Ndërlidhjet

Lufta e Qeverisë së Iranit ndaj protestave të veteranëve për pensionet shkakton zemërim


Amir Hossein Ghazizadeh Hashemi, zëvendëspresident i Iranit. (Foto nga arkivi)
Amir Hossein Ghazizadeh Hashemi, zëvendëspresident i Iranit. (Foto nga arkivi)

Veteranët iranianë të luftës shkatërruese me Irakun në vitet '80 vlerësohen shumë si heronj, dhjetëra mijëra prej të cilëve kanë ngelur me aftësi të kufizuara si pasojë e ekspozimit ndaj armëve kimike gjatë konfliktit.

Por, kur një grup prej 12 veteranëve protestuan më 8 korrik në Teheran, për siç thanë, pensione të pamjaftueshme, policia ndërhyri dhunshëm ndaj tyre dhe gjuajti gaz lotsjellës në drejtim të protestuesve.

Video amatore të publikuara online shfaqin një protestues të shtrirë në tokë dhe duke pasur vështirësi me frymëmarrjen. Shumë veteranë vuajnë nga sëmundjet e mushkërive dhe të frymëmarrjes.

Protestuesit e tjerë u dëgjuan duke brohoritur “kriminelë”, duke iu referuar autoriteteve. Raportohet se disa persona u arrestuan.

Reagimi i ashpër i Qeverisë ndaj protestës së veteranëve ka shkaktuar zemërim të madh në Iran, i cili ka qenë një skenë e protestave të rregullta për rritjen e madhe të inflacionit, varfërisë dhe papunësisë.

“Mbeta pa fjalë. Ishte shumë shqetësuese. Fëmijët dhe familjet tona e shohin këtë dhe pyesin, ‘pse luftuat gjatë luftës?’”, tha për Radion Evropa e Lirë (REL) një veteran i luftës së viteve 1980-88 mes Iranit dhe Irakut.

Veterani, i cili foli në kushte anonimiteti nga frika se do të ndëshkohej, tha se veteranët me aftësi të kufizuara nisën protestën për shkak të planeve të autoriteteve për t’ua hequr disa prej përfitimeve atyre.

Të tjerët i bënë thirrje Qeverisë të kërkojë kompensim për veteranë nga shteti i Irakut, i cili e nisi konfliktin duke e pushtuar Iranin.

“[Autoritetet] bëjnë premtime, ata i shpenzojnë paratë tona diku tjetër, apo për qëllimet e veta, ne nuk e dimë se çfarë po bëjnë ata. Ata po i zvogëlojnë ndihmat tona mjekësore dhe jetësore”, tha veterani në një intervistë me telefon nga Teherani.

Lufta ndaj protestës së veteranëve, e cila u mbajt pranë zyrave të Fondacionit për Martirë dhe Veteranë të udhëhequr nga shteti, çoi në një shpërthim të madh të zemërimi në rrjetet sociale.

Aktori i njohur Parviz Parastuyi, një veteran nga lufta me Irakun, e kritikoi zëvendëspresidentin e Iranit, Amir Hossein Ghazizadeh Hashemi, i cili është kryetar i Fondacionit për Martirë dhe Veteranë.

Ai tha se protestuesit “nuk janë armiqtë tanë, ata janë veteranë me aftësi të kufizuara”.

“Ata e kthyen mbrapsht armikun në mënyrë që Irani të mbetej Iran”, shkroi Parastui në një komunikatë të publikuar nga mediat iraniane më 9 korrik.

Mohsen Bozorgi, një zyrtar i Fondacionit për Martirë dhe Veteranë, tha se kishte mbajtur bisedime me protestuesit, për të cilët pretendoi se ishin larguar “të qetë” nga takimi.

Bozorgi, po ashtu, tha se çështja e kompensimit të luftës është një çështje e koklavitur ndërkombëtare, e cila nuk ndërlidhet me fondacionin “në asnjë mënyrë”.

Por, ai shtoi se fondacioni po mendon t’i marrë kërkesat e veteranëve si “mision të vetin kombëtar”.

Ai akuzoi kritikët, për të cilët tha se reaguan me “nxitim” pa pasur “informacione të mjaftueshme”.

Agjencia e lajmeve e linjës së ashpër Tasnim, e cila është e lidhur me Gardën Revolucionare Islamike, më 11 korrik e mohoi se policia kishte përdorur gaz lotsjellës për t’i shpërndarë protestuesit.

Por, agjencia tha se autoritetet janë duke hetuar nëse ishte përdorur sprej piperi.

Tasnim pretendoi se policia kishte ndërhyrë për shkak të “konfliktit” ndërmjet disa protestuesve.

Zyrtarët iranianë shpesh i përshkruajnë veteranët e luftës me Irakun – në të cilën u vranë apo plagosën rreth 1 milion njerëz nga të dy palët – si martirë të gjallë.

Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, ka thënë në të kaluarën se “nganjëherë virtytet e tyre janë edhe më të mëdha se vetë martirët”.

Por, shumë veteranë të luftës janë ankuar për jetesë të vështirë ekonomike në një kohë kur kriza ekonomike po thellohet në Iran.

Ata i kanë bërë disa protesta në vitet e fundit dhe u kanë bërë thirrje autoriteteve që t’ua përmirësojnë kushtet e jetesës.

Një numër i panjohur i veteranëve, që u mbijetoi sulmeve me gaz helmues nga diktatori irakian, Saddam Hussein, gjatë luftës, vdiqën gjatë pandemisë së koronavirusit.

“Është interesant se si [autoritetet] deklarojnë se çdo gjë që kemi është për shkak të martirëve, veteranëve, të atyre që flijuan jetën e tyre... por në praktikë nuk ekziston një gjë e tillë”, thuhet në një peticion online të nënshkruar nga një grup i veteranëve të luftës.

Përgatiti: Ekrem Idrizi
XS
SM
MD
LG