Ndërlidhjet

"Ikja e trurit" nga Maqedonia e Veriut kushton qindra milionë euro, shteti fle


Një familje me valixhe në Aeroportin e Shkupit.
Një familje me valixhe në Aeroportin e Shkupit.


Maqedonia e Veriut është në dhjetë vendet e para në botë për sa i përket emigrimit të popullsisë jashtë vendit. Veçanërisht po largohet personeli i kualifikuar – 40 për qind, sipas Bankës Botërore. Auditorët njoftuan se shteti nuk ka masa efektive kundër largimeve që i kushtojnë qindra milionë euro.

Edhe pse sipas auditorëve, shteti nuk e di saktësisht se përse po ndodh “ikja e trurit” jashtë Maqedonisë së Veriut, për të rinjtë arsyet e largimit janë të qarta: korrupsioni, krimi, e nepotizmi.

Dejan Radulovski është një 23-vjeçar që ndjek studimet pasuniversitare për Histori dhe Shkenca Politike në Fakultetin Juridik në Shkup dhe njëkohësisht punon në një kafene.

Ai është i vetëdijshëm se bashkëmoshatarët e tij largohen çdo ditë nga vendi dhe sipas tij, arsyet nuk janë për të fituar më shumë para, ose sepse fëmija i tyre në shkollë nuk merr të njëjtin trajtim si fëmija “i dikujt të rëndësishëm”.

“Korrupsioni dhe nepotizmi, për mendimin tim, janë arsyet kryesore dhe një tregues klasik i kësaj është se elita jonë, pra njerëzit që kanë realisht kapital, po shpërngulen”, thotë ai.

Edhe pse Radulovski dëshiron të qëndrojë në vend, ai thotë se nuk është i sigurt nëse do të jetë kështu, duke qenë se ka bërë shumë punë dhe nuk do të dëshironte të dështonte nëse shteti nuk e lejon të punojë në profesionin e tij.

Mijëra të rinj po largohen

Njerëz të profileve të ndryshme tash e disa vjet janë larguar nga Maqedonia e Veriut, por posaçërisht shqetësues është numri prej rreth 2.500 personash me arsimim të lartë që largohet çdo vit, për pasojë humbjet për shtetin llogariten të jenë qindra milionë euro.

Llogaritjet e tilla janë bërë nga auditorët shtetërorë në një raport që ata kanë punuar në prill të vitit 2024.

Ata analizuan efektivitetin e masave për të parandaluar largimin e personelit me arsim të lartë dhe profesional. Ndër tjerash konkluduan se shteti nuk e di konkretisht se çfarë shkollimi kanë personat që po largohen, çfarë moshe kanë dhe as arsyet e shpërnguljes jashtë vendit.

Kryetari i Forumit Rinor Arsimor, Risto Saveski , thotë se shifrat janë vetëm një konfirmim i mungesës së kujdesit të shtetit dhe institucioneve arsimore shtetërore për të ardhmen e vendit, përkatësisht të rinisë.

Saveski, gjithashtu, thekson se nga hulumtimet e organizatës së tyre, del se shkalla e lartë e korrupsionit është ndër arsyet kryesore për emigrimin e të rinjve, e më pas pakënaqësia e përgjithshme me mënyrën e funksionimit të sistemit.

“Shifrat nga sondazhi i auditorëve janë në proporcion me shifrat që kemi marrë në sondazhin tonë për potencialin e pashfrytëzuar të studentëve. Nga viti 2012 e deri më sot studentëve u janë dhënë bursa për të studiuar në universitetet e huaja dhe nuk e dimë nëse i janë kthyer shtetit për të plotësuar vitet për të cilat janë angazhuar dhe kryesorja është se shteti gjithashtu nuk e jep informacione nëse janë kthyer”, thotë Saveski.

Ai konsideron se si masa afatshkurtra mund të jenë: rishikimi i programeve të bursave për studime në universitetet e huaja, në mënyrë që shteti të mos sponsorizojë drejtpërdrejt ikjen e trurit nga Maqedonia e Veriut.

Sipas Saveskit, edhe studentët që studiojnë jashtë vendit duhet të obligohen që të kthehen dhe t'i plotësojnë vitet që kanë studiuar dhe të merren masa që do të ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e arsimit.

Dukuria e emigrimit nga Maqedonia e Veriut po zgjerohet. Njerëzit po paketojnë çantat e tyre çdo ditë, duke përfituar nga mundësitë që ofrojnë vende si Gjermania që po krijojnë politika për të plotësuar mungesën e fuqisë punëtore në shëndetësi, arsim, ndërtimtari etj.

