Pandemia e koronavirusit ka ndikuar që të ulet numri i turistëve të huaj, që vizitojnë vendet turistike në Maqedoninë e Veriut.
Kështu thuhet në të dhënat e publikuara nga Enti Shtetëror i Statistikave, ku nëse krahasohen të dhënat e muajit prill, me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, del se numri i turistëve të huaj që kanë vizituar Maqedoninë e Veriut, ka pasur ulje deri në 99.7 për qind.
Përfaqësuesit e sektorit të hotelerisë, thonë se turistët nga vendet skandinave që zakonisht frekuentonin, qytetet turistike si Ohrin dhe Strugën, tashmë kanë anuluar rezervimet për pushime. Ndërkohë, numri i turistëve vendorë vazhdon të jetë i vogël, pavarësisht se çmimet janë ulur.
Agjencitë turistike thonë se numri në rritje i të infektuarve me koronavirus në Maqedoninë e Veriut po bën që situata të ndryshojë brenda orësh, andaj thonë se në këtë situatë, askush nuk mund të planifikojë pushime, pavarësisht se janë ulur edhe çmimet.
“Për momentin nuk kemi rezervime të mëdha. Ka të tillë që lajmërohen, pyesin për çmimet, por asnjë konkrete, vështirë përcaktohen për të rezervuar. Fakt është që çmimet e shërbimeve në sektorin e hotelerisë janë ulur, jo vetëm te ne, por gjithandej. Presim turistë nga vendi sepse të huajt që më herët i kanë anuluar rezervimet e tyre. Duhet ta pranojmë që sezoni i sivjetmë turistik është me shumë pikëpyetje”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Kërste Bllazhevski, kryetari i Asociacionit të hotelierëve në Maqedoninë e Veriut.
Për të ndihmuar sektorin e hotelerisë, Qeveria e Maqedonisë së Veriut, nga 15 korriku do t’u japë 130,000 qytetarëve kuponë në vlerë prej rreth 100 eurove për turizëm vendorë dhe kartela të pagesës prej rreth 50 eurosh për pushime vendore në Maqedoninë e Veriut, të cilat mund t’i shfrytëzojnë deri në fund të këtij viti.
Nga Ministria e Ekonomisë kanë thënë se përmes lëshimit të kuponëve për turizëm vendorë, synohet që të mbështetet sektori i turizmit, përkatësisht hotelerisë dhe objekteve të gastronomisë, të cilat mund të përballen me krizë ekonomike, nga kriza me koronavirusin.
“Duke pasur parasysh faktin se turizmi është një nga degët më të prekura nga kriza e koronavirusit, jemi të bindur që turizmi vendas mbetet shpresa më e madhe për mbështetjen e kësaj industrie”, deklaroi ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, teksa prezantoi planin për lëshimin e kuponëve, që do t’u jepen qytetarëve që nuk kanë të ardhura mujore më shumë se 250 euro.
Përfaqësuesit e sektorit të turizmit presin që kjo nismë e qeverisë të kontribuojë në rritjen e turizmit vendor.
Përhapja e koronavirusit ka imponuar që të ndërmerren një sërë masash që duhen plotësuar nga bizneset hoteliere. Këta të fundit duhet t’iu përmbahen protokolleve të përcaktuara nga qeveria, me qëllim të parandalimit të përhapjes së mëtejmë të këtij virusi. Disa nga masat përfshijnë pastrimin dhe dezinfektimin e hapësirave gjatë gjithë kohës.
“Veçanërisht, kemi vështirësi të mëdha që t’iu përmbahemi protokolleve që kanë të bëjnë me mbrojtjen e shëndetit të pushuesve, por edhe shëndetin e stafit. Për bujtinat e vogla dhe vilat, masat janë të kushtueshme dhe nuk mund të arsyetohen me çmimet që i kemi për pushuesit. Marrë parasysh situatën me COVID-19 (sëmundja që e shkakton koronavirusi), ne si bujtinë e vogël jemi duke kalkuluar a do të jetë efektive mbulimi i shpenzimeve, andaj jemi duke menduar që në këtë sezon do të jetë e nevojshme që të pauzojmë”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Albert Hani, pronar i një bujtine në afërsi të Liqenit të Ohrit në Strugë.
Nga sektori i hotelerisë thonë se sa më shpejt duhet të hartohet një strategji, e cila do t’u mundësonte që të merrni mjete, me qëllim të sektori i turizmit të mbijetojë. Në të kundërtën, ata paralajmërojnë se shumë biznese do të shkojnë drejt mbylljes.