Familja Moradi në një varkë të vogël në formë mjellme në Luginën Bamiyan më 17 qershor. Familja udhëtoi nga Helmandi për pushimet e saj verore.
Foto:Rodrigo Abd (AP)
Dy vjet pasi trupat amerikane u larguan, fotografi i Associated Press, Rodrigo Abd, u kthye në Afganistan me një ide: të përdorte një "kamerë kuti" afgane të stilit të vjetër për të dokumentuar se si ka ndryshuar jeta nën sundimin taliban.
Paqja ka ardhur në Afganistan, por me një çmim të lartë: varfëria, izolimi global dhe "fshirja virtuale" e grave afgane nga jeta e përditshme tani janë normë.
I ulur për një portret në një fshat afgan ku shihen vrragët e luftës, një luftëtar taliban thotë: "Jeta është shumë më e gëzuar tani".
Për një grua të re në kryeqytetin afgan, që u detyrua të largohet nga arsimi për shkak të gjinisë së saj, është e kundërta:
"Jeta ime është si një e burgosur, si një zog në kafaz".
Teksa një turmë e vogël mblidhet rreth kamerës në kuti të Abdit, imazhet e bukurisë dhe vështirësive gërmojnë nga brendësia e saj e errët: një familje që shijon një shëtitje me një varkë në formë mjellme në një liqen; fëmijë që punojnë në fabrikat e tullave; gra të fshehura nën mbulesa fund e krye; të rinj të armatosur me zjarr në sy.
Instrumenti i përdorur për të regjistruar këto momente është e quajtura "kamera-e faoree", ose kamera e menjëhershme. Ato ishin një pamje e zakonshme në rrugët e qyteteve afgane në shekullin e kaluar -- një mënyrë e shpejtë dhe e lehtë për të bërë portrete, veçanërisht për dokumente identifikuese. Të thjeshta, të lira dhe lehtë të lëvizshme, ato kamera u bënë ballë gjysmë shekulli ndryshimesh dramatike në këtë vend -- nga një monarki në një pushtim komunist, nga pushtimet e huaja te kryengritjet -- derisa teknologjia digjitale e shekullit XXI i bëri ato të vjetruara.
Gjatë qëndrimit të tyre të parë në pushtet nga viti 1996 deri në vitin 2001, talibanët ndaluan fotografimin e njerëzve dhe kafshëve, duke e konsideruar në kundërshtim me mësimet e Islamit. Shumë kamera me kuti u thyen, megjithëse disa u toleruan në heshtje, thonë fotografët afganë.
Duke përdorur këtë formë arti gati në zhdukje për të dokumentuar jetën në Afganistanin e pasluftës, Abd prodhoi qindra printime bardh e zi që zbulojnë një narrativë komplekse, ndonjëherë kontradiktore.
Të shkrepura gjatë një muaji, imazhet tregojnë se si në dy vjet - prej kur trupat amerikane u tërhoqën dhe talibanët u kthyen në pushtet - jeta ka ndryshuar në mënyrë dramatike për shumë afganë. Për të tjerët, pak ka ndryshuar gjatë dekadave, pavarësisht se kush ishte në pushtet.
Një mjet i një epoke të kaluar, kamera me kuti u jep imazheve një cilësi të vjetër, të përjetshme, sikur e kaluara e vendit të mbivendoset mbi të tashmen, e cila, në disa anë, edhe është.
Në pamje të parë, imazhet zbehura bardh e zi, ndonjëherë paksa jashtë fokusit, përcjellin një Afganistan të ngrirë në kohë. Por, kjo estetikë po mashtron. Këto janë reflektime të vendit siç është tani.