e shumta të saj. Ajo posedon edhe një video-incizim të mbrëmjes së maturës të Donjetës.
Ai incizim e ka tunduar Shkëlqimin gjatë shtatë vjetëve të fundit, mirëpo nuk e ka gjetur asnjëherë forcën për ta shikuar.
“Kur mbetem nganjëherë vetëm ose bëj diçka, them hajt ta lëshoj e ta këqyr, por aq më kap një siklet, nuk mundem as ta lëshoj”, tregon ai.
Përderisa e gjithë familja e ka pasur të vështirë të mësohet me realitetin e ri në shtëpi, Shkëlqimi thotë se nëna e tij, Lumnija, “është shkatërruar”. Edhe problemet e saj shëndetësore, thotë ai, vijnë si pasojë e nervozizmit që ia ka sjellë vrasja e fëmijës së saj të parë.
Shkëlqimi tregon se e ëma e fundoste vazhdimisht veten në dhimbje, duke shikuar një fotografi të madhe të Donjetës që familja e kishte vendosur në dhomën e ndenjes.
“Sa herë që hyja në sallon, e shihja mamin duke e shikuar fotografinë, duke vuajtur. Atë fotografi... më është dashur të bëhem sikur po e largoj [për ta fshirë] e po më rrëshqet nga dora, për ta thyer. Ai moment më është dukur sikur të ma ngulnin thikën në zemër”, kujton Shkëlqimi.
*Video e realizuar më 2018, ende pa u marrë vendimi nga Gjykata e Apelit në Prishtinë: Nëna kërkon drejtësi për vajzën e vrarë
Dhimbja që s’kalon, e shndërruar në mllef
Në aktakuzën e vitit 2017 të Prokurorisë së Kosovës thuhet se Naser Pajazitaj e kishte mbuluar të ndjerën me drurë pasi e kishte vrarë dhe se kishte ikur nga vendi i ngjarjes. Trupi i saj ishte gjetur më 17 dhjetor të vitit 2015.
Gjatë pesë javëve dhe katër ditëve që nga zhdukja e Donjetës e deri te gjetja e trupit, familja e saj ishte përballur disa herë me të akuzuarin për vrasjen e saj, që ishte kushëri i familjes.
Vëllai i Donjetës, dy vjet më i vogël se ajo, thotë se i akuzuari kishte shkuar në shtëpinë e tyre gati çdo të dytën ditë dhe i kishte pyetur nëse është zbuluar ndonjë gjë për rastin. Kjo e ka lënë familjen e së ndjerës edhe me një dëshirë: të zbulohet nëse ka pasur bashkëpunëtorë të tjerë dhe se kush janë ata.
“Dëshira e madhe po mbetet mister, për krejt jetën duket se do të mbetet mister... të mos mundemi t’i zbulojmë bashkëpunëtorët e tij, sepse ndoshta ka persona që janë të implikuar në këtë punë dhe ne kemi ende kontakt me ta, nuk e dimë... kjo të vret më së shumti”, thotë Shkëlqimi.
I akuzuari për vrasjen e Donjetës fillimisht ishte liruar nga Gjykata Themelore në Pejë në vitin 2018, në mungesë të provave. Por, pasi ky vendim ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit, Naser Pajazitaj ishte dënuar me burgim të përjetshëm.
Në nëntor të vitit 2019, Gjykata Supreme i kishte kundërshtuar të dyja vendimet e Gjykatës Themelore të Pejës dhe në nëntor të këtij viti, Gjykata e Apelit mori vendim t’ia ulë dënimin në 35 vjet burgim.
Kohëzgjatja e këtij procesi është shndërruar në barrë shtesë për dhimbjet e familjes së Donjetës.
“Sa mendojmë që po përfundon, ose po kthehet në rigjykim, ose po anulohen vendimet. Kjo po është shumë e rëndë. Nuk po mund të pajtohesh. Vetëm inshallah, nëse jo nga drejtësia, dënimin prej Zotit ndonjëherë e merr”, shprehet Shkëlqimi.
Ai thotë se dhimbjes që ndjen familja, i shtohet edhe mllefi kur shohin se edhe gra të tjera në Kosovë po vriten nga familjarët e tyre. Pesëdhjetë raste të tilla janë raportuar në Kosovë që nga viti 2010.
“Kanë ndodhur edhe shumë raste pas rastit të Donjetës dhe ka pasur raste që kanë qenë të lajmëruara dhe institucionet po heshtin. Ajo po të mundon më së shumti, po të plagos në zemër”, thotë Shkëlqimi.
Facebook Forum