Ndërlidhjet

Ikja e punëtorëve nga Kosova mund të rrisë pagat


Fotografi ilustruese. Punëtorë në Prishtinë.
Fotografi ilustruese. Punëtorë në Prishtinë.

“Për një rrogë më të lartë...ndoshta 500-600 euro do të punoja”, thotë Sanije Kadriu, e cila për më shumë se dhjetë vjet është jashtë tregut të punës.

E dekurajuar nga pagat e ulëta në sektorin privat dhe në pamundësi për t’u punësuar në sektorin publik, Sanija po i kalon vitet e 50-ta të jetës së saj e papunë.

“Kam qëndruar në shtëpi dhe jam kujdesur për dy fëmijët. Një pagë 300 euro ka qenë e paleverdishme për mua. Vetëm çerdhja e njërit fëmijë kushtonte 100 euro dhe me një pagë të vogël nuk arrija t’i mbuloja të gjitha shpenzimet”, thotë Sanija, që ka përfunduar shkollimin e mesëm në ekonomi.

Në Kosovë, mbi 60 për qind e qytetarëve në moshë pune janë ekonomikisht joaktivë - persona që nuk janë as të punësuar, as të regjistruar si të papunë dhe as nuk kërkojnë punë.

Duke pasur parasysh këto shifra, Banka Botërore i tha Radios Evropa e Lirë se Kosova ka potencial të madh të pashfrytëzuar të fuqisë punëtore, veçanërisht kur vjen fjala te gratë. Nga mbi 730 mijë qytetarë ekonomikisht joaktivë, prej tyre mbi 460 mijë janë gra.

Pas liberalizimit të vizave me vendet evropiane, Banka Botërore tha se, sipas parashikimeve, tregu i punës do të vazhdojë të ndikohet nga migrimi i ligjshëm i fuqisë punëtore, ashtu si edhe në të kaluarën.

“Migrimi mund të ushtrojë presione për paga më të larta dhe kjo mund të nxjerrë më shumë qytetarë nga mospjesëmarrja në tregun e punës”, thanë nga Banka Botërore për Radion Evropa e Lirë.

Paga mesatare bruto në sektorin publik në Kosovë, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, është 604 euro, ndërsa në sektorin privat është 473 euro.

Nivelin e pagës mesatare bruto në Kosovë e ka diktuar edhe paga minimale, që nuk ka ndryshuar që nga viti 2011 dhe sillet nga 130 deri në 170 euro.

E, nga 1 janari i vitit 2024, kosovarët do të mund të udhëtojnë pa viza në vendet e zonës Schengen. Udhëtimet pa viza shërbejnë për vizita turistike, çështje familjare ose të ngjashme dhe në asnjë rast nuk nënkuptojnë leje pune.

Sipas shifrave zyrtare, trendi i emigrimit të kosovarëve tashmë është në rritje. Sipas ASK-së, gjatë vitit 2021 nga Kosova janë larguar mbi 42 mijë banorë.

Kjo shifër ishte dukshëm më e ulët disa vjet më parë – në vitin 2018, rreth 28 mijë kosovarë ishin larguar nga vendi. Sipas të dhënave të ASK-së, arsyet e emigrimit kanë qenë të ndryshme - në mesin e tyre edhe punësimi.

Një anketë e Institutit Republikan Ndërkombëtar, me seli në Shtetet e Bashkuara, e publikuar në nëntor të vitit 2021, ka treguar se 78 për qind e kosovarëve të moshës 18 deri në 35 vjeç "ndoshta" ose "përfundimisht" do të largoheshin nga vendi i tyre, nëse do të kishin mundësi.

Bizneset me strategji për kushte më të mira të punës

Drejtori i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Prishtinë, Skënder Krasniqi, thotë për Radion Evropa e Lirë se bizneset kanë nisur të mendojnë se si të ofrojnë kushte më të mira për punëtorët.

Ai thotë se angazhimi i qytetarëve joaktivë në tregun e punës mund të bëhet përmes ngritjes së pagave, por shton se, për ta arritur këtë gjë, kompanitë kanë nevojë për ndihmë nga institucionet.

Me synim rritjen e punësimit dhe ofrimin e pagave më të larta në sektorin privat, Qeveria e Kosovës në fillim të këtij viti lansoi platformën “Superpuna”. Përmes kësaj platforme, punëdhënësit mund të subvencionoheshin me nga 264 euro në muaj për ta mbuluar pagën e një punëtori.

Punëdhënësi ka mundur t’i ofrojë punëtorit të tij pagë më të madhe se aq duke shtuar pjesën tjetër vetë.

E, pas periudhës gjashtëmujore, aq sa zgjaste subvencionimi, punëdhënësi mund ta mbante në punë punëtorin duke nënshkruar kontratë të re, por edhe mund ta shkarkonte. Përmes kësaj platforme janë punësuar mbi pesë mijë të rinj.

Brahim Selimaj, pronar i një kompanie ndërtimesh në Kosovë, thotë për REL-in se është duke menduar se si do të veprojë pas janarit, kur thotë se “pret ikje të qytetarëve, rrjedhimisht fuqisë punëtore”.

“Jo vetëm biznesi im, por edhe bizneset tjera kanë filluar të rrisin pagat për ta ndalur ikjen, por vështirë se mund të ndalet”, thotë Selimaj.

Sipas tij, emigrimi do të mund të ndalej vetëm nëse sektorët e arsimit dhe shëndetësisë do të ishin më cilësorë.

Ndërkaq, për fuqinë e madhe punëtore të Kosovës e cila vazhdon të jetë jashtë tregut të punës, Selimaj thotë se shumë prej tyre janë kuadro që nuk i kërkon tregu i punës.

“Ne kemi përgatitur të rinj në profesione që nuk i kërkon tregu i punës. Kemi hapur universitete të shumta dhe rinia jonë ka studiuar, derisa tregu i punës ka kërkuar shkolla profesionale në profile të ndryshme”, thotë Selimaj.

Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, thotë për REL-in se edhe pagat më të larta nuk do të mund të ndalin të rinjtë të ikin nga vendi për të gjetur mundësi më të mira për punë.

“Këtyre punëtorëve që janë përcaktuar të ikin nga Kosova edhe nëse i japin pagë prej 1.000 eurosh, ata nuk do të qëndrojnë këtu. Njerërzit janë mbushur me premtime që nuk janë realizuar. Tani edhe ata që janë jashtë tregut të punës vështirë se mund të kyçen. Do të jetë e vështirë”, thotë Azemi.

Në seancën parlamentare më 16 nëntor, gjatë shqyrtimit të Projektligjit për buxhetin e vitit 2024, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për mosveprim të institucioneve ndaj asaj që e quajti “zbrazje të Kosovës nga të rinjtë”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u përgjigj se nga janari do të ketë emigrim, por jo zbrazje të vendit. Ai tha se Qeveria e Kosovës ka synim uljen e varfërisë.

Kosova nuk ka të dhëna të përditësuara për varfërinë në vend. Të fundit, të përpiluara nga ASK-ja dhe Banka Botërore, janë të vitit 2017.

Sipas tyre, 18 për qind e popullsisë së Kosovës jeton në varfëri, përkatësisht me rreth 2 euro në ditë, kurse 5.1 për qind në varfëri të skajshme apo me më pak se 1.5 euro në ditë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG