Reuters
Politika gjermane ka pasur një fillimvit të trazuar, me protestat e fermerëve që tronditën Qeverinë, me krizën buxhetore, me rritjen në sondazhe të ekstremit të djathtë dhe me një parti të re populiste që ka shkaktuar edhe më shumë përçarje.
Në këtë tekst mund të mësoni më shumë për sfidat, me të cilat po përballet politika gjermane gjatë këtij viti:
Kultura e protestave
Protestat e fermerëve në shenjë pakënaqësie ndaj ndërprerjeve të subvencioneve kanë pasur një mbështetje të gjerë në Gjermani për shkak të pakënaqësive me koalicionin trepalësh të kancelarit Olaf Scholz, mes Socialdemokratëve të tij (SPD), Të Gjelbërve dhe Demokratëve të Lirë (FDP), sipas Hermann Binkert nga Instituti gjerman për Përgjigje të Reja Sociale (INSA). Mosmarrëveshjet dhe komunikimi i dobët, edhe pse Berlini është dashur të përballet me një sërë krizash, kanë zbehur mbështetjen për koalicionin qeverisës, që ideologjikisht është i larmishëm.
Mbështetja për partitë e koalicionit në sondazhe ka rënë në rreth 30 për qind, që është një shifër shumë e ulët nga mbështetja që fituan gjatë zgjedhjeve të vitit 2021, duke e bërë një nga qeveritë më jopopullore në Gjermaninë moderne.
Nga ana tjetër, kjo ka nxitur një kulturë protestash, qoftë me fermerët që kanë bllokuar rrugët me traktorët e tyre, apo votuesit duke ndryshuar mbështetjen e tyre për Alternativën për Gjermaninë (AfD) të ekstremit të djathtë, e cila tani, sipas sondazheve është partia e dytë më popullore. Parashikimet ekonomike për këtë vit nuk ia bëjnë më të lehtë punën Qeverisë: rritja pritet të qëndrojë nën mesataren e ekonomive të zhvilluara, përderisa Gjermania përballet me çmime të larta të energjisë, me kufizime të rrepta për huamarrje dhe me probleme afatgjata strukturore, sikurse mungesa e numrit të punëtorëve.
Pakënaqësitë me koalicionin
Ky vit, po ashtu, filloi me votimet partiake në FDP nëse ky subjekt duhet të qëndrojë në koalicionin qeverisës.
Përderisa anëtarët e partisë votuan që të qëndronin në koalicion, votimet në këtë parti vunë në pah pakënaqësitë e anëtarësisë së partive të koalicionit për shkak të kompromiseve të dhimbshme që u deshën të ndërmerrnin.
Nuk do të kishte kuptim për asnjërën nga partitë që të largohej nga koalicioni pasi që të gjitha rrezikojnë që të humbin vota dhe pushtet. Por, partitë gjithnjë e më shumë po duhet që t'i bindin anëtarësitë e tyre për përkushtimin ndaj parimeve të subjekteve të tyre, në mënyrë që koalicioni të mos prishet.
Rritja e populizmit
Partitë tradicionalisht më të mëdha në Gjermani, SPD-ja dhe konservatorët opozitarë, gjatë viteve të fundit kanë humbur shumë mbështetje.
Edhe formimi i AfD-së më 2013, me të cilën partitë e tjera deri më tani kanë refuzuar që të bashkëpunojnë, e ka ndërlikuar arritjen e koalicioneve me koherencë ideologjike.
Të tjerët tashmë po kërkojnë të krijojnë parti të reja populiste, duke krijuar më shumë ndasi në skenën politike. Sahra Wagenknecht, një ikonë e së majtës në Gjermani, javën e kaluar formoi partinë e saj. Dy javë më parë, Hans-Georg Maassen, ish-zyrtar i sigurisë dhe figurë popullore në mesin e votuesve antimigrantë, po ashtu tha se do të formojë një parti të re.
Testet zgjedhore
Zgjedhjet parlamentare në Bashkimin Evropian dhe votimet në qarqet në gjysmën e 16 shteteve të Gjermanisë më 9 qershor, do të jenë test për disponimin politik.
Një mbështetje e fuqishme për partitë populiste mund t’iu japë atyre legjitimitet më të madh.
Po ashtu, mund të ketë ndikim në politika: politikanët lokalë kanë shumë pushtet në projektet e energjisë së gjelbër, prandaj ata mund të ngadalësojnë trazicionin nga karboni në ekonomi neutrale.
Megjithatë, testi më i madh zgjedhor më 2024 do të jenë zgjedhjet në shtetet lindore të Gjermanisë, në Turingi, Saksoni dhe Brandenburg që do të mbahen në shtator. Sipas sondazheve aktuale, AfD-ja është në rrugën drejt fitores.
Stefan Marschall, politolog në Universiteti i Dyzeldorfit, tha se zgjedhjet mund të çojnë në qeveri të pakicës – duke pasur parasysh fragmentimin e skenës politike – dhe ndoshta disa prej tyre do të jenë nën udhëheqjen e AfD-së.
“Ky është një skenar, të cilin ne ende nuk e kemi pasur”, tha ai.
Migrimi pritet të jetë lartë në agjendën e këtij viti pasi politikanët do të tentojnë ta largojnë këtë temë nga partitë populiste, tha ai.
Zgjedhjet amerikane
Kompanitë dhe politikanët gjermanë të brengosur po bëhen gati për zgjedhjet presidenciale të shtetit aleat, Shteteve të Bashkuara, që do të mbahen më 5 nëntor. Këto zgjedhje mund të kenë pasoja të mëdha për sigurinë e Gjermanisë dhe interesat e saj biznesore.
Politika amerikane tashmë ka zvarritur miratimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën, që do t’i ndihmonte Kievit të luftonte pushtimin rus, duke i vënë një barrë më të madhe Evropës që të mbajë, por edhe të rrisë ndihmën. Gjermania, ekonomia më e madhe në Evropë, është shteti i dytë që ofron më së shumti ndihmë ushtarake për Ukrainën pas SHBA-së.
Kompanitë gjermane, po ashtu, janë të brengosura për rritjen e mundshme të proteksionizmit nga ish-presidenti Donald Trump, nëse ai fiton zgjedhjet e nëntorit.
Përgatiti: Mimoza Sadiku