Në dhjetë vendet e para për nga emigracioni

Puna kërkohet në Itali apo në vendet skandinave, por trendi i viteve të fundit është Kroacia, e cila ofron punë në turizëm dhe hoteleri.

Kështu thuhet nga auditorët, të cilët citojnë një raport të Organizatës Ndërkombëtare për Migrim IOM , ku thuhet se Maqedonia e Veriut në vitin 2019 ishte në dhjetë vendet e para në botë sipas shkallës së emigrimit jashtë vendit.

Vlerësimet e Bankës Botërore, nga ana tjetër, tregojnë se 40 për qind e stafit të arsimit të lartë nga Maqedonia e Veriut janë larguar nga vendi.

Humbje prej 80 milionë eurosh në vit

Emigrimi sjell edhe humbje të mëdha për shtetin dhe ekonominë. Analizat e auditimit kanë treguar se në një periudhë tetëvjeçare shteti ka investuar mesatarisht 5 miliardë denarë për 2.500 persona në vit, ose gjithsej 44.7 miliardë denarë të shpenzuar për tërë periudhën.

Kjo është mbi 80 milionë euro në vit, apo për periudhën tetëvjeçare humbje rreth 650 milionë euro.

Por, shifrat janë më të larta sipas përllogaritjeve të bëra nga auditorët për efektet totale ekonomike të largimit, që shkon në 8.34 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në nivel vjetor.

Është një shumë prej 458 milionë eurosh nëse merret buxheti i fundit për vitin 2024 i parashikuar në 5.5 miliardë euro.

Auditimi arriti në këto shifra duke llogaritur 0.8 për qind të PBB-së që i kushton çdo vit shtetit për shkak të largimit të personelit, plus efektin e PBB-së së humbur për shkak të emigracionit të vlerësuar në 5.15 për qind të PBB-së, pastaj edhe investimin në arsim që shteti ofronte për këta persona nga 3.19 për qind e PBB-së. Kjo është e barabartë me 8.34 për qind të PBB-së me baza vjetore.

Trendi negativ do të vazhdojë

Nëse këto përllogaritje janë vetëm për largimin e personelit me arsim të lartë, shumat për humbjet janë edhe më të larta dhe do të vazhdojnë për një kohë të gjatë nëse merren parasysh të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave nga fundi i vitit 2023.

Enti njoftoi se mesatarja vjetore aktuale e emigrimit është 12.000 persona dhe se prirja negative e migrimit pritet të vazhdojë edhe për 30 vjetët e ardhshëm.
Parashikimet e institucionit janë se deri në vitin 2070, në vend do të ketë gati 1.2 milion banorë.

Nëse merren parasysh të dhënat nga regjistrimi i vitit 2021, sipas të cilit në vend jetojnë 1.836,713 banorë, kjo do të thotë se në më pak se pesë dekada do të ketë një rënie prej më shumë se gjysmë milioni banorësh ose për 35 për qind.

Asnjë masë, asnjë strategji e re

Qeveria, si bartëse e politikave të menaxhimit të migracionit, nuk zbaton masa mjaftueshëm efektive për të reduktuar daljen e personelit me arsim të lartë nga shteti, thonë auditorët.

“Asnjë dokument i ri strategjik nuk është miratuar pasi ka skaduar vlefshmëria e Strategjisë kombëtare për rrjetëzimin dhe bashkëpunimin me personel me arsim të lartë dhe profesionist 2013-2020. Masat e strategjisë nuk janë zbatuar plotësisht, nuk është krijuar një sistem për monitorimin dhe menaxhimin e emigracionit intelektual dhe nuk ka një bazë të dhënash gjithëpërfshirëse për emigracionin nga shteti”, thuhet në raportin e Entit Shtetëror të Auditimit.

Shteti nuk e ka monitoruar zbatimin e masave dhe aktiviteteve nga kjo strategji dhe as nuk është bërë vlerësimi i efekteve nga zbatimi i masave.

Qeveria miratoi një rezolutë për politikën e migracionit për të reduktuar intensitetin e emigrimit jashtë vendit të njerëzve me nivel të lartë arsimor, por miratoi dokumente të reja strategjike pa vlerësuar rezultatet e atyre të mëparshme, thonë auditorët.
Strategjia kombëtare për rrjetëzimin, bashkëpunimin dhe parandalimin e daljes së personelit me arsim të lartë dhe profesional 2013-2020 ishte i vetmi dokument strategjik për politikat publike për "ikjen e trurit", por ky dokument nuk u publikua në Fletoren Zyrtare dhe as në faqen e internetit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG