Ndërlidhjet

Opozita kritikon Hotin për "koncesione" në Uashington


Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti. Foto nga arkivi.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti. Foto nga arkivi.

Dy partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës, kritikuan qeverinë e udhëhequr nga kryeministri Avdullah Hoti për marrëveshjen e arritur në Uashington, me Serbinë.

Sipas opozitës, Hoti në Uashington – ku më 4 shtator u arrit marrëveshje për normalizim ekonomik me Serbinë – bëri koncensione sa i përket Liqenit të Ujmanit, që gjendet në veri të Kosovës, pranimit që Kosova të futet në nismën e mini-Shengenit dhe heqjes së një pike nga marrëveshja ku flitej për njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Më 4 shtator, në Shtëpinë e Bardhë, kryeministri Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nënshkruan një marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve ekonomike. Marrëveshja u nënshkrua në prani të presidentit amerikan, Donald Trump.

Hoti: Me Serbinë negociojmë vetëm për njohje të ndërsjellë

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, gjatë raportimit në kuvend, tha se marrëveshja e 4 shtatorit në Uashington, është arritur pas një roli aktiv të Shteteve të Bashkuara.

“Kjo marrëveshje i ka 16 pika, prej të cilave janë edhe projektet e mëdha infrastrukturore. Vlerësoj që ky është momentum i ri i marrëdhënieve BE-SHBA sa i përket dialogut Kosovë-Serbi", tha Hoti gjatë interpelancës, që u thirr nga partia opozitare, Partia Demokratike e Kosovës.

Hoti tha se me marrëveshjen e arritur, Kosova do të kthehet në epiqendër të aktivitetit ekonomik infrastrukturor.

"Investimet e mëdha infrastrukturore dhe sjellja e gazit në Kosovë, do të jenë infuzion i madh për zhvillimin e ekonomisë së vendit tonë", tha ai.

Marrëveshje "për tejkalimin e ndasive" dhe fokusimin në ekonomi
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:24 0:00

Sipas tij, me këto projekte, Kosova kthehet në "qendër të aktivitetit ekonomik në rajon dhe më gjerë sa i përket komunikacionit rrugor dhe hekurudhor, duke lidhur Selanikun me Durrësin, dhe pastaj me Podgoricën, dhe pastaj me Serbinë dhe Evropën Qendrore".

"Ky është një momentum i ri ndërkombëtar i marrëdhënieve BE-SHBA, i cili ka për qëllim të prodhojë një projekt përfundimtar normalizimi dhe paqeje, përmes njohjes mes Kosovës dhe Serbisë", tha ai.

Duke folur për dialogun me Serbinë në Bruksel, Hoti përsëriti qëndrimin e tij se Kosova nuk po zhvillon dialog teknik, por vetëm dialog për marrëveshje finale, e cila, sipas tij, duhet të ketë njohjen e ndërsjellë dhe normalizimin e plotë të marrëdhëneve mes Prishtinës dhe Beogradit.

"Integriteti territorial është i panegociueshëm dhe nuk është shtruar si çështje para meje. Organizimi kushtetues i Kosovës nuk bën të preket, nuk ka Asociacion me kompetenca ekzekutive në Kosovë. Për këto dy parime të dialogut, ka mbështetje të plotë nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Parimi i tretë është se marrëveshja duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, tha Hoti.

Ai para deputetëve u shpreh se marrëveshja duhet të përmbajë elemente që shfuqizojnë rezolutën 12 44 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

LVV: Në Uashington fitoi Serbia

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka kritikuar kryeministrin Avdullah Hoti lidhur me marrëveshjen e arritur në Uashington, më 4 shtator, për shkak se, siç tha ai, nuk e kishte njoftuar paraprakisht Kuvendin e Kosovës për marrëveshjen që do të nënshkruante e në të cilën, sipas tij, janë bërë shumë koncesione ndaj Serbisë.

Ai ka ngritur një varg pyetjesh për kryeministrin Hoti, lidhur me pikat e marrëveshjes, duke i kontestuar ato si të dëmshme për Kosovën, ndërkaq që, sipas tij, ai ia ka humbur shansin Kosovës që të sjellë fitore nga vendi më i duhur, pra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Kosova nuk del me fitore nga nënshkrimi juaj zotëri Hoti. Nga ai nënshkrim, më së shumti kanë përfituar të tjerët. Në këtë rast, përfituesi më i madh del Serbia sepse përfitoi dalje në Adriatik, bashkëpronësi në Ujman, zhbërje të kufirit shtetëror, pra, nga kufij shtetëror në pikë të kalimit të përbashkët, realizimin e idesë për mini-Shengen, që në fakt është zonë e Novi Sadit. E stopon Kosovën në njohjet e saj, e stopon Kosovën për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe mbi të gjitha, e kthen Kosovën shumë prapa në shtetbërjen e saj”, theksoi Selimi.

Duke iu drejtuar kryeministrit Hoti, Selimi shtoi se ai ka bërë gabim të madh dhe me pasoja për të ardhmen e vendit.

Në kuadër të marrëveshjes së 4 shtatorit, një ndër pikat parasheh hartimin e një studimi të fizibilitetit me qëllim të përdorimit të përbashkët të Liqenit të Ujmanit, si furnizues i sigurt i ujit dhe energjisë. Ky studim i fizibilitetit është thënë se do të bëhet nga Departamenti amerikan për Energji.

Në marrëveshjen e Uashingtonit, Kosova është zotuar se do të bëhet pjesë e mini-Shengenit, një nismë kjo për bashkëpunim ekonomik rajonal, që është shpallur nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, në tetor të vitit të kaluar.

PDK: Marrëveshja e 4 shtatorit, meritë e SHBA-së e jo e Kosovës

Enver Hoxhaj, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, theksoi që delegacioni i Kosovës në krye me kryeministrin Hoti, nuk ka negociuar fare për marrëveshjen në Uashington, ndërkaq ajo që është arritur në Shtëpinë e Bardhë është “meritë e amerikanëve dhe jo e delegacionit të Kosovës”.

Ai e ka kritikuar qeverinë, që për shkak të insistimit të Serbisë, ka pranuar që nga dokumenti largohet pika që parashihte njohjen e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, prapa së cilës pikë, sipas Hoxhajt, kanë qëndruar i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun, Richard Grenell, dhe këshilltari për siguri kombëtare i SHBA-së, Robert O’Brien.

Hoxhaj, gjithashtu, ka paralajmëruar që pika e marrëveshjes së Uashingtonit, e cila ka të bëjë me pronën e Kishës Ortodokse Serbe, paraqet “hapje të Planit të Ahtisarit”.

"Ajo çka po ndodh këto ditë është hapja e Pakos së Ahtisari. Dhe, ky është shqetësimi ynë dhe nuk ka të bëjë me atë se unë jam në opozitë, por po e them në mënyrën më të sinqertë. Paragrafi i marrëveshjes së Uashingtoni që flet për kishat është hapje e Pakos së Ahtisarti. Sot në Bruksel kur Skender Hyseni flet për aranzhimet për komunitetin joshumicë, është hapje e Pakos së Ahtisarit", tha Hoxhaj.

AAK: Mbështesim parimet e Hotit për dialogun

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, tha se Kosova në Uashington me marrëveshjen e arritur, ka bërë një hap përpara në procesin e dialogut.

Ajo tha se SHBA-ja në këtë proces tregoi lidership botëror dhe konfirmoi edhe njëherë interesin strategjik për paqe, për prosperitet ekonomike e stabilitet në Kosovë dhe rajon.

"Tani pritjet tona janë që edhe Bashkimi Evropian të tregojë përkushtimin dhe seriozitetin e njëjtë për dialogun", tha deputetja Kadrijaj, partia e së cilës është pjesë e koalicionit qeverisës.

Ajo tha se parimet e dialogut, të cilat i ka prezantuar kryeministri Hoti, janë qëndrime që AAK-ja i ka mbështetur dhe do t'i mbështesë deri në fund.

"Parimi numër një lidhet me tërësinë territoriale të Kosovës dhe mosdiskutimi i asnjë teme që ndërlidhet me kufirin e përcaktuar me Kushtetutën e Kosovës, ashtu siç është e paraparë në pika kufitare. Ne qëndrojmë të paluhatshëm në këtë temë”, tha ajo.

Dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, rinisi më 16 korrik, pasi ishte ndërprerë që prej fundit të vitit 2018.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë takuar për herë të dytë më 7 shtator.

Të enjten të dyja delegacionet në nivel të ekspertëve po diskutojnë në Bruksel për çështjet financiare.

Kryeministri i Kosovës e ka obligim kushtetues që t’i raportojë kuvendit edhe për çështje të politikës së jashtme, në veçanti për dialogun.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG