I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se Uashingtoni ia ka bërë të qartë Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, se për të arritur deri te njohja reciproke me Serbinë, duhet të bëjë kompromise.
Escobar u paraqit të mërkurën para Nënkomitetit për Punë të Jashtme të Senatit amerikan, ku foli për angazhimin dhe strategjinë e Uashingtonit në Ballkanin Perëndimor.
Duke folur për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, që synim ka normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve dhe ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, Escobar tha se ky proces nuk është për statusin e Kosovës, por për njohjen e ndërsjellë me Serbinë.
“Ne kemi qenë shumë të qartë me Qeverinë e Kosovës, se ne presim që ata të angazhohen plotësisht në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe t’i shohin bisedimet si negociata të vërteta, për të arritur qëllimin kryesor të tyre - që është njohja e ndërsjellë me Serbinë, njohja nga pesë shtetet e BE-së dhe anëtarësimi në të gjitha organizatat ndërkombëtare, ku duan të anëtarësohen”.
“Kjo do të kërkojë kompromis dhe ne kemi qenë shumë të qartë. Ambasadori ynë i ri [në Kosovë], Jeffery Hovenier, e ka bërë këtë shumë të qartë gjatë takimeve të tij të para me Qeverinë Kurti dhe ai do të vazhdojë ta bëjë këtë, e ne do të vazhdojmë ta mbështesim atë”, tha Escobar.
Në fillim të këtij muaji, Escobar, së bashku me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, kanë vizituar Kosovën dhe Serbinë, nga ku u kanë bërë thirrje palëve që t'iu rikthehen bisedimeve.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq - si bartës të dialogut - nuk janë takuar qysh në korrik të vitit të kaluar.
Ngecjen në bisedime besohet se e kanë shkaktuar mospajtimet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Në vitin 2013, dy vendet kanë arritur marrëveshje për themelimin e këtij asociacioni, por zbatimi i saj ka ngecur.
Kryeministri Kurti thotë se në Kosovë nuk mund të ketë asociacion njëetnik.
Serbia, në anën tjetër, insiston në formimin e tij.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara i kanë bërë disa herë thirrje Kosovës që ta zbatojë Marrëveshjen për Asociacionin.
I pyetur nga senatorët amerikanë nëse Asociacioni do ta destabilizonte Kosovën, Escobar tha se mendon që kjo gjë nuk do të ndodhë.
“Ne e mbështesim krijimin e Asociacionit për shumë arsye. E para është se për të, palët tashmë janë pajtuar. Edhe pse Gjykata Kushtetuese [e Kosovës] ka thënë se disa pjesë nuk kanë qenë në përputhje me Kushtetutën, nuk ka thënë se vetë Asociacioni është jokushtetues. Në kontekstin e dialogut, është në dorën e Kosovës dhe Serbisë që të vendosin se si do të duket. Nuk duhet të jetë dhe sigurisht që ne nuk duam të jetë i ngjashëm me Republika Sërpskën [entitetin serb në Bosnje e Hercegovinë]”.
“Por, ne i kemi bërë thirrje, edhe homologu im Lajçak i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që t'i shikojë modelet që ajo beson se mund të jenë të përshtatshme dhe që nuk do ta minojnë sovranitetin dhe funksionalitetin e tyre”, tha Escobar.
Diplomati i lartë amerikan foli edhe për strategjinë e Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, e cila, sipas tij, konsiston në tri shtylla: integrimi në BE, në NATO dhe integrimi rajonal-ekonomik.
Escobar, që njëherësh është edhe zëvendësndihmës i sekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, tha se në Ballkanin Perëndimor ka ndikim malinj nga Rusia dhe Kina.
Rusia, sipas tij, nuk ka shumë ndikim në aspektin e investimeve ekonomike, por në fushën e energjisë. Ndërsa, ndikimi kinez, tha ai, bëhet përmes projekteve infrastrukturore dhe borxheve për projekte të ndryshme.
Escobar tha se Uashingtoni ka strategji për ta luftuar ndikimin rus dhe kinez në Ballkanin Perëndimor.
"Çështja e varësisë nga energjia ruse nuk është problem vetëm i Ballkanit, por edhe i një pjese të konsiderueshme të Evropës. Ballkani ka edhe një problem tjetër, që është varësia e tij ndaj energjisë së prodhuar nga qymyri. Ne kemi një strategji për sigurinë energjetike që përfshin energjinë e ripërtërishme, gazin e lëngshëm natyror dhe rrugë alternative për furnizim me energji", tha Escobar.
Duke folur për Bosnje e Hercegovinën, Escobar tha se problemi kryesor që po ndikon në, siç tha, jofunksionalitetin e këtij shteti, është korrupsioni në nivel të lartë, që, sipas tij, bën që nga ky shtet të ikin të rinjtë dhe të bllokohet procesi integrues.
Ai përmendi edhe vendosjen e sanksioneve amerikane ndaj liderit të serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik, dhe tha se Uashingtoni pret që edhe partnerët evropianë të aplikojnë regjimin e sanksioneve dhe kufizimet në viza për ata që përfshihen në korrupsion.
Në vendimin për sanksione nga SHBA-ja, më 5 janar, është thënë se Dodik, përmes retorikës për transferimin e disa kompetencave nga niveli qendror në entitetin e Republikës Sërpska, por edhe përfshirjes në korrupsion, ka minuar stabilitetin rajonal.