Ndërlidhjet

Kush ishte lideri i vrarë i Hamasit, Ismail Haniyeh?


Ismail Haniyeh, lideri i lartë i Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – që u vra në Teheran më 31 korrik.
Ismail Haniyeh, lideri i lartë i Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – që u vra në Teheran më 31 korrik.

Ismail Haniyeh, lideri i lartë i Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – që u vra në Teheran më 31 korrik, ishte një figurë kontroverse, vdekja e të cilit mund të përshkallëzojë tensionet në Lindjen e Mesme dhe të prishë negociatat për dhënien fund të luftës së Izraelit në Rripin e Gazës.

Haniyeh ishte shef politik i Hamasit. Me bazë në Katar, ai luajti rol kyç në bisedimet e ndërmjetësuara nga ndërkombëtarët, që synojnë arritjen e një armëpushimi në Gazë.

I shpallur si terrorist nga SHBA-ja, Haniyeh konsiderohej si figurë relativisht e moderuar brenda organizatës.

Krahu ushtarak i Hamasit udhëhiqet nga Yahya Sinwar, lider me bazë në Gazë, i cili konsiderohet se është arkitekti i sulmit të Hamasit brenda territorit izraelit më 7 tetor, kur u vranë më shumë se 1.200 persona. Ky sulm nxiti ofensivën hakmarrëse të Izraelit në enklavën palestineze.

Haniyeh, që u lind në një kamp refugjatësh palestinezë, vdiq në moshën 62-vjeçare. Asnjë shtet apo organizatë nuk e ka marrë përgjegjësinë për vrasjen e tij, edhe pse Teherani ka fajësuar Izraelin dhe është zotuar se do të hakmerret. Përderisa Izraeli ende nuk ka komentuar për incidentin, Haniyeh ka qenë shumë lart në listën e armiqve të Izraelit që nga sulmi i 7 tetorit.

Më shumë se 39.000 persona janë vrarë në Gazë, sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë në Gazë, teksa thirrjet ndërkombëtare për armëpushim kanë hasur në vesh të shurdhër.

Haniyeh, që mund të ishte zëri kyç në çdo negociatë për paqe, ishte në Teheran për të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit iranian, Masud Pezeshkian, i cili bëri betimin më 30 korrik. Dy liderët u takuan gjatë kësaj vizite, sipas fotografive të publikuara nga zyra e Pezeshkianit.

Ismail Hanizeh, gjatë pjesëmarrjes në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të ri të Iranit, Masud Pezeshkian. Teheran, 30 korrik 2024.
Ismail Hanizeh, gjatë pjesëmarrjes në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të ri të Iranit, Masud Pezeshkian. Teheran, 30 korrik 2024.

Haniyeh u lind në kampin e refugjatëve Al-Shati në perëndim të Qytetit të Gazës. Familja e tij ishte me orgjinë nga zona ku tani gjendet porti izraelit i Ashkelonit, në veri të Rripit të Gazës. Familja e tij u largua nga zona gjatë luftës arabe-izraelite të vitit 1948 dhe u zhvendos në Gazë.

Haniyeh iu bashkua Hamasit kur ishte student, pak kohë pasi grupi u themelua më 1987, pas nisjes së Intifadës së Parë (kryengritjes), që kundërshtonte pushtimin izraelit të Bregut Perëndimor, Gazës dhe Jerusalemin Lindor.

Po atë vit, Haniyeh u arrestua dhe për një kohë të shkurtër u burgos për pjesëmarrje në protestat antiizraelite. Ai po ashtu u diplomua më 1987 për letërsi arabe në Universitetin Islamik të Gazës.

Më 1988, Haniyeh u arrestua sërish dhe u burgos për gjashtë muaj dhe më 1989 u dënua me tre vjet burgim për shkak të përfshirjes së tij në Hamas.

Pas lirimit më 1992, Haniyeh ishte në mesin e qindra anëtarëve të Hamasit dhe mbështetësve të grupit që shkuan në mërgim në jug të Libanit. Haniyeh qëndroi një vit në kampin Marxh al-Zahur, para se të kthehej në Gazë dhe të bëhej dekan në Universitetin Islamik të Gazës.

Kur themeluesi i Hamasit, Ahmed Yassin, u lirua nga një burg izraelit më 1997, Haniyeh u caktua që të udhëhiqte zyrën e tij dhe të dy krijuan një raport të ngushtë. Rëndësia e Haniyeh brenda Hamasit u rrit shpejt dhe ai u zgjodh përfaqësues i grupit në Autoritetin Palestinez, që udhëheq me pjesë të Bregut Perëndimor.

Haniyeh dhe Yassin i shpëtuan për pak një sulmi ajror izraelit në shtator të vitit 2003 që shënjestroi rezidencën e tyre në Qytetin e Gazës. Yassin u vra gjashtë muaj më pas në një sulm ajror izraelit.

Në zgjedhjet parlamentare palestineze të vitit 2006, Haniyeh udhëhoqi listën e kandidatëve të Hamasit.

Nën sloganin, “ndryshim dhe reformë”, 76 nga 132 ulëset parlamentare i fitoi Hamasi.

Me sigurimin e shumicës, kryeministri i ri i nominuar, Haniyeh pritej të formonte Qeverinë.

Negociatat disa javore për formimin e Qeverisë mes Hamasit dhe rivalit të tij kryesor, Fatah dhe grupeve të tjera palestineze, dështuan kryesisht për shkak të refuzimit të Hamasit për të pranuar kushtet e vendosura nga SHBA-ja, Rusia, Kombet e Bashkuara dhe BE-ja, që përfshinin njohjen e shtetit të Izraelit.

Pak pas fitores së thellë, Hamasi tha se nuk do të tërhiqej nga qëllimi i tij për të zëvendësuar Izraelin me një shtet islamik dhe la të kuptohet se do të refuzonte negociatat për zgjidhjen e konfliktit të kamotshëm me Izraelin.

Haniyeh më vonë formoi Qeverinë të përbërë kryesisht nga anëtarë të Hamasit dhe teknokratë.

Duke prezantuar planet e Qeverisë së tij, Haniyeh po ashtu i bëri thirrje SHBA-së dhe Evropës që të mos i konkretizonin kërcënimet për ndaljen e ndihmës për Qeverinë e udhëhequr nga Hamasi nëse ajo nuk do të njihte Izraelin, të hiqte dorë nga dhuna dhe nuk do të respektonte marrëveshjet e arritura më herët mes izraelitëve dhe palestinezëve që synonin zgjidhjen me dy shtete.

Haniyeh deklaroi se e konsideronte vazhdimin e luftës së palestinezëve për pavarësi si “të drejtë legjitime”. Ai po ashtu shprehu gatishmëri për t’u angazhuar në bisedime me ndërmjetësit ndërkombëtarë për zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez.

“Qeveria jonë nuk do të kursejë asgjë për të arritur një paqe të drejtë në rajon, për t’i dhënë fund korrupsionit dhe për të rikthyer të drejtat tona”, deklaroi ai, edhe pse Hamasi vazhdoi të refuzonte njohjen e shtetit të Izraelit.

Në qershor të vitit 2007, pas shpërthimit të dhunës mes Hamasit dhe Fatahut, Hamasi mori kontrollin e plotë të Rripit të Gazës. Pak kohë më pas, presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, shkarkoi Qeverinë e udhëhequr nga Hamasi.

Konfliktet e brendshme në mesin e grupeve palestineze çuan në ndarjen de facto të kontrollit të territoreve palestineze, me Bregun Perëndimor të kontrolluar nga Autoriteti Kombëtar Palestinez dhe Rripin e Gazës nën kontrollin e Hamasit.

Izraeli, që kishte tërhequr trupat e tij nga Rripi i Gazës dy vjet më parë, vendosi në bllokadë në tokë, ajër dhe det në territorin e kontrolluar nga Hamasi. Kjo bllokadë, sot e kësaj dite është në fuqi.

Më 2011, SHBA-ja i kërkoi Katarit që t’i mundësonte udhëheqjes politike të Hamasit të kishte selinë në këtë shtet, me qëllim që të lehtësohej komunikimi. Haniyeh u zhvendos në Doha më 2016 dhe një vit më vonë zëvendësoi Khaled Mashal në postin e kreut të zyrës politike të Hamasit.

Departamenti amerikan i Shtetit e futi emrin e Ismail Haniyeh në listën e “terroristëve botërorë”, një cilësim që Uashingtoni tha se shënjestron grupet terroriste dhe liderët që kërcënojnë stabilitetin e Lindjes së Mesme.

DASH-i tha se Hamasi është shpallur organizatë e huaj terroriste më 1997 dhe është shtuar në listën e terroristëve globalë më 2001.

Duke e futur edhe vetë Haniyeh në listën e terroristëve, DASH shpjegoi kështu vendimin e tij: “Haniyeh ka lidhje të ngushta me krahun ushtarak të Hamasit dhe ka qenë ithtar i konfliktit të armatosur, përfshirë kundër civilëve. Ai vazhdimisht është përfshirë në sulmet terroriste kundër qytetarëve izraelitë. Hamasi është përgjegjës për vrasjen e 17 amerikanëve në sulmet terroriste”.

Pas sulmit vdekjeprurës të Hamasit kundër Izraelit më 7 tetor, Haniyeh dhe liderë të tjerë të Hamasit u shfaqën nëpër video, përmes së cilave ata falënderonin Zotin për suksesin e sulmit.

Tre djemtë e Ismail Haniyeh - Hazem, Amir dhe Haniyeh – raportohet se janë vrarë gjatë sulmeve ajrore izraelite në Rripin e Gazës që kur nisi lufta mes Izraelit dhe Hamasit.

Haniyeh ka lënë pas gruan dhe kushërirën e tij, Amal Haniyeh, me të cilën ka pasur 13 fëmijë: tetë djem dhe pesë vajza.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG