Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, tha se nuk e kupton vendimin për ndalimin e festivalit “Mirëdita, Dobar dan”, sepse, siç tha, është një ngjarje që e inkurajon bashkëpunimin mes Serbisë dhe Kosovës.
Hill tha në një intervistë për revistën “Diplomacy and Commerce” se nuk e priste një vendim të tillë nga autoritetet serbe, transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.
“Ka gjithmonë arsye të sigurisë, kjo është e qartë për mua. Por, unë nuk e kuptoj këtë vendim. Festivali ka qenë i shkëlqyeshëm për Serbinë, është mbajtur për dhjetë vjet...”, tha Hill.
Ai kujtoi se festivali është i sponsorizuar nga Bashkimi Evropian dhe tha se BE-ja po përpiqet t’i normalizojë marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.
“Kjo do të thotë, para së gjithash, ulje e tensioneve, por nëkupton edhe ide për bashkëpunim të ndërsjellë”, tha ambasadori amerikan.
Mungesa e normalizimit të marrëdhënieve, sipas tij, “do të thotë jostabilitet, do të thotë probleme”.
“Ndërsa evropianët duan ta shohin Serbinë në mesin e tyre, brenda strukturave të tyre, ata duan që Serbia t’i zgjidhë ose të paktën t’i adresojë problemet e saj përpara se të hyjë në BE. Pra, unë mendoj se ata janë shumë të përqendruar në normalizim, ashtu sikurse edhe ne”, tha Hill.
Festivali “Mirëdita, Dobar dan”, i cili promovon bashkëpunimin mes skenës kulturore e artistike të Kosovës dhe asaj të Serbisë, është dashur të mbahet në Beograd nga data 27 deri më 29 qershor.
Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë ndaloi mbajtjen e tij, për shkak të, siç tha, “rrezikimit të sigurisë së njerëzve dhe pronës”, pas tubimit të ultra të djathtëve që e kundërshtuan mbajtjen e festivalit.
Ndalimi i festivalit u dënua nga organizatat joqeveritare në rajon dhe nga disa parti opozitare në Serbi, ndërsa Bashkimi Evropian shprehu keqardhje.