Gjashtë muaj pas shpërthimit të koronavirusit, interneti është mbushur me gënjeshtra dhe dezinformata, të cilat kanë penguar përpjekjet për ta luftuar sëmundjen COVID-19, që shkakton koronavirusi i ri.
Fjalitë më poshtë shpërfaqin disa prej pretendimeve më të rreme që janë lidhur me koronavirusin. Nëse mbushini hapësirat dhe shpërndani mesazhin online, edhe ju do të mund t’i bashkoheni narrativës së pavërtetë.
* Është komplot i ushtrisë së _____për të pushtuar ____.
* Është komplot për të rritur migrimin e _____ në _____.
* Shërohet me ___.
* Është armë biologjike e zhvilluar nga___ për të eliminuar ___.
Deklarimet e rreme
Në gjithë botën është raportuar për më shumë se 100 deklarata të rreme që lidhen me koronavirusin, sipas një ekipi hulumtuesish në Universitetin me bazë në Shtetet e Bashkuara, Carnegie Mellon, të cilët kanë studiuar sesi janë përhapur dezinformatat përmes kanaleve online. Ky ekip ka identifikuar së fundmi, të paktën tri kategori të informacionit të pasaktë, mënyra për parandalimin dhe shërimin e infektimit, natyrën e vetë virusit dhe kthimin e virusit në armë biologjike.
“Informacionet e pasakta janë pakontrollueshme në internet dhe të gjitha mediat sociale. Janë duke u përhapur me qëllim ose nga njerëzit që nuk e dinë se ato janë të pasakta”, ka thënë profesoresha amerikane, Kathleen Carley, që udhëheq Institutin për Studime Softuerike në Universitetin Carnegie Mellon.
Metodat e rreme për parandalim dhe shërim kanë qenë temat më të popullarizuara të dezinformimit në gjithë botën, kryesisht të përhapura nga robotë.
Mënyrat e “shërimit”
Birra Corona nuk e shëron koronavirusin, as hudhra, apo përzierja e supës me speca djegës. As pastrimi i hundës me kripë nuk do të parandalojë infektimin tuaj me sëmundjen COVID-19. Por, jo vetëm kaq. Në internet kanë qarkulluar edhe ide të injektimit me zbardhues, që mund të kenë efekte vdekjeprurëse në njerëz.
Një numër qeverish, organizatash dhe agjencish shëndetësore kanë hapur faqe të reja për të ndihmuar në luftimin e këtyre pretendimeve të rreme.
Ministria e Shëndetësisë e Brazilit, njëherësh vendit të dytë të goditur më së keqi në botë nga koronavirusi pas Shteteve të Bashkuara, duke qenë e sfiduar nga presidenti i shtetit, i cili ka ulur poshtë seriozitetin e pandemisë, ka krijuar kanale për përdoruesit e rrjeteve sociale, që përmes tyre të dërgojnë informacione që besojnë se duhet hetuar.
Rezultati i kësaj iniciative që mund të gjendet në gjuhën portugeze në këtë link, hedh poshtë idenë se Rusia dhe Kina kanë zhvilluar vaksinat për sëmundjen COVID-19, që kafeja dhe çaji me limon apo gargarat ndihmojnë në shërimin e koronavirusit.
Në listën e “lajmeve të rreme” ka edhe njoftime për informacion të saktë, sikurse ato që pirja e duhanit mund të rrisë rrezikun për COVID-19.
Organizata Botërore e Shëndetësisë, që është përballur vetë me teori konspirative, ka luftuar po ashtu mitet që kanë qarkulluar përgjatë kësaj kohe rreth shpërthimit të pandemisë.
Agjencia për Shëndet e Kombeve të Bashkuara ka hedhur poshtë idenë që konsumimi i alkoolit mund të mbrojë kundër koronavirusit, apo se mbajtja e frymës për 10 sekonda vërteton se nuk jeni infektuar, apo edhe pretendimet se ekspozimi në temperatura të larta apo të ulëta mund të parandalojë sëmundjen.
Teoritë e mëdha konspirative
Përpjekjet për të identifikuar dhe luftuar dezinformatat janë bërë nga grupe si Shërbimi Evropian për Veprim të Jashtëm, i cili kundërshton idenë se COVID-19 është krijuar nga “kompani të mëdha farmaceutike” apo elitat e larta, si dhe thekson se “nocioni i një ‘plandemie’, që pretendon se shpërthimi i koronavirusit është mashtrim apo ekzagjerim, është shpërndarë nga mediat pro-Kremlinit”.
Qendra Kundër Terrorizmit dhe Kërcënimeve Hibride në Ministrisë e Brendshme të Çekisë, e cila vëzhgon fushatat kundër dezinformimit që mund të ndikojnë në sigurinë e shtetit, ka luftuar pretendimet që koronavirusi është zhvilluar si armë biologjike, duke thënë se një gjë e tillë u është mveshur një numri shtetesh dhe individëve të mirënjohur, duke përfshirë “Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar, Kinën, elitat globale, Bill Gates e të tjerë”.
*Video nga arkivi: Televizioni shtetëror rus akuzon Bill Gatesin për koronavirusin
Aty është përgënjeshtruar ideja se Shtetet e Bashkuara kanë përfituar nga shpërthimi i koronavirusit për të angazhuar trupa ushtarake në Evropë, duke theksuar se kjo ide mund të ketë dalë, bazuar në stërvitjet e planifikuara ushtarake, të cilat janë anuluar për shkak të shpërthimit.
Në mesin e pretendimeve të rreme, ka qenë edhe lidhja e koronavirusit me gjeneratën e pestë të komunikimeve (5G), apo deklaratat se pandemia është blof, nuk është serioze, se qeveritë po planifikojnë vaksinim të detyrueshëm për të kontrolluar popullsinë, apo edhe se qeveritë po fokusohen në pandemi për të shpërqendruar vëmendjen nga kërcënimi që bart migrimi.
Aktorë të këqij
Qendra Kundër Terrorizmit dhe Kërcënimeve Hibride në Ministrisë e Brendshme të Çekisë, ka thënë se përpjekjet për të manipuluar informacionin, janë në linjë me idetë për të shfrytëzuar pandeminë “në përputhje me interesat e një morie aktorësh”.
Vëzhguesit kanë vërejtur një numër prej tyre, nga qeveritë, teoritë konspirative profesionale, si dhe debatuesit qëllimmirë, të cilët u përgjigjen dezinformatave të përhapura nga robotët.
Profesoresha Carley nga Universiteti Carnegie Mellon, ka thënë se dezinformatat shfaqen gjatë secilës krizë, mirëpo ato përhapen kur ritransmetohen nga agjenci të lajmeve apo personalitete të njohura.
Ajo ka sugjeruar se ndonjëherë ndodh që shakatë mund të kthehen në deklarata të vërteta.
“Përzierja a satirës dhe dezinformatën është gjë e lehtë”, ka thënë Carley.
“Tregimi që “mos konsumoni zbardhues për të luftuar koronavirusin” mund të shihet si shaka për një person dhe si e vërtetë për tjetrin”.
Mirëpo një deklaratë e tillë mund të vijë edhe nga liderë botërorë, siç është presidenti amerikan, Donald Trump, i cili ka deklaruar se ia vlen të hulumtohet ideja e konsumimit të zbardhuesit; apo presidenti brazilian Jair Bolsonaro, i cili vazhdon të minimizojë kërcënimin pavarësisht pse shteti i tij është bërë vatër e koronavirusit; apo presidentët e Bjellorusisë, Turkmenistanit dhe Nikaraguas, të cilët kanë refuzuar ta trajtojnë me seriozitet çështjen e lidhur me këtë virus.
Në disa raste, janë vetë shtetet, sikurse Shtetet e Bashkuara apo Kina, të cilat kanë shkëmbyer supozime për origjinën e sëmundjes.
Uashingtoni ka thënë se koronavirusi është krijuar në një laborator kinez, derisa zyrtarët në Pekin kanë thënë i njëjti është dërguar në Kinë nga Ushtria amerikane.
Ndikimi i madh
Ndikimi është i vërejtshëm edhe jashtë kufijve. Një studim të kryer nga Shkolla për Ekonomi në Moskë, ka treguar e një në katër rusë nuk besojnë se pandemia me koronavirus është e vërtetë.
Në Shtetet e Bashkuara, një studim i Qendrës Pew ka gjetur se gati 30 për qind e amerikanëve besojnë se koronavirusi është krijuar në një laborator, duke kundërshtuar gjetjet e hulumtuesve që kanë studiuar orgjinën e virusit.