Ndërlidhjet

Gjykata e Strasburgut kundër amnistimit të ish-zyrtarëve maqedonas


Një pamje e përgjithshme e sallës së gjyqit në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg.
Një pamje e përgjithshme e sallës së gjyqit në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg.

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg të enjten ka njoftuar se është e papapranueshme kërkesa e ish-funksionarëve të VMRO DPMNE-së, të cilët iu drejtuan këtij institucioni që t’u njihet e drejta e amnistisë nga ana e ish-presidentit të Maqedonisë së Veriut, Gjorgje Ivanov.

Ndryshe, ish-presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, në prill të vitit 2016 mori vendim të amnistojë (falë) 54 persona të dyshuar nga Prokuroria Speciale për shpërdorim të detyrës përkatësisht për përfshirje në afera korruptive, si dhe mashtrime zgjedhore.

Ky vendim i ish-presidentit Ivanov shkaktoi reagime të ashpra nga ana e faktorit ndërkombëtar, si dhe reagime në opinionin e brendshëm, të cilat u përcollën dhe me protesta nga organizatat jomeritore nën ombrellën e Revolucionit të larmë me moton “nuk ka drejtësi, nuk ka paqe”.

Pas kësaj, ish-presidenti Ivanov pas 10 ditëve u detyrua të tërheqë vendimin për amnistinë.

Në Gjykatën e Strasburgut ishin ankuar ish-kryeministri Nikolla Gruevski, ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakievski dhe ajo e Punëve të brendshme, Gordana Jankullovska, ish-drejtori i Policisë sekrete, Sasho Mijallkov, dhe shefi i kabinetit të tij, Toni Trajkovski, ish-kryetarët e komunave Vlladimir Talevski dhe Edmond Temelko.

Ish-zyrtarët u ankuan në Strasburg me arsyetimin se ishin shkelur “të drejtat e tyre për një gjykim të drejtë dhe e drejta e tyre për liri dhe siguri”.

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg vlerëson se ish -zyrtarët e lartë të akuzuar dhe një pjesë e të cilëve tashmë janë të dënuar, nuk i kanë shterur të gjitha mjetet juridike në Maqedoninë e Veriut.

“Nuk janë shfrytëzuar të gjitha mjetet juridike vendore, gjegjësisht nuk janë shfrytëzuar të gjitha mundësitë që i ofron sistemi juridik i Maqedonisë së Veriut”, theksohet në vendimin e Gjykatës në Strasburg.

Gjykata e Strasburgut mbetet adresë për ankesa pasi të kenë përfunduar proceset gjyqësore në vend

Të akuzuarit dhe dënuarit nga lëndët e proceduara nga Prokuroria Speciale mbetet t’i drejtohen Gjykatës së Strasburgut pasi të kenë përfunduar proceset gjyqësore për këto lëndë në të gjitha instancat e gjykatave në Maqedoninë e Veriut.

Ish-gjykatësja në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Mirjana Llazarova Trajkovska, thotë për Radion Evropa e Lirë se të dënuarit dhe të akuzuarit nga rastet e hapura nga Prokuroria Speciale Publike fillimisht duhet t’i shqyrtojnë të gjitha mundësitë ligjore që kanë në vend dhe më pas t’i drejtohen Gjykatës së Strasburgut.

“Pasi të jenë shterur të gjitha mundësitë juridike, të gjithë këta që janë ankuar, kanë të drejtë sërish të ngrenë një ankesë tjetër para Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, thotë Llazarova.

“Vendimi i Strasburgut dëshmon besueshmërinë në gjykatat vendore”

Për Prokurorinë Publike ishte i pritur vendimi i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut për të mos i pranuar ankesat.

“Ky vendim tregon se Gjykata padyshim ka besim tek autoritetet gjyqësore maqedonase për të sjellë drejtësi. Procedurat do të vazhdojnë para gjykatave kompetente në përputhje me të gjitha rregulloret vendore dhe ndërkombëtare”, thotë për Radion Evropa e Lirë Prokurori Lubomir Jovevski.

Ndërkohë, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, pret që gjykatat e vendit të kryejnë tani punën e tyre lidhur me personat që ndiqen penalisht në rastet e Prokurorisë Speciale Publike.


Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke e cilësuar atë si një vendim që është në favor të shtetit.

“Argumentet e Qeverisë lidhur me papranueshmërinë e kërkesave janë respektuar plotësisht nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg”, theksohet në reagimin e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për mediat.

Pas bisedave të përgjuara, të cilat në vitin 2015 i publikoi kryetari i opozitës së atëhershme, Lidhjes Social Demokrate, Zora Zaev, doli në pah se funksionarë të lartë të shtetit e kishin keqpërdorur detyrën zyrtare duke u përfshirë në afera korruptive. Me marrëveshjen e Përzhinës, u formua Prokuroria Speciale Themelore, detyra e së cilës ishte t’i hetojë këto raste dhe të ngre procedurë juridike për këto raste në organet e drejtësisë.

Në bazë të bisedave të përgjuara, Prokuroria Speciale ngriti 17 akuza ndaj 94 personave.

Një pjesë e lëndëve tashmë kanë përfunduar dhe disa të tjera janë në proces.

Aktualisht, dënimin e vuajnë ish-ministrat Mile Janakievski dhe Gordana Jankullovska, drejtori i Policisë Sekrete Sasho Mijallov etj. Ndërkaq, ish-kryeministri Nikolla Gruevski i është shmangur vuajtjes së dënimit me burgim me arratisjen në Hungari, ku ka kërkuar azil politik.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG