Ndërlidhjet

Sfida nga dilemat rreth identitetit kombëtar


Dy fëmijë me flamurin e Kosovës dhe atë Shqipërisë - fotografiilustruese nga arkivi.
Dy fëmijë me flamurin e Kosovës dhe atë Shqipërisë - fotografiilustruese nga arkivi.

Në vitin 2008, Kosova e shpalli pavarësinë dhe Kushtetuta e deklaroi vendin si shtet shumetnik. Me identitete dhe simbole kombëtare që përjashtojnë njëra-tjetrën – veçanërisht mes komunitetit shqiptar dhe atij serb - çështjet e identitetit kombëtar janë shndërruar në një thembër të Akilit për Kosovën.

Muret e palestrës “Shani Nushi” në Gjakovë ushtonin nga vërshëllimat që mbytnin tingujt e himnit të Kosovës. Pak minuta pas orës 17:00, kur himni i Kosovës përfundoi, tifozët gjakovarë filluan të këndojnë njëzëri.

“Rreth flamurit të përbashkuar, me një dëshirë e një qëllim...”, jehonte gjithandej në palestër, teksa dhjetë basketbollistët startues të Vëllaznimit dhe Trepçës qëndronin të grumbulluar në këmbë mbi parket, me duar pas shpine.

Atë të diel, më 23 tetor, grupi i tifozëve “Kuqezinjtë e Jakovës” kishin djegur një flamur serb teksa shpalosnin edhe një parullë me mesazh për qytetin e klubit kundërshtar dhe këndonin këngën “Jo nuk ndahet Mitrovica”.

“Të gatshëm për veri, Mitrovica është Shqipëri”, shkruhej në parullën e shfaqur para nisjes së ndeshjes mes Vëllaznimit dhe Trepçës, në xhiron e shtatë të Prince Caffe Superligës.

Federata e Basketbollit e Kosovës(FBK) ka bërë të ditur se Vëllaznimi, si organizator i kësaj ndeshjeje, tashmë është gjobitur me 400 euro për fishkëllimat gjatë himnit të Kosovës, ndërsa për incidentin e djegies së flamurit të Serbisë është hapur procedurë disiplinore.

“Tani kjo çështje është duke u trajtuar nga Komisioni Disiplinor i FBK-së. Shumë shpejt do të merret vendim edhe për këtë rast”, ka thënë Elvira Dushku, sekretare e përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) për Radion Evropa e Lirë.

Në atë ndeshje nuk morën pjesë tifozët e Trepçës, pasi nuk u ishte dhënë leje. E, edhe pse nuk ishin të pranishëm, dashurinë e njëjtë për simbolet kombëtare shqiptare e ndan edhe grupi i tifozëve mitrovicas “Torcida 1984”.

“Flamuri ynë kombëtar na ka përzgjedhur neve sepse kur flamuri ynë kombëtar ekzistonte, ne nuk ishim fare si gjeneratë. Prej lindjes ne kemi qenë të njoftuar nga të parët tanë që ky është flamuri i kombit tonë, për të cilin janë flijuar shumë breza të kombit tonë”, kanë thënë nga grupi Torcidat për Radion Evropa e Lirë.

Por, ata kanë shtuar se simbolet e Kosovës, si flamuri, “duhet t’i respektojmë dhe asnjëherë t’i nënçmojmë apo të mos i njohim”.

Flamujt e Kosovës

Të premten e 28 tetorit, në një prej mbledhjeve të Qeverisë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ishte ulur përkrah dy flamujve të Kosovës dhe mbi kokën e tij qëndronte stema e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndërsa prapa tij flamuri i Republikës së Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndërsa prapa tij flamuri i Republikës së Kosovës.

Gjashtë ditë më parë, më 22 tetor, ai fliste për rolin e grave dhe rinisë në partinë që udhëheq, Lëvizjen Vetëvendosje, në një foltore ku ishte ngritur vetëm flamuri i Shqipërisë.

Për ta kuptuar se cili nga këta dy flamuj apo çfarë simbole të tjera cilësohen si simbole kyçe të identitetit kombëtar në Kosovë, Radio Evropa e Lirë ka dërguar pyetje në partitë që kanë ulëse në Parlamentin e Kosovës.

Prej tyre, vetëm Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka kthyer përgjigje, duke e vënë fokusin në identitetin shqiptar të vendit.

“Identiteti kombëtar për ne është ndjesia e përkatësisë së gjakut, gjuhës, historisë, territorit, traditës, religjioneve dhe kulturës shqiptare”, është shprehur Lulëzim Blaka, drejtor për informim në AAK.

Por, Jeffrey Lesser, autor i librit “Negocimi i Identitetit Kombëtar: Imigrantët, Minoritetet dhe Lufta për Etnitet në Brazil” dhe profesor i Historisë në Universitetin Amory në SHBA, beson se nuk mund të flitet për identitet të vetëm kombëtar.

Historikisht, vendet në të cilat ka pasur liderë me botëkuptim shumë të ngushtë dhe të rreptë të një identiteti të vetëm kombëtar, rezultojnë të jenë vende të shtypjes..."
Jeffrey Lesser

“Edhe në vendet si Brazili, ku pothuajse të gjithë janë të pajtimit që janë brazilianë, dikush mund të thotë se disa gjëra tregojnë se çfarë do të thotë të jesh brazilian, dikush tjetër mund të të thotë gjëra të tjera”, thotë Lesser për Radion Evropa e Lirë.

Ai beson se dilemat e identitetit kombëtar bëhen më të komplikuara kur prejardhja etnike lidhet me identitetin kombëtar, ndërsa thotë se në kontinentet amerikane “kombësia e njerëzve dhe nënshtetësia formale e tyre janë të lidhura ngushtë”.

Në flamurin e Kosovës përfaqësohen, përmes yjeve, komunitetet etnike më të mëdha që jetojnë në vend: shqiptarët, serbët, boshnjakët, turqit, goranët dhe komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian.

Lesser beson se llojllojshmëria dhe dallimet janë shpeshherë të mira, por thekson se përjashtimi i njëri-tjetrit në identitetet që ia veshim vetes i bën problematike çështjet e identitetit kombëtar.

“Historikisht, vendet në të cilat ka pasur liderë me botëkuptim shumë të ngushtë dhe të rreptë të një identiteti të vetëm kombëtar, rezultojnë të jenë vende të shtypjes, torturës, dhunës dhe vrasjeve të sponsorizuara nga shteti. Dhe, kur liderët flasin në këtë mënyrë, çështjet e identitetit kombëtar bëhen eksplozive”, shtoi Lesser.

Ura që ndan, vendlindje e kosovarit krenar

Rrugët “Mbretëresha Teutë” dhe “Mbreti Petri I” i bashkon Ura e Ibrit në Mitrovicë, që është bërë simbol i ndarjes, e jo bashkimit, të qytetit. Në jug të kësaj ure banon shumica shqiptare e në veri shumica serbe.

Ura mbi lumin Ibër në Mitrovicë që bashkon rrugët “Mbretëresha Teutë” në jug me atë “Mbreti Petri I” në veri.
Ura mbi lumin Ibër në Mitrovicë që bashkon rrugët “Mbretëresha Teutë” në jug me atë “Mbreti Petri I” në veri.

Kjo urë është bërë simbol për tensionet në veri të Kosovës, pasi që aty janë vendosur shpeshherë forca shtesë të Policisë së Kosovës dhe misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR).

Por, qyteti i Mitrovicës - muret e të cilit janë të mbuluara si me flamuj e murale kuqezi, ashtu edhe me ngjyrat kaltër, bardh e kuq – është edhe vendlindja e Remzo Mustafiqit, me prejardhje boshnjake, që mban titullin e kampionit të Kosovës në boks qe pesë vjet radhazi.

"...ëndrra ime është ta ngre flamurin e Kosovës në lartësitë më të larta në garat evropiane, botërore dhe sigurisht olimpike".
Remzo Mustafiq

“Është nder të përfaqësoj vendin tim, Kosovën, ku kam lindur dhe ku kanë lindur paraardhësit e mi. Me shumë kënaqësi dal në ring dhe luftoj duke mbrojtur ngjyrat e vendit tonë të bukur”, thotë Mustafiq për REL-in.

Ai tregon se me gjithë ofertat për të përfaqësuar vende të tjera dhe kushteve më të mira që ofrohen jashtë Kosovës, ai nuk ka menduar kurrë ta lërë vendin e tij.

“Sigurisht që ëndrra ime është ta ngre flamurin e Kosovës në lartësitë më të larta në garat evropiane, botërore dhe sigurisht olimpike”, shton Mustafiq, i cili në tetor e mbrojti titullin e kampionit të Kosovës në boks për kategorinë e rëndë, në konkurrencën e seniorëve.

Për Asier Aguirresarobe, autor i studimit “A është identiteti kombëtar në krizë?” nga Universiteti i Vendit Bask, nuk është aspak e çuditshme të krijohen identitete të reja, si identiteti kombëtar kosovar.

...ndër kriteret për t’u krijuar një identitet kombëtar janë ndjenja e komunitetit, të përbashkëtat historike dhe kulturore dhe përfaqësimi përmes grupeve apo personave të njëjtë".
Asier Aguirresarobe

“Mendoj se identitetet kombëtare janë duke u krijuar gjatë gjithë kohës dhe identitetet kombëtare alternative janë gjithmonë duke u diskutuar. Kështu që ky është një proces normal”, tha Aguirresarobe për Radion Evropa e Lirë.

Por, përderisa e konsideron këtë proces të natyrshëm, ai beson që nuk ka asgjë të natyrshme për lidhjen e njerëzve me identitetet kombëtare.

“Ne jetojmë në një botë të kombeve dhe na duket e natyrshme, por nuk ka asgjë të natyrshme në të gjithë këtë. Është paksa e çuditshme ideja që individët i përkasin një komuniteti që nuk mund ta ndryshojnë pavarësisht sa tentojnë”, shtoi Aguirresarobe.

Në studimin e tij, ai thotë se ndër kriteret për t’u krijuar një identitet kombëtar janë ndjenja e komunitetit, të përbashkëtat historike dhe kulturore dhe përfaqësimi përmes grupeve apo personave të njëjtë.

Krijimi i këtyre të përbashkëtave dhe largimi i fokusit nga dallimet mes komuniteteve etnike është qëllimi kryesor i punës së organizatës kosovare Action for Nonviolence and Peacebuilding (ANP).

...ka mungesë të shkëmbimit kulturor dhe nuk ka kurrfarë komunikimi".
Nexhat Ismajli

Në vitin 2016, ANP-ja kishte grumbulluar 20 mësimdhënës nga shkollat shqipe dhe serbe në rajonin e Gjilanit për të diskutuar, ndër tjerash, edhe për identitetin dhe paragjykimet.

Nexhat Ismajli, i cili drejton ANP-në, thotë se pjesëmarrësit ndihen shumë më të afërt ndërmjet vete pas trajnimeve të tilla. Ai beson se nuk është punuar mjaftueshëm nga institucionet që një integrim i tillë të arrihet në shoqëri.

“Komuniteti serb dhe shqiptar për fat të keq janë duke jetuar jo së bashku, por njëri pranë tjetrit. Këtë e them sepse ka mungesë të shkëmbimit kulturor dhe nuk ka kurrfarë komunikimi”, u shpreh Ismajli për Radion Evropa e Lirë.

Sipas regjistrimit të popullsisë në vitin 2011, shqiptarët përbëjnë rreth 93 për qind të popullsisë në Kosovë, boshnjakët 1.6 për qind, serbët 1.5 për qind, turqit 1.1%, ashkalinjtë 0.9 për qind, egjiptianët 0.6 për qind, goranët gjithashtu 0.6 për qind, ndërsa romët 0.5 për qind.

Por, Qendra Evropiane për Çështje të Minoriteteve kishte paralajmëruar se të dhënat e këtij regjistrimi nuk e pasqyrojnë përbërjen e vërtetë të popullsisë shkaku i bojkotimit të tij në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës dhe bojkotit të pjesshëm nga serbët dhe romët në pjesën jugore të vendit.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG