Prokurori i përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, William Barr, tha në një letër drejtuar ligjvënësve amerikanë se hetimet e këshilltarit të posaçëm, Robert Mueller, në lidhje me fushatën e zgjedhjeve presidenciale më 2016, nuk kanë gjetur se presidenti Donald Trump ka kryer krim, por, në të njëjtën kohë, nuk e shfajësojnë atë.
Në letër po ashtu thuhet se dëshmitë e mbledhura nga Mueller “nuk janë të mjaftueshme” për të konstatuar se Trump e ka penguar drejtësinë.
Mueller ka hetuar ndërhyrjen e Rusisë në fushatën zgjedhore të vitit 2016, së bashku me, siç thuhet në letrën e Barrit, “akuzat se anëtarë të fushatës presidenciale të Trumpit dhe të tjerë të lidhur me të kanë bërë konspiracion me Qeverinë e Rusisë në përpjekjet e saj për të ndërhyrë”.
Mueller po ashtu ka hetuar nëse Trump ose bashkëpunëtorët e tij kanë bërë përpjekje që, në mënyrë të paligjshme, të pengojnë drejtësinë, duke tentuar të pengojnë hetimet.
Shumë shpejt pas publikimit të letrës së prokurorit Barr, Trump reagoi përmes një postimi në Twitter, duke thënë:
"Nuk ka pasur bashkëpunim të fshehtë, nuk ka pasur pengim (v.j. të drejtësisë), shfajësim total".
Raporti i Muellerit iu dorëzua të premten prokurorit të përgjithshëm, Barr, i cili e analizoi atë, përpara se t’ia dorëzonte një përmbledhje të tij Kongresit.
Raporti është rezultat i hetimeve dyvjeçare të Muellerit.
Në kuadër të këtyre hetimeve, Mueller dhe ekipi i tij kanë akuzuar 34 njerëz, përfshirë gjashtë ish-ndihmës të Trumpit dhe disa rusë, si dhe tri kompani.
Asnjë nga këto akuza nuk lidhet direkt me akuzat për bashkëpunim të fshehtë midis fushatës së Trumpit dhe Moskës.
Mediat amerikane, duke u thirrur në burime brenda Departamentit të Drejtësisë, raportojnë se nuk do të ketë akuza të tjera që do të dalin nga hetimet e Muellerit.
Ligjërisht, prokurori i përgjithshëm nuk është i obliguar të publikojë raportin, por gjatë seancave dëgjimore për konfirmimin e tij në këtë post, Barr është zotuar se do të publikojë aq sa mundet.
Shumë ligjvënës nga të dyja partitë kanë thënë se duhet të publikohet i gjithë raporti.
Trump vazhdimisht ka thënë se hetimet janë një sulm i motivuar politikisht kundër presidencës së tij.
Ai shpesh iu është referuar atyre si “gjueti e shtrigave”, e udhëhequr nga mbështetësit e kundërshtares së tij demokrate në zgjedhjet e vitit 2016, Hillary Clinton.