Ndërlidhjet

Grave beqare dhe të pashoqëruara u mbyllen të gjitha dyert nën sundimin taliban


Gratë afgane shesin rroba të dorës së dytë në Kabul, Afganistan, 17 janar 2024.
Gratë afgane shesin rroba të dorës së dytë në Kabul, Afganistan, 17 janar 2024.

Gratë janë duke vuajtur më së shumti nga ligjet shtypëse të grupit ekstremist taliban në Afganistan, ku liderët talibanë kanë vendosur rregullore kufizuese për dukjen e tyre, lirinë e lëvizjes dhe të drejtën për të punuar dhe për të studiuar.

Por, gratë të cilat janë të pamartuara, apo nuk të cilat nuk kanë ndonjë “mahram” apo shoqërues mashkull, përballen me kufizime edhe më të ashpra dhe atyre u është pamundësuar qasja në kujdesin shëndetësor, u është ndaluar udhëtimi në vende të largëta dhe u është bërë trysni ta braktisin punën.

Rregullat talibane për mahramin ua ndalojnë grave daljen nga shtëpia pa një shoqërues, qoftë ai burri, apo një familjar i afërt, si babai, vëllai apo xhaxhai.

Gratë beqare apo të pashoqëruara, përfshirë rreth 2 milionë vejusha, thonë se janë të burgosura në shtëpitë e veta dhe se nuk janë në gjendje t’i kryejnë detyrat më themelore të mundshme.

Në mesin e tyre është Nadia, një grua e shkurorëzuar nga provinca veriore, Kunduz. Nadia, nënë e katër fëmijëve, nuk e ka asnjë të afërm mashkull gjallë.

“Këto kufizime po i shtypin gratë të cilat nuk mund t’i bëjë gjërat e thjeshta në mënyrë të pavarur”, tha Nadia për Radion Azadi të Radios Evropa e Lirë.

Nadia, 35 vjeçe, tha se grave u kërkohet të kenë një shoqërues mashkull edhe për vizita te mjeku, apo kur shkojnë në zyra qeveritare e madje edhe kur marrin shtëpi me qira.

Një vajzë afgane qëndron në mesin e vejushave në veshura me burka.

Ajo tha se ishte detyruar ta paguante një burrë të lagjes rreth 15 dollarë për ta shoqëruar atë te zyra vendore për pasaportë. Por, talibanët ia hodhën poshtë kërkesën për pasaportë dhe e urdhëruan të kthehej te babai i vet, i cili vdiq dy vjet më parë.

“Edhe vizita te mjeku po bëhet e pamundur. Ne vetëm mund t’u përgjërohemi [talibanëve] apo të lutemi. Na i kanë mbyllur të gjitha dyert”, tha Nadia.

Ndëshkimi i grave që e shkelin rregulloren mahram

Gratë të cilat i shkelin rregullat talibane për mahramin, apo shoqëruesin mashkull, ndalohen ose arrestohen dhe shpesh lirohen vetëm pasi ta nënshkruajnë një zotim se nuk do t’i shkelin rregullat përsëri në të ardhmen.

Në raportin e tij më të fundit, misioni i OKB-së në Afganistan, UNAMA, tha se policia famëkeqe fetare talibane po kryen inspektime në hapësirat publike, në zyra dhe në ndërtesat arsimore, si dhe po vendos pika kontrolli në qytete, për të parë nëse rregullat po zbatohen.

"Si e burgosur": Ish-prokurorja afgane e ndjekur nga talibanët
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:03:26 0:00

I publikuar më 22 janar, raporti thekson se tri punonjëse shëndetësore u arrestuan në tetor, për shkak se kishin shkuar në vendin e punës pa mahramin e tyre.

Në dhjetor, gratë pa shoqërues meshkuj nuk ishin lejuar të futeshin në qendrat mjekësore në provincën juglindore, Paktia, thuhet në raport.

Në provincën jugore, Kandahar, talibanët shkuan në një stacion autobusi dhe kontrolluan nëse gratë po udhëtonin me shoqëruesit e tyre meshkuj, sipas raportit.

Në fund të vitit 2021, talibanët thanë se grave të cilat kërkojnë të udhëtojnë më shumë se 72 kilometra larg, nuk duhet t’u ofrohet transport, nëse ato nuk janë të shoqëruar nga ndonjë familjar i afërt.

Në një rast tjetër, talibanët e këshilluan një grua të martohej, nëse dëshironte ta mbante punën në një qendër mjekësore, duke thënë se nuk ishte e përshtatshme për një grua beqare të punonte, sipas raportit.

Në një raport të lëshuar më 18 janar, Fondi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP) tha se kufizimet talibane ndaj grave beqare dhe të pashoqëruara ka bërë që shtëpitë e udhëhequra nga gratë të kenë të hyra më të vogla dhe më pak ushqim.

“Tejet fyese”

Parisa, një grua e pamartuar, kujdeset për prindërit e vet të moshuar në provincën verilindore, Takhar.

Me babanë të dergjur në shtrat dhe dy vëllezërit që i punojnë në Iranin fqinj, ajo është detyruar të kujdeset për nevojat e familjes.

Por, Parisa thotë se është frikësuar vazhdimisht nga talibanët sa herë ka dalë për të blerë sende ushqimore në tregun vendor, rreth 10 kilometra larg shtëpisë së saj.

“Çfarë mund të bëjnë gratë kur burrat në familjet e tyre detyrohen të largohen nga vendi për të punuar?”, tha ajo për Radion Azadi, duke e treguar vetëm emrin e parë për shkaqe sigurie.

Gratë afgane presin për të marrë pako me ndihma, që përfshijnë ushqim, rroba dhe materiale sanitare, të ndara nga fondacioni vendor i bamirësisë, Herat, 15 janar 2024.
Gratë afgane presin për të marrë pako me ndihma, që përfshijnë ushqim, rroba dhe materiale sanitare, të ndara nga fondacioni vendor i bamirësisë, Herat, 15 janar 2024.

“Nuk kam zgjidhje tjetër pos të kujdesem për nevojat themelore të familjes sime. Qëndrimi i talibanëve është tejet fyes dhe shumë agresiv”, theksoi ajo.

Parisa tha se i është lutur liderëve lokalë talibanë t’i lehtësojnë kërkesat për mahram. Por, tha se përpjekjet e saj kanë qenë të kota.

“Ata fillojnë të na abuzojnë dhe kërcënojnë sa herë që ne përpiqemi t’u themi se duhet të dalim nga shtëpitë tona për t’i plotësuar nevojat tona themelore”, nënvizoi ajo.

Parsato, një banore e Kabulit, tha se kufizimet talibane po ua pamundësojnë grave beqare qasjen në kujdesin e kufizuar mjekësor.

“Mjekët në spitale dhe klinika ngurrojnë t’i kontrollojnë gratë e pashoqëruara”, tha ajo për Radio Azadin.

Ajo tha se këto kufizime të mëdha talibane, posaçërisht ndaj grave të pamartuara apo të pashoqëruara, po e bëjnë të papërballueshme jetën.

“Gratë beqare po përpiqen të mbijetojnë pa të drejta dhe pa mundësi”, përfundoi ajo.

Përgatiti: Ekrem Idrizi

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG