Ndërlidhjet

Në Graçanicë protestohet kundër femicidit dhe dhunës ndaj grave


Protesta në Graçanicë më 9 gusht 2024.
Protesta në Graçanicë më 9 gusht 2024.

Para stacionit policor në Graçanicë, afër Prishtinës, më 9 gusht u organizua një protestë kundër dhunës në familje, ku pjesëmarrësit thanë se dhuna nuk është çështje private dhe se shoqëria dhe institucionet duhet të bëjnë më shumë në këtë çështje.

Organizatorja e protestës, aktivistja dhe përfaqësuesja e organizatës joqeveritare “Pravo na pravo”, Millica Stojanoviq-Kostiq, deklaroi se femicidi duhet të dënohet me burgim të përjetshëm.

“Më në fund duhet të zgjohemi dhe të kuptojmë se dhuna nuk mund të jetë dhe nuk është çështje private. Kur shohim apo dëgjojmë se dikush po ushtron dhunë ndaj dikujt, duhet ta denoncojmë menjëherë në polici”, tha ajo.

"Ndaloni dhunën", shkruan në pankartën e këtij protestuesi në Graçanicë.
"Ndaloni dhunën", shkruan në pankartën e këtij protestuesi në Graçanicë.

Kjo protestë u mbajt pasi më 2 gusht vdiq M.ZH., nga komuna e Graçanicës, pas lëndimeve të rënda trupore që dyshohet se ia shkaktoi bashkëshorti.

I dyshuari në atë rast, D.ZH. është arrestuar për dhunë në familje, por pas vdekjes së bashkëshortes, prokuroria e ka riklasifikuar çështjen në vrasje të rëndë dhe ai tani ndodhet në paraburgim.

Millica Stojanoviq-Kostiq nënvizoi se M.ZH., vdiq në shtëpinë e saj, në vendin ku do të duhej të ishte e sigurt dhe vdiq nga duart e bashkëshorti, i cili, sipas saj, duhet të ishte mbrojtësi i saj më i madh.

"Shoqëri e shëndosh, familje e shëndosh", është mesazhi që mbante një protestuese në Graçanicë.
"Shoqëri e shëndosh, familje e shëndosh", është mesazhi që mbante një protestuese në Graçanicë.

Pas protestës, organizatorët dorëzuan në Komunën e Graçanicës dhe Policinë e Kosovës kërkesat lidhur me parandalimin e dhunës ndaj grave.

Disa nga kërkesat e protestuesve janë që policia të merret më seriozisht me denoncimet që gratë bëjnë për dhunën në familje, që viktimat të trajtohen me respekt dhe jo të pyeten “a e provokove” dhe “pse të kanë rrahur”. Nga autoritetet lokale u kërkua që të monitorojë raportet për dhunën ndaj grave në mënyrë më të detajuar dhe që Zyra për Barazi Gjinore ofrojë mbështetje më të madhe për viktimat, ndihmë juridike dhe psikologjike falas.

Snezhana Jovanoviq nga komisioni për siguri në Komunën e Graçanicës, tha se policia në këtë komunë ka dështuar në rastin e vrasjes së gruas dhe se ngjarje të tilla nuk duhet të përsëriten.

Protestuesit duke protestuar para stacionit policor në Graçanicë.
Protestuesit duke protestuar para stacionit policor në Graçanicë.

Ajo shtoi se gratë normalisht nuk gjejnë mbështetje institucionale kur bëhet fjalë për dhunën ndaj tyre.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në reagimet e tyre pas vdekjes së gruas nga Graçanica thanë se rastet e vrasjeve të grave nuk duhet të tolerohen, duke u bërë thirrje institucioneve të drejtësisë që të dënojnë autorët në mënyrë që të mos përsëriten rastet e femicidit.

Në prill të këtij viti, brenda disa ditësh dy gra u vranë nga bashkëshortët e tyre në Kosovë.

Po ashtu, disa ditë pas vdekjes së gruas nga Graçanica, një grua u plagos me armë zjarri në Fushë Kosovë. Bashëshorti i saj dyshohet për kryerjen e veprës penale “vrasje e rëndë në tentativë”, “armëmbajtje pa leje” dhe “mospërfillje të gjykatës”.

Ndërkaq, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka zhvilluar një aksion simbolik më 7 gusht pranë stacionit policor në Prishtinë dhe më pas pranë Prokurorisë së Shtetit, në ndërtesat e të cilëve ka shkruar “Po i vrisni gratë”.

Nga kjo organizatë kërkuan veprime urgjente nga institucionet dhe shoqëria për luftimin e dhunës ndaj grave.

Nga viti 2010 deri në gusht të vitit 2024, në Kosovë janë vrarë 58 gra.

Në të shumtën e rasteve, autorë të vrasjeve kanë qenë bashkëshortët, pastaj baballarët dhe djemtë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG