Ushtria izraelite ka kërkuar falje më 21 tetor pasi një sulm vrau tre ushtarë libanez në jug të Libanit një ditë më parë. Izraeli tha se nuk po lufton me ushtrinë e Libanit dhe se ushtarët e tij besonin se po shënjestronin një kamion që i përkiste Hezbollahut, grupit militant dhe partisë politike që kontrollon shumicën e jugut të Libanit.
Ushtria tha se sulmoi një kamion të dielën, i cili kishte hyrë në një zonë ku paraprakisht ushtria kishte shënjestruar një kamion të Hezbollahut, që kishte transportuar raketahedhës dhe raketa.
Izraeli tha se nuk ishte në dijeni që kamioni i dytë që kaloi në këtë zonë i përkiste ushtrisë libaneze.
Izraeli tha se “ne nuk operojmë kundër ushtrisë libaneze dhe kërkojmë falje për këto rrethana të padëshiruara”.
Javën e kaluar, Hezbollahu tha se po hyn në një fazë të re të luftimeve kundër forcave izraelite, pas vrasjes së udhëheqësit kryesor të Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – Yahya Sinwar, gjatë një beteje me forcat izraelite në Gazë. Sinwar cilësohej si arkitekti kryesor i sulmit të 7 tetorit 2023 në jug të Izraelit, që nxiti luftën në Gazë mes Izraelit dhe Hamasit.
Aleatët e Izraelit shpresojnë që vrasja e Sinwarit do të hapë rrugën për përfundimin e luftës në Gazë, por kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe Hamasi janë zotuar se do të vazhdojnë luftën derisa të arrijnë qëllimet e tyre.
Netanyahu është zotuar se do të zhdukë Hamasin dhe do të kthejë pengjet që mbahen nga grupi, ndërkaq Hamasi ka thënë se do të lirojë pengjet vetëm kur të arrihet një armëpushim afatgjatë dhe kur Izraeli të tërhiqet plotësisht nga Gaza dhe të lirojë të burgosurit palestinezë.
Lufta në Gazë nisi pasi Hamasi vrau afër 1.200 persona dhe rrëmbeu afër 250 të tjerë gjatë sulmit të 7 tetorit. Që atëherë, si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë janë vrarë më shumë se 42.000 palestinezë.
Që kur ka nisur lufta në Gazë, Izraeli dhe Hezbollahu kanë këmbyer zjarr në kufi. Por, në fillim të tetorit situata u përshkallëzua dhe Izraeli njoftoi për nisjen e një operacioni tokësor në jug të Libanit kundër Hezbollahut.
SHBA-ja e ka shpallur Hezbollahun organizatë terroriste, ndërkaq BE-ja ka në listën e saj të zezë krahun politik të grupit, por jo edhe partinë politike. Partia e Hezbollahut ka ulëse në Parlamentin libanez.