Ndërlidhjet

Fule: Marrëveshja Prishtinë – Beograd do t’i hapte rrugën MSA-së


Stefan Fule në Prishtinë, 19 mars 2013
Stefan Fule në Prishtinë, 19 mars 2013
Përparimet në dialogun politik do të jenë të rëndësishme për procesin e integrimit të Kosovës dhe Serbisë në Bashkimin Evropian, ka thënë komisionari për zgjerim i BE-së, Stefan Fule.

Këto komente, Fule i bëri në Prishtinë pas takimeve që zhvilloi me udhëheqësit më të lartë të institucioneve vendase.

Fule tha se pret që dialogu Prishtinë – Beograd të jap rezultate konkrete në mënyrë që më pas Brukseli të marrë qëndrime pozitive në lidhje me aspiratat e të dyja vendeve drejt integrimeve.

Ai ka inkurajuar kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë që të arrijnë marrëveshje qysh në takimin e së mërkures në Bruksel.

Ditët dhe javët në vijim do të jenë kruciale për raportet midis Kosovës dhe BE-së. Sidomos marrëveshja me Beogradin në takimin e nesërm dhe zbatimi i saj në terren do të hapte rrugën për një vendim pozitiv në lidhje me negociatat për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit", është shprehur Fule.

Komisionari Fule ka marrë pjesë edhe në Këshillin Kombëtar për Integrime që udhëhiqet nga presidentja e Kosovës dhe ku bëjnë pjesë të gjitha partitë relevante politike, përveç Lëvizjes Vetëvendosje.

Aty Fule lexoi disa rekomandime që kanë të bëjnë me arritjen dhe zbatimin e marrëveshjeve me Beogradin si zhvillime shumë të rëndësishme në proceset integruese evropiane.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga i konfirmoi edhe këtë herë zotit Fule përkushtimin e Kosovës për arritjen e marrëveshjeve me Serbinë, por të cilat do të respektonin Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Ne jemi përkushtuar që në këtë dialog të gjejmë zgjidhje të pranueshme, për vendet dhe popujt, për të gjithë qytetarët, zgjidhje sipas normave dhe standardeve më të larta evropiane. Zgjidhje të qëndrueshme dhe të vullnetshme, që do të zbatohen me sukses”, është shprehur Jahjaga.

Gjatë kësaj vizite, Fule ka lavdëruar angazhimet e Kosovës në përmbushjen e kritereve afatshkurta të përcaktuara nga Komisioni Evropian në procesin e përgatitjeve për negocimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

Por, ai ka rikujtuar edhe njëherë se shumë sfida kanë mbetur para Kosovës e që ndërlidhen me sundimin e ligjit dhe reformat.

Kosova tani duhet të tregojë edhe më shumë guxim. Nevojiten më shumë angazhime kur bëhet fjalë për sundimin e ligjit, luftimin e krimit dhe korrupsionit, reformat zgjedhore dhe zhvillimin ekonomik”, ka thënë Fule.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës janë zotuar se do të përmbushen të gjitha kriteret e parapara nga Komisioni Evropian për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.

Një marrëveshje e tillë, paraqet vetëm hapin e parë të vendeve në proceset integruese, ku Kosova si shteti më i ri evropian është përfshi e fundit dhe pritet që anëtarësimi i saj në BE të marr disa vite.

Ndërkaq, lidhur me përmbushjen e kritereve të kërkuara nga zoti Fule, presidentja Jahjaga tha se ato janë edhe prioritete dhe përkushtim i shtetit të Kosovës.

E ritheksoj fuqishëm përkushtimin tonë për ta shndërruar luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në një ndër angazhimet më të rëndësishme të shoqërisë. Të mos kemi dilema – do të jemi të pakompromis në këtë luftë”, ka thënë Jahjaga.

Komisionari për Zgjerim i BE-së, Stefan Fule para Prishtinës ka vizituar Beogradin.

Edhe atje, ai u ka bërë me dije autoriteteve serbe se përparimet në dialogun me Prishtinën do të jenë esenciale në procesin e marrjes së datës për integrimin e këtij vendi në Bashkimin Evropian.
XS
SM
MD
LG