Në prag të shënimit të përvjetorit të lindjes së Goce Dellçevit, më 4 shkurt, në Shkup vërehen masa të shtuara të sigurisë.
Rrugët që çojnë për te varri i tij, brenda kishës Shën Spas, përballë Kalasë së Shkupit, janë bllokuar nga forcat speciale të Policisë maqedonase.
Në 151-vjetorin e lindjes së Goce Dellçevit, tash e disa ditë janë rritur tensionet mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, pasi dy vendet pretendojnë identitetin e këtij heroi, i cili kishte udhëhequr një rezistencë maqedono-bullgare kundër Perandorisë Osmane.
Presidenti maqedonas, Stevo Pandarovski, do ta nderojë figurën e Goce Dellçevit me manifestime të ndryshme, ndërkohë që ende nuk dihet nëse do të arrijnë edhe grupe nga Bullgaria, të cilat ishin paralajmëruar nga eurodeputeti bullgar, Angel Xhambaski, i njohur për retorikën nacionaliste në raportet me Shkupin.
Të martën, kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, tha se institucionet mund t’ia ndalojnë hyrjen në Maqedoninë e Veriut ndonjë shtetasi bullgar, nëse vlerësojnë se përbën rrezik për paqen dhe stabilitetin e vendit.
Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, tha se Policia ka bërë të gjitha përgatitjet që në manifestimin e së shtunës të mos ketë incidente.
“Prioritet kryesor për ne është që të garantojnë sigurinë dhe stabilitetin e të gjithë qytetarëve. Të mundësojmë një manifestim me dinjitet, ashtu siç e meriton Goce Dellçevi”, tha ai.
Spasovski u bëri thirrje të gjitha partive politike, individëve dhe grupeve të caktuara që të mos e provokojnë situatën, ndërsa hodhi poshtë informacionet se në manifestimin e së shtunës do të ketë edhe pjesëtarë të Policisë bullgare.
Dy shtetet fqinje, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria që nga viti 2017, kur kishin nënshkruar një marrëveshje për fqinjësi të mirë, nuk kanë arritur të zgjidhin mosmarrëveshjet historike.
Mes tjerash, shtetet kanë mospajtime për prejardhjen e shumë personaliteteve historike, përfshirë edhe Goce Dellçevin, dhe çështjet tjera që kanë të bëjnë me identitetin dhe gjuhën maqedonase, pasi bullgarët pretendojnë se ato kanë “rrënjë bullgare”.
- Shkupi dhe Sofja mobilizohen për përvjetorin e Dellçevit
- Klubet kulturore që ndajnë popujt
- Osmani pas tërheqjes së ambasadorit bullgar: Sofja po bie pre e provokimeve
Tensionet mes dy vendeve u rikthyen në muajin nëntor të vitit të kaluar kur pjesëtarë të pakicës bullgare në Maqedoninë e Veriut, hapën në Manastir dhe Ohër klube bullgare me emrat “Car Borisi i Tretë” dhe “Vanço Mijallkov”, të cilët kanë sunduar me Bullgarinë në periudhën e Perandorisë Osmane, me synimin e “bashkimin e tokave maqedonase me Bullgarinë”.
Një pjesëtar i këtij klubi, më 16 janar, u sulmua fizikisht gjë që rriti edhe më shumë tensionet mes dy vendeve duke çuar madje edhe në tërheqjen e ambasadorit bullgar nga Shkupi.
Pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, më 23 janar, presidenti maqedonase, Stevo Pendarovski, tha se ardhja e ndonjë grupi të bullgarëve më 4 shkurt përbën “rrezik të lartë sigurie”, andaj kërkoi shtimin e masave të sigurisë.
Bullgaria, si shtet anëtar i BE-së, vitin e kaluar hoqi veton ndaj Shkupit për t’i hapur rrugë bisedimeve të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Por, bisedimet mund të bllokohen nëse Maqedonia e Veriut nuk bën ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën saj, ashtu siç parashihet me marrëveshjen ndërmjet dy vendeve, bazuar mbi atë që njihet si “propozimi francez” për zgjidhjen e kontesteve për gjuhën, identitetin dhe historinë maqedonase.