Një zyrtar i lartë amerikan u ka thënë gazetarëve se ministrat e Jashtëm nga Grupi i Shtatë vendeve më të Industrializuara (G7) mbeten të vendosur për të kundërshtuar përpjekjet e Rusisë për “destabilizimin” e kombeve rreth botës.
“G7-ta mbetet e bashkuar në kundërshtimin e qasjes destabilizuese të Rusisë”, ka thënë në kushte anonimiteti një zyrtar i Departamentit amerikan të Shtetit, në ditën e parë të takimit dyditor të ministrave të Jashtëm të G7-ës në Toronto.
Sidoqoftë, ai ka thënë se ende ka gatishmëri për të biseduar me Rusinë për çështje të ndryshme ndonëse Moska mbahet përgjegjëse për përpjekjet destabilizuese rreth botës.
Burimet e agjencisë së lajmeve Reuters janë cituar të kenë thënë se në deklaratën finale të takimit do të prezantohet një linjë e pakompromis me Moskën, të cilën G7-ta e dënon për aneksimin e Krimesë nga Ukrainë dhe për mbështetjen e separatistëve në po këtë shtet.
“Gjuha do të jetë e ashpër për shkak të asaj që kanë bërë rusët deri më tash”, ka thënë një burim.
“Mirëpo ajo po ashtu mund të interpretohet si lënie e derës së hapur për diskutim. Ne jemi duke iu thënë atyre, ‘Nëse dëshironi të trajtoheni si fuqi e madhe, atëherë punoni me ne'”, ka thënë burimi.
Reuters ka cituar një zyrtar të lartë të ketë thënë se kombet e G7-ës kanë njoftuar se ministrat e Jashtëm janë të shqetësuar për atë që e kanë cilësuar si shenjë të sjelljes së keqe të Rusisë në vitet e fundit.
Po këto vende kanë fajësuar Rusinë për sulmin me agjent nervor të ish-spiunit rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij Yulia në Sallsbëri.
Rusia ka hedhur poshtë përfshirjen.
Më herët, ministri i Jashtëm ukrainas, Pavlo Klimkin, u ka thënë homologëve të G7-ës se Rusia është duke përdorur tokën e vendit të tij për informacione kundër demoracisë Perëndimore.
“Ukraina konsiderohet nga shumë shtete duke përfshirë Rusinë si zonë për testim të luftës jokonvencionale ruse”, ka thënë Klimkin duke u bërë thirrje vendeve të Perëndimit për të marrë qëndrim më të ashpër ndaj rezistëncës së Kremlinit.
Diplomatja e lartë kanadeze, Chrystia Freeland, ka ftuar përfaqësuesin nga Ukraina, e cila nuk është anëtare e G7-ës për të biseduar me grupin e ministrave.
Freeland e ka cilësuar presidentin rus, Vladimir Putin si lojtarin kryesor në dëmtimin e çështjeve globale.
Ajo ka thënë se anëtarët e G7-ës kanë “rikonfirmuar mbështetjen tonë për Ukrainën dhe rregullin ndërkombëtar”.
Ministrat e G7-ës kanë diskutuar edhe për marrëveshjen bërthamore të 2015-ës në mes të gjashtë fuqive botërore dhe Iranit, me qëllim të arritjes së një marrëveshje shtesë, e cila mund të plotësojë kërkesat e presidentit amerikan, Donald Trump për të “rregulluar” ato që presidenti i konsideron të meta të marrëveshjes, ka thënë zyrtari i Departamentit amerikan.
“Ne kemi negociuar me evropianët”, ka thënë një zytar amerikan që ka shoqëruar ushtruesin e detyrës së Sekretarit të Shtetit, John Sullivan.
“Ne kemi shënuar përparim, mirëpo ende nuk kemi ardhur në përfundim”, është cituar të ketë thënë ai.
Grupi G7 përbëhet nga Shtetet e Bashkuara, Britania, Kanadaja, Franca, Italia dhe Japonia.